Basketboll

Rugova i gatshëm ta ndihmojë Rahovecin 029 që të sigurojë plejofin

Fisnik Rugova

Me 25 pikë e plot 11 kërcime, Fisnik Rugova shkëlqeu të dielën mbrëma për Rahovecin 029. Dhe falë edhe paraqitjes dominuese të 36-vjeçarit, skuadra rahovecase shënoi fitore të madhe në Superligën e Kosovës në basketboll. E mposhti GO+ Pejën me rezultatin bindës, 83:71.

Rahoveci 029 është klubi i ri që për herë të parë po luan në Superligë. Dhe përvoja e Fisnik Rugovës po i shërben shumë trajnerit Bujar Loci dhe gjithë skuadrës. Rahoveci 029 në dispozicion ka buxhet shumë herë më të vogël se klubet tjera të Superligës. Por kjo nuk e ka penguar Locin që të formojë skuadër konkurrente që tashmë i ka pesë fitore e gjashtë humbje. Disa prej humbjeve ishin të ngushta dhe erdhën edhe në mungesë të fatit.

Fitorja ndaj Pejës është vlerësuar sidomos shumë. Rugova të hënën u shpall lojtari më i mirë i xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës. Ai po jep kontribut të madh te Rahoveci, ku është bërë një kombinim i suksesshëm i lojtarëve jo shumë të shtrenjtë të huaj dhe i lojtarëve vendorë.

Rugova, që e njeh shumë mirë Superligën e Kosovës, është prej lojtarëve më të rëndësishëm.

“Ndeshja e fundit ishte shumë e rëndësishme. Ishte me rëndësi që të fitonim dhe të gjithë lojtarët e kemi dhënë maksimumin. Personalisht jam i kënaqur me paraqitjen. Por për mua me rëndësi është vetëm fitorja. Do të mundohem që të jap çdo gjë nga vetja që ta ndihmoj ekipin. Jam në shërbim të ekipit dhe i përkushtuar për të bërë më të mirën e mundshme”, ka thënë Rugova të hënën për KOHËN.

Ai e ka kaluar shumicën e karrierës te Sigal Prishtina. Por ka luajtur edhe për Pejën, Rahovecin e Bashkimin. Lojtari i gjatë 208 centimetra vazhdisht është shquar për ndihmën që ka dhënë për skuadrën. Rugova ka shumë trofe të fituar, ndërsa ishte reprezentues i Kosovës për kohë të gjatë.

“E respektoj secilin kundërshtar dhe në fushë dal për të ndihmuar ekipin. Këtë e bëjë duke dhënë maksimumin në çdo minutë të kaluar në parket. Përvoja më ka mësuar që të jem i qetë nën presion, ta lexoj lojën mirë dhe kështu ta ndihmojë ekipin”, ka theksuar Rugova.

Angazhimi i tij doli shumë i qëlluar për skuadrën e Rahovecit 029.

Fitoret e deritashme kanë bërë që “vreshtarët” mos ta mendojnë vetëm mbetjen në Superligë.

“Synimet e klubit janë që të arrijmë në plejof. Dhe me këtë përbërje që kemi dhe me punën që po e bëjmë, kemi gjasa reale. Fizikisht po ndihem shumë mirë dhe jam i motivuar për të luajtur edhe shumë vjet”, ka thënë Fisnik Rugova.

Rahoveci 029 ndeshjen e radhës e luan ndaj Vëllaznimit në udhëtim.