Basketboll

Oklahoma City Thunder kurorëzon edicionin e jashtëzakonshëm me titull të NBA-së

Oklahoma City thunder - Kampion i NBA-se

Oklahoma City Thunder mbylli një edicion të jashtëzakonshëm duke mposhtur Indianca Pacersin me rezultat 103:91, në ndeshjen e shtatë të serisë finale të plejofit në NBA. Ekipi e fitoi titullin e parë të kampionit në NBA që kur u zhvendos nga Seattle në vitin 2008.

Lojtari më i vlefshëm i ligës më të fortë të basketbollit në botë, Shai Gilgeous-Alexander, udhëhoqi skuadrën e Oklahomas para tifozërisë së zjarrtë në “Paycom Center”. Ai ndeshjen e përfundoi me 29 pikë e 12 asistime. Gilgous-Alexander u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i finaleve. Është hera e parë që nga viti 2002 që i njëjti lojtar është shënuesi më i mirë, MVP i stinorit të rregullt dhe MVP i finaleve. Këtë së fundi e kishte arritur legjenda Shaquille O’Neal.

Indiana Pacers pësoi goditje të madhe në fillim kur humbi organizatorin e lojës, Tyrese Haliburton. Ai pësoi nëj lëndim në tendinën e Akilit në mesin e çerekut të parë. Shpresat e Indianas për titull morën tjetër goditje në pjesën e dytë, nga mbrojtja e fortë e Oklahoma Cityt.

“Nuk ndihet reale”, tha Gilgeous-Alexander. “Kaq shumë orë, kaq shumë momente, kaq shumë emocione, kaq shumë netë mosbesimi. Ky grup punon shumë. Ky grup punoi me orë të tëra dhe ne e meritojmë këtë”.

Thunder kishte një seri të jashtëzakonshme. E mbylli stinorin e rregullt me bilanc prej 68:14. Ishte bilanci i pestë më i mirë i fitoreve në histori, në një edicion të vetëm të NBA-së.

Finalja mes dy ekipeve “të tregut të vogël”, ishte pa yje të mëdhenj, por ofroi emocione. Kampioni befasues i Konferencës Lindore, Pacers, e shtyu ekipin më të mirë në ligë drejt ndeshjes së shtatë, në të cilin fituesi i merr të gjitha.

Pacers gjeti ritmin kur Haliburton shënoi trepikëshin e tretë në pesë minutat e parë të ndeshjes. Por ndeshja mori kthesë të tmerrshme për Indianan kur ai rrëshqiti dhe u rrëzua, dy minuta më pas.
Lojtari që u paraqit në dy ndeshje “All Star” ishte në lot kur stafi mjekësor nxitoi drejt tij. Heshtja ra mbi arenën që ishte e mbushur me tifozë të Oklahoma Cityt. Haliburton u ndihmua të shkonte në dhomën e zhveshjes, por nuk u kthye.

Pacers rezistoi në çerekun e dytë, që ishte shumë fizik, dhe në pushim shkoi me epërsi prej një pike.
Në pjesën e dytë Thunder mori shpejt kontrollin me Gilgeous-Alexander. Pacers bëri disa rikthime sensacionale në plejof, por pa Haliburtonin këtë e kishte të pamundur në ndeshjen vendimtare.