Bashkimi i Prizrenit ka shënuar të martën mbrëma njërën prej fitoreve më të mëdha në histori.
Në kuadër të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup, Bashkimi fitoi bindshëm ndaj skuadrës më të famshme kroate, Cibonës së Zagrebit. Në “Sezai Surroi”, Bashkimi fitoi me rezultat 89:69.
Bashkimi e shënoi fitoren e parë në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Në gara evropiane prizrenasit po paraqiten për herë të parë. Ndërkohë Cibona e pësoi humbjen e parë, pas tri fitoreve rresht në Grupin J.
Që në çerekun e parë, prizrenasit dhanë shenja se është nata e tyre. Pas 10 minutave lojë rezultati ishte 19:7 për Bashkimin. Epërsia prej 12 pikëve u ruajt edhe pas çerekut të dytë, që përfundoi 18:18. Epërsia e Bashkimit u rrit edhe më shumë në çerekun e tretë, që përfundoi 28:19. Pas 30 minutave lojë skuadra e portokalltë kishte epërsi prej plot 21 pikëve. Dhe epërsia e lartë u mbajt deri në fund. Dallimi në fund të ndeshjes ishte 20 pikë.
Jeremiah Bailey udhëhoqi Bashkimin me 16 pikë, 11 kërcime e katër asistime. TJ Bickerstaff i kishte 12 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime, ndërsa Isaiah Cousins ndeshjen e përfundoi me 14 pikë, shtatë asistime e dy kërcime. Fitoren e madhe e ndihmuan edhe Valon Bunjaku me 12 pikë, Kyan Anderson me 14 dhe Jan Palokaj me 11.
Bashkimi në Zagreb ishte mposhtur me rezultat 93:79. Humbi edhe nga Reggiana italiane në udhëtim dhe nga Dijoni francez në shtëpi. Pas një jave Bashkimi e pret edhe Reggianan. Tani me motiv dukshëm më të madh për tjetër sukses në skenën evropiane.