Basketboll

Dypikëshi vendimtar i Jeremiah Bailey

KB Bashkimi Bailey

Jeremiah Bailey i kaloi në parket 21 minuta e 45 sekonda në fitoren dramatike të Bashkimit kundër Pallacanestro Reggianas në “FIBA Europe Cup”. Por vetëm 11 sekonda para fundit të takimit, amerikani Bailey realizoi pikët e para – dhe të vetmet – për Bashkimin. Dypikëshi i shënuar ia siguroi fitoren skuadrës prizrenase.

Pak çaste para fundit, Bashkimi ishte në disavantazh prej një pike dhe po shkonte drejt eliminimit nga “FIBA Europe Cup”. Një aksion i zgjatur përfundoi me realizimin e Bailey-t me tabelë, 11 sekonda para fundit, për triumfin 77:76 të mërkurën mbrëma. Festa ishte e madhe në “Sezai Surroi”.

Edhe pse sfida u vendos me pikët e Bailey-t, vendimtare ishte bllokada e De’Quon Lake, kur kishin mbetur edhe gjashtë sekonda lojë. Bailey u faullua në kërcim në sulm, por i humbi të dy gjuajtjet e lira. Megjithatë, topi mbeti te Bashkimi dhe mysafirët nuk patën më kohë për rikthim.

Nënkampioni i Kosovës fitoi ndaj skuadrës italiane Pallacanestro Reggiana me një pikë dallim. Kjo fitore i jep shpresë Bashkimit për avancim nga faza grupore, në debutimin në “FIBA Europe Cup”. Bashkimi në Grupin J është në vendin e fundit me dy fitore e tri disfata, aq sa ka edhe Reggiana në vendin e tretë. Cibona është e dyta me tri fitore e dy humbje, njësoj si Dijon Basket.

“Ne e dimë se kjo fitore na mban në rrugë për ta arritur raundin e dytë të garës. Jemi duke u rritur në secilën ndeshje si në ‘FIBA Europe Cup’ ashtu edhe në ligën vendore, kështu që kemi aspirata për të dyja garat”, ka deklaruar Bailey për KOHËN të enjten.

Përveç dy pikëve vendimtare, Bailey kontribuoi me shtatë kërcime e dy asistime. Lake, me bllokadën vendimtare, përfundoi me shtatë pikë e dy kërcime. Më efikasi ishte TJ Bickerstaff me “double-double” prej 18 pikësh e 13 kërcimesh. Te vendorët u dallua Lejson Zeqiri me 10 pikë, shtatë kërcime e një asistim.

“Vetë fitorja flet për rëndësinë e secilit nga stafi e lojtarët, që ishin të vendosur për të luajtur dhe për të fituar. Po shfaqemi ekip shumë premtues, pasi të gjithë janë duke punuar vazhdimisht. Përgëzime për të gjithë ekipin në tërësi dhe për lojën individuale. Ndeshja ishte shumë e fortë dhe na çoi deri në limite. U munduam të luanim në nivelin më të lartë dhe të fitonim me çdo kusht. Ekipi është i shkëlqyer dhe të gjithë po japim më të mirën”, është shprehur Bailey.

Për Bashkimin, kjo është fitorja e dytë e madhe evropiane. Më 4 nëntor e mposhti Cibonën e Zagrebit, njërën prej emrave më të mëdhenj kroatë, me rezultat 89:69, po ashtu në “Sezai Surroi”.

Prizrenasit e nisën stinorin e rregullt me tri humbje të njëpasnjëshme ndaj Cibonës, Reggianas dhe Dijonit, por dy fitoret rresht në shtëpi i mbajnë në garë për kualifikim. Gjithçka vendoset në xhiron e fundit më 18 nëntor kur Bashkimi luan në udhëtim te Dijon Basket, ndërsa Cibona dhe Reggiana përballen një ditë më pas. Vetëm fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë vendet e dyta më të mira kalojnë tutje. Bashkimi avancoi në fazën e rregullt si njëra nga skuadrat më të mira humbëse, pasi në raundin kualifikues ishte ndalur nga Anwili polak.

Bashkimi po tregon formë të mirë edhe në Superligën e Kosovës, ku kryeson me pesë fitore në po aq ndeshje, njësoj si GO+ Peja.

Në “FIBA Europe Cup” garon edhe Trepça, por pas pesë ndeshjeve në Grupin F me Braunschweigun, PAOK-un dhe Anwilin, është e fundit me pesë humbje dhe pa gjasa për të kaluar grupin.