Basketboll

FBK-ja “nuk pranon” marrëveshjet trajner – lojtar, kërkon përgjegjësi nga klubet

peja 03

Rasti i basketbollistes franceze, Clara Mertz, ka vënë në pah një praktikë jo shumë të pëlqyer në basketbollin kosovar – kompetencat shumë të mëdha të trajnerëve, sidomos atyre të huaj.

Mertz në vjeshtë luajti për disa javë për skuadrën Peja 03. Nuk shfaqi cilësinë që pritej dhe u lirua para se t’i përfundonte kontrata prej dy muajve. Ajo tha se paratë e vetme që mori ishin 200 euro nga trajneri i atëhershëm i skuadrës. Ndërkohë akuzoi klubin pejan se i mbeti borxh 644 euro dhe se e trajtoi jo dinjitetshëm. Këto akuza, që u mohuan plotësisht nga klubi, basketbollistja franceze Mertz i bëri për mediumin e basketbollit nga Franca, “bebasket.fr”.

Pas publikimit të tekstit, FBK-ja kërkoi sqarime lidhur me akuzat e Mertzit, duke shkruar në një letër për klubin pejan se është “dëmtuar imazhi” i basketbollit kosovar.

Peja 03 ka dërguar versionin e saj në Federatë, ashti siç i është kërkuar. Ky klub edhe në një përgjigje për KOHËN ka thënë se marrëveshjen me basketbollisten franceze e ka bërë ish-trajneri.

Por kjo praktikë është e papranueshme për Federatën e Basketbollit të Kosovës. FBK-ja kërkon që përgjegjësitë të jenë të ndara e të qarta. Dhe që marrëveshjet me lojtare të bëhen nga klubet e jo nga trajnerë.

Peja 03 ka mohuar të gjitha akuzat e francezes. Megjithatë fakti që marrëveshjen e ka bërë trajneri dhe që, sipas klubit, ai kishte përgjegjësi për ta respektuar atë, për FBK-në është i papranueshëm.

“Kontrata profesionale me Clara Mertz është nënshkruar vetëm nga ish-trajneri, Izzat Ismail, dhe jo nga organet drejtuese apo përfaqësuesi ligjor i klubit, çka dëshmon se angazhimi i saj ka qenë projekt personal i tij dhe jo vendim institucional i klubit. Duke filluar nga rekrutimi, nënshkrimi i kontratës, trajnimi sportiv dhe deri te çështja e pagesës, ish-trajneri e ka marrë përsipër personalisht mbulimin dhe menaxhimin e të gjitha këtyre aspekteve për lojtaren. Në të njëjtën linjë, edhe pagesa e saj ka qenë përgjegjësi e tij, pasi ishte paraparë të mbulohej nga sponsori që ai kishte sjellë”, shkruan në një përgjigje të KBF Peja 03 për KOHËN.

Kjo përgjigje hap shumë çështje. Përshembull që trajneri i huaj kishte “projekt personal” në një klub kosovar. Madje ky trajner nga Libani, sipas përgjigjes, solli edhe sponsor në klubin që e përfaqësoi Kosovën në gara evropiane. Dhe trajneri, si në asnjë klub serioz e të konsoliduar, i dha para në duar lojtares së huaj.

Nënshkrimi dhe respektimi i kontratave, sigurimi i sponsorëve dhe “projektet” janë përgjegjësi e drejtuesve të klubeve. Trajneri, zakonisht, përfshihet vetëm në përzgjedhjen e lojtarëve. Punët tjera, si arritja e marrëveshjes, u takojnë drejtuesve të klubeve.

Por te Peja 03 nuk ishte kështu me ish-trajnerin Ismail.

Dhe në një letër tjetër që e ka dërguar te Peja 03, FBK-ja ka kundërshtuar këtë praktikë.

“Pavarësisht aranzhimeve të brendshme, roleve individuale apo marrëveshjeve të veçanta me trajnerë, sponsorë apo palë të treta, në kuadër të garave zyrtare vendore dhe ndërkombëtare, përgjegjësia për angazhimin, trajtimin dhe obligimet ndaj lojtareve i takon gjithmonë klubit si subjekt juridik dhe anëtar i Federatës”, shkruan në letrën e dytë të FBK-së për klubin Peja 03.

“Federata nuk mund dhe nuk duhet të operojë mbi bazën e parimit që një individ i vetëm  qoftë trajner apo funksionar tjetër  mban përgjegjësi të plotë dhe të pavarur për çështje që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin institucional të klubit. Një qasje e tillë nuk është në përputhje me standardet organizative, profesionale dhe etike që Federata synon të mbrojë dhe të promovojë”, shkruan tutje në letrën e FBK-së.

Edhe në klube tjera ka pasur trajnerë që morën përgjegjësi më shumë se që u takojnë. Jo rrallë ka akuza që trajnerët e huaj janë të lidhur me agjenci që menaxhojnë lojtarë. Dhe marrin apo përzgjedhin lojtarë të huaj vetëm nga agjencitë ku bëjnë pjesë. Dhe kjo jo rrallë ka pasur ndikim shumë negativ në performancën sportive.