Në Federatën e Basketbollit të Kosovës i kanë pritur me shqetësim akuzat që basketbollistja franceze, Clara Mertz, i ka bërë ndaj klubit kosovar, KBF Peja 03.
Përmes një shkrimi të publikuar në mediumin francez të basketbollit, “bebasket.fr”, Mertz ka akuzuar Pejën 03 për mosrespektim të kontratës dhe trajtim jo të dinjitetshëm.
Akuzat e Mertzit janë mohuar nga klubi pejan, por Federata e Basketbollit e Kosovës i është drejtuar me një letër Pejës 03. Në letër shkruan se artikulli në mediumin francez “është ndjekur me shqetësim” nga FBK-ja.
“Raportimet në fjalë përmbajnë pretendime serioze lidhur me: mospërmbushjen e obligimeve financiare ndaj një lojtareve të huaj; trajtimin profesional dhe komunikimin institucional të klubit; përdorimin e një gjuhe të papranueshme, e cila, nëse vërtetohet, bie ndesh me parimet bazë të etikës sportive dhe rregulloret e FBK-së dhe FIBA-s”, shkruan në letër.
Sipas FBK-së, “raste të tilla” cenojnë imazhin e Kosovës dhe të basketbollit kosovar.
“Theksojmë se raste të tilla, kur ndodhin në kuadër të garave zyrtare ndërkombëtare të FIBA-s, nuk e dëmtojnë vetëm reputacionin e klubit konkret, por centojnë drejtpërdrejt imazhin e Kosovës, të basketbollit kosovar dhe përpjekjet institucionale për ta pozicionuar vendin tonë si një mjedis serioz, korrekt dhe mikëpritës për sportistët dhe sportistet ndërkombëtare”.
Në letër FBK-ja ka cekur punët që ka bërë për zhvillimin e basketbollit të femrave. Dhe raportimi për të keq në një medium të një vendi evropian si Franca, nuk mund të injorohet nga Federata kosovare e basketbollit. Federata vlerëson se raportimi paraqet dëm serioz sa i takon reputacionit.
Federata ka kërkuar nga Peja 03 sqarime për kontratën, përmbushjen e saj dhe rrethanat e largimit të francezes.
Mertz ka akuzuar klubin pejan se nuk e pagoi sipas marrëveshjes dhe po ashtu për mënyrë jo të përshtatshme të komunikimit me të. Ajo ishte te Peja 03 për disa javë gjatë tetorit të vitit të kaluar. Nuk shfaqi ndonjë cilësi dhe për këtë luajti vetëm 3 minuta e 21 sekonda përgjatë dy ndeshjeve. Ajo ka treguar se mori 200 euro nga trajneri i atëhershëm i skuadrës, ndërsa ka thënë se klubi i mbeti borxh 644 euro.
Nga klubi pejan i kanë mohuar të gjitha akuzat e lojtares, duke thënë se i janë përmbajtur kontratës. Por po ashtu kanë shkruar se “Kontrata profesionale me Clara Mertz është nënshkruar vetëm nga ish-trajneri, Izzat Ismail, dhe jo nga organet drejtuese apo përfaqësuesi ligjor i klubit, çka dëshmon se angazhimi i saj ka qenë projekt personal i tij dhe jo vendim institucional i klubit. Duke filluar nga rekrutimi, nënshkrimi i kontratës, trajnimi sportiv dhe deri te çështja e pagesës, ish-trajneri e ka marrë përsipër personalisht mbulimin dhe menaxhimin e të gjitha këtyre aspekteve për lojtaren. Në të njëjtën linjë, edhe pagesa e saj ka qenë përgjegjësi e tij, pasi ishte paraparë të mbulohej nga sponsori që ai kishte sjellë”.
Nuk është praktikë e klubeve të konsoliduara që trajneri të nënshkruajë me një lojtare. E po ashtu që trajneri të jetë përgjegjës për sigurimin e pagës së sportistit. Zakonisht trajneri përzgjedh lojtarin apo lojtaren dhe klubi ka përgjegjësi për të siguruar shërbimet e tij.
Jo rrallë basketbollistë të huaj, sidomos amerikanë, kanë akuzuar klube kosovare për mospërmbushje të kontratës. Dhe shumë herë klube kosovare kanë humbur raste në gjykatën e FIBA-s për këtë çështje. Ka pasur më pak raste kur lojtarët e huaj nuk i kanë respektuar kontratat.
Dhe jo rrallë klubet janë ankuar se basketbollistë amerikanë cilësorë refuzojnë të vijnë në Kosovë, apo kërkojmë shumë më tepër se që kërkojnë në vende të tjera. Kjo ndodh, ndër të tjera, për shkak të imazhit të përgjithshëm që kanë krijuar klubet.