Bllokada e qendrës së Bashkimit, De’Quon Lake ia ka siguruar Bashkimit fitoren e madhe evropiane të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Lake e ndali me bllokadë tentimin e fundit të Jaime Echeniques së Pallacanestro Reggianas dhe kjo bëri që Bashkimi të fitojë me një pikë dallim, 77:76.
Me fitoren e arritur në ndeshjen e xhiros së pestë të Grupit J të “FIBA Europe Cup”, Bashkimi ka rritur gjasat edhe për të avancuar në rrethin tjetër të garës.
Sfida ishte jashtëzakonisht dramatike dhe u vendos vetëm në sekondat e fundit.
TJ Bickerstaff i Bashkimit i shënoi dy gjuajtjet e lira për 76:75, një minutë e 19 sekonda pa u mbyllur i gjithë takimi.
Mysafirët nuk shfrytëzuan aksionet që i patën, ndryshe nga Bashkimi që shënoi për 77:76 me Jeremiah Baileyn 11 sekonda para fundit.
Dhe ky rezultat nuk ndryshoi më.
Merita ka edhe qendra Lake që ndali aksionin e fundit.
Për Bashkimin ishte fitorja e dytë në grup dhe tani barazohet me Pallacanestro Reggianan me nga dy fitore e tri disfata.
Dijoni dhe Cibona kanë nga tri fitore e dy humbje, por Bashkimi ende është në garë për avancim tutje.
Bashkimi nuk e ruan epërsinë, po humb pas pjesës së parë
Bashkimi ishte në epërsi për pjesën më të madhe të çerekut të parë dhe të dytë.
Por tre minuta para se të mbyllej pjesa e parë, nuk e ka ruajtur epërsinë dhe është duke humbur nga skuadra italiane Pallacanestro Reggiana. Prizrenasit madje kishin epërsi edhe deri në dhjetë pikë.
Ndeshja e së mërkurës mbrëma po zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe është e pesta e Grupit J.
Bashkimi e fitoi çerekun e parë 24:17, ndërsa ishte në epërsi deri afro tre minuta pa u mbyllur pjesa e parë.
Treshja e Tomas Woldetensaes së mysafirëve e kaloi Pallacanestro Reggianan në epërsi, 37:35.
Woldetensae e mbylli pjesën e parë me 15 pikë e një kërcim.
Lejson Zeqiri më pas i barazoi shifrat në 37:37, por mysafirët u shkëputën në rezultat dhe në pushim shkuan me dy pikë dallim, 43:41. Zeqiri i shënoi tetë pikë e tri kërcime në pjesën e parë. Shifrat më të mira te skuadra prizrenase i pati TJ Bickerstaff me nëntë pikë e nëntë kërcime.
Bashkimi në katër ndeshjet e para e ka një fitore e tri disfata, ndërsa Pallacanestro Reggiana ka dy fitore e dy humbje.
Në rast të fitores, Bashkimi do të mbetej në garë për të avancuar nga faza grupore.