Gazetari Besnik Krasniqi ka kritikuar mediat dhe organizatat e shoqërisë civile për dështimin në krijimin e një rrjeti që do të mundësonte parandalimin e vrasjeve të grave, në raste kur shteti dështon në mbrojtjen e tyre. Ai e ka vlerësuar dështim të të gjithëve që kanë një rol të caktuar në shoqëri rastin e Arlinda Zekajt e cila u vra nga ish-kunati të dielën.
Krasniqi ka ngrehur pyetje për besimin e qytetarëve te mediat dhe shoqëria civile, kur shteti dështon karshi tyre.
“Secili duhet të ndjehet në faj pse nuk ka mbërri të parandalohet kjo vrasje, edhe gazetarët, edhe shoqëria civile. Duhet të shtrohet pyetja... Kosova i ka dhjetëra televizione, qindra portale, mijëra gazetarë, ka sa e sa krijues të përmbajtjeve në rrjete sociale, qysh e ndjera nuk iu drejtua për ndihmë asnjërit prej këtyre gazetarëve, mediave, asnjë organizate të shoqërisë civile. Janë dy probleme, pse nuk ka pasur e ndjera besim për të trokitur në ndonjë prej këtyre adresave kur e ka pa që shteti nuk po vepron. A është problemi që e ka humb besimin edhe te ne? E dyta është ku janë mediat, gazetarët, organizatat e shoqërisë civile që nuk kanë mbërri të shtrijnë rrjet. Dështimi është i të gjithëve sepse kjo na nxjerr lakuriq të gjithëve dhe na tregon se askush në këtë shoqëri nuk është duke e kryer punën që i takon”.
Krasniqi ka kritikuar edhe mënyrën se si media të caktuara e organizata trajtojnë rastet tragjike për përfitime të tyre.
“Ka media në Kosovë dhe organizata të shoqërisë civile që i fërkojnë duart kur ka tragjedi të tilla. A i ke pa raportimet prej varrimit, a nuk e demonstruan këtë? Te shoqëria civile nëse nuk mbërrin të krijosh rrjet, por e përdor viktimën si statistikë dhe këtë statistikë t’ia prezantosh një donatori që mund të japë grante, por nuk po mundesh ta parandalosh një krim të tillë, atëherë këso raste është për fërkim duarsh”, shprehu ai.