Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nga drejtësi për Arlindën te kërkesa për dorëheqje

konfront

Gjinali për vrasjen e grave: Ne nuk vuajmë për ligje, na mungon zbatimi i tyre

32 s. më parë / 28 tet 2026 21:38
Gjinali

Opinionisti Ardit Gjinali ka thënë se shqiptarët në përgjithësi nuk vuajnë nga mungesa e ligjeve, por mungon zbatimi i tyre. 

“Ndryshimi vjen pikërisht duke zbatuar shumëçka nga ato që janë të shkruara...Ne në shqiptari në tërësi, nuk vuajmë për ligje, nuk mungojnë strategji...patjetër mungon efektshmëria e zbatimit të tyre. E po ashtu përgjigja institucionale adekuate për shumëçka ndër elementet e segmentet që shfaqen”, tha Gjinali në “Konfront” të KTV-së. 
 

Hyseni: Gjatë gjithë kohës në Kosovë po ushqehet dhuna

30 min. më parë / 28 tet 2026 21:08
Zgjim Hyseni

Zgjim Hyseni nga Instituti “Progres” ka thënë se në Kosovë gjatë gjithë kohës po ushqehet dhuna. 

Hyseni ka thënë se “shumë media, të nënrenditura prej dinamikës së rrjeteve sociale, krejt kohën në Kosovë ushqejnë dhunë”. 

“Krejt kohën në Kosovë po ushqehet dhunë, prej mënyrës se si transmetohet apo diskutohet për Big Brother, prej mënyrës se qysh flitet, qysh reagojmë ndaj rrjeteve sociale. Gjithçka është për me nxit sensacionin e spektaklin”, tha Hyseni në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka thënë se diskutimi në seancën e fundit në Kuvend, të organizuar të hënën pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ishte pak a shumë qysh diskutohet për çdo gjë mes partive politike. 

“Njëjtë gjithmonë, bëhet bilanci çka ke bërë ti kur ke qenë e çka ke thënë ti më herët e çka po bën tash. Ky është diskutimi i partive politike”, tha Hyseni. 

Hyseni po ashtu ka folur se si shtesat për lehonat, mund të japin “sinjale të ndryshme”. 

“Në Kosovën, kur krejt kohën bëhet luftë me i tejkalu rolet gjinore, ne e bëmë kriter lindjen për shtesa. Merr para nëse lind. Ndoshta është më mirë me dhënë para për strehimore. Strehimoret aktuale janë të përkohshme, 6 muaj dhe shumë gra janë të detyruara të qëndrojnë në situatë dhune se nuk kanë ku të shkojnë...S’mundesh në të njëjtën kohë me thënë e kam politikë punësimin e pavarësinë e grave, e me thënë se gratë marrin para nëse lindin. Je duke dërguar sinjale të ndryshme. Po them duhet të kemi parasysh se asgjë nuk është vakum. E ka ndikim çfarë sinjale çon në shoqëri”, tha Hyseni. 

Krasniqi: Dështimi për parandalimin e vrasjes është i të gjithëve

41 min. më parë / 28 tet 2026 20:58
kras

Gazetari Besnik Krasniqi ka kritikuar mediat dhe organizatat e shoqërisë civile për dështimin në krijimin e një rrjeti që do të mundësonte parandalimin e vrasjeve të grave, në raste kur shteti dështon në mbrojtjen e tyre. Ai e ka vlerësuar dështim të të gjithëve që kanë një rol të caktuar në shoqëri rastin e Arlinda Zekajt e cila u vra nga ish-kunati të dielën.

Krasniqi ka ngrehur pyetje për besimin e qytetarëve te mediat dhe shoqëria civile, kur shteti dështon karshi tyre. 

