Bashkimi ka pësuar tjetër humbje në “FIBA Europe Cup”.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, nënkampioni i Kosovës u mposht thellë nga Elan Chaloni me rezultatin 94:66.
Ndeshjen e Grupit F, skuadra franceze e dominoi nga fillimi.
Në pjesën e parë krijoi epërsi prej 20 pikësh. 34:18 e fitoi çerekun e parë, ndërsa 22:18 të dytin.
Edhe më thellë triumfoi në periudhën e tretë, 23:7.
Prizrenasit nuk e patën forcën të kthehen në dhjetë minutat e fundit, në të cilën hynë me 36 pikë disavantazh.
Pikë dyshifrore te Bashkimi patën vetëm Gian Clavell, 13 gjithsej. 11 i pati Divine Myles. Veton Gjecaj i pati gjashtë pikë, gjashtë kërcime e një asistim. Te Elan Chaloni më i miri ishte Carl Ponsar me 17 pikë, katër kërcime e dy asistime.
Bashkimi i ka zhvilluar tri ndeshje, ndërsa e ka një fitore e dy disfata. Pas një jave, Bashkimi luan në udhëtim te Biotekno Korfez Basket e Turqisë.