Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Manual për vitin e ardhshëm

Si mund të bëhet Kosova si Mali i Zi? Dakord, nuk mund të bëhemi si Danimarka, por të bëhemi si Mali i Zi nuk është sfidë e paarritshme. Mund të fillojmë nga diçka e thjeshtë – në fakt shumë e thjeshtë

Është një deja vu të cilin e përjetoj çdo vit. Çdo vit procesi ynë i integrimit evropian bëhet tema më e rëndësishme nacionale në ato disa ditë që rrethojnë publikimin e raportit të progresit. Ato disa ditë i gjithë diskursi publik ndizet flakë me diskutimin për procesin integrues – partitë politike e akuzojnë njëra-tjetrën për të arriturat apo sfidat, qeveria bën lëvdatat e veta, opozita akuzat e veta, parlamenti mban seancë plenare, rrjetet sociale dhe studiot diskutojnë me të njëjtin zell dhe pastaj shumë shpejt shfaqja përfundon, perdet mbyllen dhe procesi i integrimit përsëri mbulohet nga velloja e harresës dhe pensionohet në temë të rendit të shtatë.

Një nga arsyet e këtij largimi të vëmendjes publike nga reformat evropiane është sepse diskutimi i tyre është i mërzitshëm, por edhe kompleks. Këtë e kuptoj. Nuk është seksi me diskutu për klasifikimin e vendeve të punës, trajtimin e ujërave të zeza, metrologjinë apo peshkimin. Por ndoshta mënyra më e mirë për të shpjeguar këtë proces kompleks dhe të mërzitshëm është me citu disa numra të thjeshtë. Për shembull gjatë vitit 2026 Mali i Zi ka bërë progres të mirë apo shumë të mirë në 27 kapituj të BE-së, e Kosova ka bërë në vetëm 1. Pra të parit kështu gjërat duken shumë më të thjeshta.

Nëse është kështu, atëherë për të huazuar nga Fukuyama - si mund të bëhet Kosova si Mali i Zi? Dakord, nuk mund të bëhemi si Danimarka, por të bëhemi si Mali i Zi nuk është një sfidë e paarritshme. Mund të fillojmë nga diçka e thjeshtë – në fakt shumë e thjeshtë. Në vend të asaj zallahie të madhe për reformat komplekse evropiane, a mund të dakordohemi për vetëm një gjë që secili institucion në Kosovë duhet ta bëjë në 12 muajt e ardhshëm – pra vetëm një, jo më shumë. Kësisoj i gjithë diskutimi për reformat e famshme evropiane zbret nga një nivel shumë abstrakt, i mërzitshëm dhe kompleks në një nivel shumë më praktik, specifik dhe lehtë të matshëm.

Këtë pyetje ia bëra vetes dhe përfundova me një listë të gjërave specifike për çdo institucion. Le të fillojmë me ministritë e qeverisë si organe shtetërore që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për detyrimet tona në rrugën integruese. Gjatë 12 muajve të ardhshëm Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet ta harmonizojë gradualisht politikën e vizave me listën e BE-së, duke filluar me një plan me afate për 16 shtetet me të cilat Kosova ka ende regjim pa viza, ndërsa BE-ja kërkon viza për to. Ministria e Drejtësisë duhet t’i sjellë në Qeveri ligjet e rishikuara të reformës në drejtësi pas një konsultimi të ri publik dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta miratojë strategjinë kombëtare kundër krimit të organizuar bashkë me planin e saj të veprimit. Ministria e Financave duhet ta miratojë Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Llogaridhënien, në një fushë ku Komisioni ka vlerësuar se nuk ka asnjë progres. Ministria e Ekonomisë duhet ta miratojë Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit duhet ta miratojë Ligjin për inspektimin dhe konformitetin e produkteve. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural duhet ta miratojë Ligjin e ri për tokën bujqësore, për të ndalur humbjen e tokës bujqësore. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit duhet ta përfundojë tenderimin e sistemeve të sinjalizimit dhe telekomunikacionit për hekurudhën e Korridorit 10, pa të cilat trenat nuk mund të kalojnë shpejtësinë prej 100 km/h. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duhet ta ndryshojë Ligjin për menaxhimin e mbeturinave. Ministria e Shëndetësisë duhet ta vërë në funksion dosjen elektronike shëndetësore, që historia e çdo pacienti të jetë e disponueshme kudo që trajtohet. Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet ta finalizojë dhe ta miratojë Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2035+. Në Kosovë një e treta e të rinjve nuk është as në punë, as në shkollë, as në trajnim, prandaj Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare duhet ta zgjerojë skemën e suksesshme të Garancisë për të Rinj përtej dy komunave pilot. Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike duhet ta ndryshojë Ligjin për Zyrtarët Publikë në përputhje me rekomandimet e BE-së, për një shërbim civil të qëndrueshëm dhe profesional. Ministria e Zhvillimit Rajonal duhet të publikojë raporte të rregullta publike se si strategjia e zhvillimit rajonal po e ngushton hendekun zhvillimor ndërmjet rajoneve. Ministria e Kulturës dhe Turizmit duhet ta hartojë strategjinë për kulturën. Ministria e Sportit dhe Rinisë duhet të sigurojë që federatat sportive ta ndajnë pjesën minimale të financimit për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sport, siç e kërkon Strategjia Kombëtare e Sportit 2025-2030, dhe ta publikojë çdo vit. Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit duhet ta përfundojë dhe ta publikojë rishikimin e Strategjisë për të Drejtat e Komuniteteve, përfshirë përfaqësimin e tyre në institucionet qendrore. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, duhet të sigurojë që komunat t’i punësojnë punonjësit socialë të specializuar për dhunën me bazë gjinore, siç e parashikon ligji.

Pra kjo është – një detyrë për çdo ministri për 12 muajt e ardhshëm. Asnjë nga këto detyra nuk është e re për ministritë e linjës. Secila nga këto është përsëritje nga viti i kaluar. Prandaj, le të fillojmë nga kjo. Kjo nuk garanton se do të jemi sikur Mali i Zi, por së paku do të jemi në rrugën e mbarë.

Dhe natyrisht në fund ngelet elefanti në dhomë. Ajo detyra më e vështirë që nuk i takon asnjë ministrie, por i takon kryeministrit: Dialogu me Serbinë. Sikur çdo vit paraprak edhe këtë vit Komisioni nënvizoi se dialogu ngelet “kusht esencial” për rrugën integruese të vendit. Pra, patjetër se ekziston mundësia që edhe nëse i bëjmë detyrat e shtëpisë rruga jonë integruese të mos avancojë si pasojë e mungesës së progresit në kuadër të dialogut. Kjo mund të jetë kështu, por së paku atëherë do të dimë se kemi bërë çdo gjë në fuqinë tonë për ta bërë jetën më të mirë këtu në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, jo atë në Bruksel, Berlin apo Paris. Dhe në fund të ditës kjo edhe është vet thelbi i gjithë procesit integrues.