Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorët e “Dardanisë”, të shqetësuar me tunelin e Xhamisë Qendrore

Xhamia Qendrore - Prishtine

Ndërtimi i një tuneli që i mundëson Xhamisë Qendrore në ndërtim e sipër lidhjen me lagjen e Prishtinës, “Dardania”, është shqetësimi i radhës për banorët e zonës, shtëpitë e të cilëve gjenden afër saj. 

Ata thonë se ky tunel nuk ka qenë pjesë e projektit fillestar të xhamisë dhe kanë frikë se ndërtimi i tij mund të ndikojë në stabilitetin e shtëpive të tyre. 

“Ne nuk jemi kundër xhamisë, por nuk jemi për me bë veprime që nuk guxojnë të bëhen dhe na rrezikojnë jetën. Me këtë dokument që e kemi marrë nga drejtoria e urbanizmit para dy muajve, e kemi parë një tunel që do të jetë rreth 10 metra thellë. Ekziston pllaka shkëmbore aty dhe pa ndonjë ekspertizë të mos marrin veprime, sepse mund të prishet stabiliteti i shtëpive dhe mund të vijë deri te shembja e shtëpive. Projekti fillestar nuk ka paraparë tunel”, ka thënë banori Metiner Rexha.

Shqetësimin e tij e ka shprehur edhe banori Ilir Ajeti. 

“Xhamia le të ndërtohet, por na kanë bllokuar që gati 10 vjet rrugën, shtëpia jem është kallur e s’kanë pasur qasje zjarrfikësit, bërllokun s’munden me e marrë, banorët e Dardanisë me marrë shërbimin shëndetësor duhet të sillen rrotull. Edhe sa do të zgjasë? Le ta kryejnë punën e ta lëshojnë rrugën. Edhe të mos na rrezikohet jeta prej tunelit”, ka thënë ai.

Banorët të cilët janë në proces gjyqësor me Komunën pasi ajo u ka dhënë urdhër që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre me arsyetimin se ato janë ndërtuar në pronën komunale,  dyshojnë që presioni po u bëhet vetëm për shkak të ndërtimit të xhamisë. 

Por sipas tyre, ata posedojnë dokumente që dëshmojnë se shtëpitë i kanë blerë në vitet ’60.

“Është bërë edhe tejkalimi i lartësisë dhe gjerësisë. Na kanë sjellë vendime për t’i liruar shtëpitë tona dhe tani për këtë arsye jemi në gjykatë dhe po presim vendimin e Gjykatës Themelore dhe e kemi masën mbrojtëse prej gjykatës së apelit. Këto shtëpi janë ndërtuar në vitin ‘50 dhe ne i kemi blerë në vitin ‘60”, ka thënë banori Rexha.

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës e po ashtu edhe në adresën zyrtare të Bashkësisë Islame lidhur më çështjen e tunelit, mirëpo deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i këtyre banorëve. Dy javë më parë, kjo zonë është tentuar të ndahej për diçka tjetër.

Përmes një vendimi për caktim të lokacionit, Komuna e Prishtinës në këtë pjesë të qytetit, kishte paraparë ndërtimin e një kompleksi të shumëllojshëm, parku dhe parkingu të Kurrizit. 

Sipas banorëve, projekti nuk i përfshinte vetëm shtëpitë pranë xhamisë, por edhe të tjera deri te objekti kryesor i KEDS-it. 

Caktimi i këtij lokacioni ishte futur si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e shtatë të Kuvendit Komunal për miratim, mirëpo u largua nga rendi i ditës, pas kërkesës së PDK-së e Vetëvendosjes, duke theksuar se mungon dokumentacioni pronësor për këtë pjesë.

Xhamia Qendrore është duke u ndërtuar tash e sa vite pranë objektit kryesor të Postës së Kosovës.