“Secili duhet të ndjehet në faj pse nuk ka mbërri të parandalohet kjo vrasje, edhe gazetarët, edhe shoqëria civile. Duhet të shtrohet pyetja... Kosova i ka dhjetëra televizione, qindra portale, mijëra gazetarë, ka sa e sa krijues të përmbajtjeve në rrjete sociale, qysh e ndjera nuk iu drejtua për ndihmë asnjërit prej këtyre gazetarëve, mediave, asnjë organizate të shoqërisë civile. Janë dy probleme, pse nuk ka pasur e ndjera besim për të trokitur në ndonjë prej këtyre adresave kur e ka pa që shteti nuk po vepron. A është problemi që e ka humb besimin edhe te ne? E dyta është ku janë mediat, gazetarët, organizatat e shoqërisë civile që nuk kanë mbërri të shtrijnë rrjet. Dështimi është i të gjithëve sepse kjo na nxjerr lakuriq të gjithëve dhe na tregon se askush në këtë shoqëri nuk është duke e kryer punën që i takon”. 

Krasniqi ka kritikuar edhe mënyrën se si media të caktuara e organizata trajtojnë rastet tragjike për përfitime të tyre. 

“Ka media në Kosovë dhe organizata të shoqërisë civile që i fërkojnë duart kur ka tragjedi të tilla. A i ke pa raportimet prej varrimit, a nuk e demonstruan këtë? Te shoqëria civile nëse nuk mbërrin të krijosh rrjet, por e përdor viktimën si statistikë dhe këtë statistikë t’ia prezantosh një donatori që mund të japë grante, por nuk po mundesh ta parandalosh një krim të tillë,  atëherë këso raste është për fërkim duarsh”, shprehu ai. 

 

Syla për vrasjen e grave: Burrat kanë marrë zemër, pasi shteti nuk po i dënon

53 min. më parë / 28 tet 2026 20:46
Mirishahe Sylaj

Aktivistja e shoqërisë civile Mirishahe Syla, ka thënë se rastet e vrasjes së grave dhe të dhunës ndaj tyre po rriten pasi që shteti nuk po i dënon kryesit e veprave si dhe personat përgjegjës në institucione nuk po i kryejnë përgjegjësitë për të cilat janë thirrur. 

Syla në emisionin “Konfront” në KTV ka thënë se rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Pejë, edhe njëherë e ka dëshmuar se sa shumë shteti dështon t’i kryej detyrat e veta bazike, që sipas saj, janë të ofrojë siguri dhe drejtësi për të gjithë. 

“Kur përsëritet raste të tilla kaq shumë edhe kur ka njerëz që nuk i kanë kryer detyrat e tyre për të cilat janë thirrur dhe shteti nuk i bën ata përgjegjës për moskryerjen e detyrave, kjo është një tregues që ata mund të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, ashtu si ju tregon edhe burrave që përderisa kemi pasur rritje të rasteve të raportuara të dhunës çdo vit e më shumë, dhunuesit, burrat kryesish duke e parë që edhe nëse të raporton dikush, ndoshta përfundon me 300 euro dënim, 48 orë në paraburgim, ndoshta me një muaj dënim dhe lirohesh, këta mandej kanë marr zemër që mund të jenë të tillë edhe shteti nuk i dënon”, është shprehur Syla. 

Ajo ka thënë se rastet e tilla ndodhin për shkak të mungesës së vullnetit të personave të thirrur për t’i kryer këto përgjegjësitë e tyre. 

Syla: Pikat në rezolutën e Kuvendit për mbrojtjen e grave janë qesharake

Syla ka folur edhe për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. 

Ajo ka thënë se pikat e saj janë qesharake.

“Pikat që erdhën në atë rezoluta janë qesharake, ... thonë linjë fala për këshillim të familjeve dhe çifteve, ne e dimë prej praktikës se çfarë ndodh me këshillim sepse veçse e bëjnë falas këtë, i këshillojnë çiftet që nëse ka ndodh dhuna për një herë që të ka rrahur nuk bahet nami sepse nuk prishet familja për një dhunë, ky është këshillimi që e marrin”, është shprehur Syla. 

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare është qëlluar për vdekje me sëpatë, mbrëmjen e së dielës, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar është kunati i saj, i cili pas tri ditësh në arrati është arrestuar të martën. Tri ditë para se të vritej, nëpërmjet një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë ajo kishte njoftuar për rrezikun.