Basketboll

Fitore e madhe e Bashkimit në Francë

KB Bashkimi

Bashkimi ka vazhduar me paraqitje impresive në FIBA Europe Cup.

Pas dy fitoreve në Prizren, Bashkimi të martën mbrëma fitoi edhe në Francë. Skuadra prizrenase e mposhti Dijonin me rezultatin 93:84.

Bashkimi tani i ka tri fitore e tri humbje, sa edhe Dijoni. 

Cibona i ka tri fitore e dy humbje, ndërsa Reggiana dy fitore e tri humbje. Cibona e Reggiana takohen të mërkurën prej orës 18:30 në Zagreb. Vetëm më pas do të dihet se kush do të avancojë prej Grupit J të stinorit të rregullt. 

Tutje avancojnë fituesit e grupeve dhe gjashtë përfaqësueset më të mira të pozitës së dytë prej dhjetë grupeve sa janë gjithsej.

Bashkimi para një jave fitoi 77:76 ndaj Reggianas italiane në “Sezai Surroi”. Dy javë më parë në arenën e njëjtë fitoi 89:69 ndaj skuadrës së njohur kroate, Cibona.

Të martën në Dijon, Bashkimi nisi shkëputjen në çerekun e dytë, ndërsa e vazhdoi në të tretin. Në çerekun e katërt vetëm e konfirmoi fitoren e madhe evropiane.

Isaiah Cousins dhe De’Quon Lake udhëhoqën Bashkimin. Cousins i kishte 20 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime. Lake ndeshjen e përfundoi me 17 pikë e katër kërcime. Por nuk e kishte asnjë dështim në gjuajtje. 

Plot 20 pikë i kishte Jan Palokaj, që shtoi edhe tri asistime e dy kërcime. Ndërkohë kontribut të madh kishte edhe Lejson Zeqiri me 12 pikë, pesë kërcime e dy asistime.

Bashkimi për herë të parë po garon në FIBA Europe Cup, përkatësisht në skenën evropiane. Dhe kampanja e deritashme, që mund të vazhdojë, ishte shumë e suksesshme.