Imazhet e triptikut të dokumentarëve “117”, “Nëpër Kosovën tonë” dhe “Prizreni, qyteti i burimeve dhe bukurisë” e kthejnë kohën në shekullin e kaluar, por Ansambli Eksperimental i “Lumbardhit”, u jep frymë të re, teksa aty për aty, ua krijon kolonën zanore. Muzika e Ansamblit ecën bashkë imazhet mos ua marrë primatin, por duke i zbërthyer emocionalisht për publikun. Ose duke i kompletuar. Një projekt i nisur nga jazz-pianisti Ilir Bajri, harmonizon lirinë e shprehjes dhe secili muzikant ka peshën e vet
Dokumentari “117”, nën regjinë e Besim Sahatçiut, i realizuar në vitin 1976 nga “KosovaFilm”, është ndër veprat e njohura të kinematografisë së Kosovës. Vlera e tij si realizim që tejkalon anën kinematografike rritet dita-ditës. E ky realizim, bashkë me dy dokumentarë të tjerë, ka ardhur në një formë të veçantë. Në kinemanë “Armata” në Prishtinë, “117”, bashkë me “Nëpër Kosovën tonë” dhe “Prizreni, qyteti i burimeve dhe bukurisë”, është prezantuar ndryshe: me muzikë të kompozuar dhe të interpretuar enkas për këto realizime.
Publiku i pranishëm në kinema të martën mbrëma, ishte përballë ekranit, por edhe Ansamblit Eksperimental të “Lumbardhit”, fondacionit që menaxhon hapësirën e kinemasë me nam në Prizren, e cila mban të njëjtin emër. Viola Rrecaj në sint, Liridina Kukaj në violë, Puhiza Mustafa në violinë, Elenida Elezi në piano, Iris Perolli në violë, Alba Basha në flaut, Anjeza Namligjiu në piano, Gresa Broqi në violonçel, Rina Foniqi në klarinetë, Agona Shporta në vokal dhe perkusione, Cemi Tatar në bateri dhe Diart Ramadani në dizajn zanor kanë ndërthurur “ngjyrat” e dokumentarëve të paraqitur. Nën drejtimin e jazz-pianistit Ilir Bajri, ansambli, nëpërmjet muzikës minimaliste, duke ruajtur thjeshtësinë, ka nisur interpretimin për dokumentarin “Prizreni, qyteti i burimeve dhe bukurisë”. Prodhimi i viteve ’70 sjell qytetin e Prizrenit, duke e promovuar atë për vizitorët. Muzika e Ansamblit i jep një tjetër formë dokumentarit. Ecën bashkë me të, duke mos ia marrë primatin, por duke e zbërthyer emocionalisht për publikun. Ose duke e kompletuar.
Pamjet e vitit 1972 kësaj radhe vijnë si retrospektivë e “restauruar”, me muzikë që bën për vete publikun. Si ansambël kinematik, instrumentistët u shtojnë pamjeve melodi, duke provokuar me muzikë që nuk është paramenduar në këto anë në kohën kur është punuar dokumentari.
Kurse “117” vjen krejt ndryshe me muzikën e Ansamblit. Pamjet e familjes nga fshati Nivokaz i Gjakovës ruajnë rrëfimin e kryefamiljarit. Derisa ai flet për familjen dhe faktin se bashkëjetojnë 117 veta, muzika e Ansamblit sikur e kthen kohën prapa. U jep fuqi pamjeve, duke bërë që shikuesit të përjetojnë jo thjesht një “flashback”, por të prekin ndjesinë që përcjellin pamjet përballë projektorit.
“Është rezultat i punës së përbashkët. Është kontribut i barabartë i secilit pjesëmarrës. Meritat më të mëdha i ka Ansambli, natyrisht edhe ‘Lumbardhi’, Aresi dhe krejt ekipi kanë ndihmuar që kjo të realizohet. Kjo është një përmbledhje e krejt asaj që kemi punuar viteve të kaluara. Është rezultat i një bashkëpunimi të mirë, të shëndoshë e të sinqertë”, ka thënë muzikanti Ilir Bajri. Ka sqaruar se bëhet fjalë për një koncept të thjeshtë dhe se ideja ka qenë që Ansambli të mos ketë hierarki vertikale, por horizontale.
Edhe
Filharmonia i jep ritëm kujtesës dramatike dhe ngjall tingujt e shpresës
“Ansambli s’ka dirigjent, s’ka udhëheqës, unë jam më shumë si njëfarë këshilltari. Krejt muzika që është dëgjuar sonte është produkt i përbashkët. Dikush ka ardhur me një ide, dikush tjetër me një tjetër. Jemi munduar ta mbajmë sa më thjeshtë në aspektin e materialit, kurse në aspektin emocional dhe të lirisë së shprehjes kemi punuar pak më gjatë. Eksperimenti ka rezultuar me këtë që dëgjuam”, ka thënë ai. Sipas Bajrit, më së vështiri është të bëhet diçka të thjeshtë dhe të mbahet më gjatë një material i thjeshtë muzikor, i cili vetëm zhvillohet emocionalisht. Ansambli ia ka arritur kësaj.
Kurse “Nëpër Kosovën tonë”, si xhirim i vitit 1933, sjell pamje të një kohe krejt tjetër. Trashëgimia kulturore e fetare, bashkë me punët nëpër fusha, bashkojnë pamje bardhezi, të cilave muzika sikur u jep edhe ngjyra të tjera.
“Është hera e parë me koncert në Prishtinë dhe ishte një emocion shumë i madh. Çdo gjë ishte sfidë në vete, pasi është muzikë për dokumentarë, por ia kemi dalë së bashku”, ka thënë pianistja Anjeza Namligjiu.
Ideja për një Ansambël në kuadër të “Lumbardhit” ka ekzistuar qysh më 2015, kur është themeluar fondacioni. Si propozim ishte bërë nga Ilir Bajri në kuadër të turneut dëgjimor që kishin bërë nismëtarët e “Lumbardhit” si fondacion.
“Një prej ideve ishte që kishim dëshirë ta bashkonim muzikën dhe filmin. Janë dy fusha të artit që kanë qenë të pranishme në krejt historinë e ‘Lumbardhit’. Ilir Bajri e pati prezantuar idenë për ansambël. Dhe prej vitit 2020 e deri tash, një javë para ‘DokuFestit’, kemi mbledhur një grup muzikantësh të rinj që kanë punuar dhe janë prezantuar”, ka thënë Ares Shporta. Ka treguar se si staf i “Lumbardhit”, propozojnë projekte filmike, ndërsa Ansambli përgatit performancat muzikore.
Edhe
“DokuNights” rikthehet në zanafillë në festën e 25-vjetorit
“Tash mendoj se mund të jetë një ansambël i jashtëzakonshëm kinematik, që mund të performojë edhe për filma të tjerë, madje edhe në rajon. Jemi shumë të lumtur që Iliri dhe krejt pjesëmarrësit kanë investuar shumë që të krijohet grupi dhe të shfaqet potenciali. Tash shpresojmë që të krijohet mundësia që të rriten ambiciet e tyre”, ka thënë Shporta.
Të martën, Ansambli për herë të parë ka dalë nga Prizreni. I ka sjellë publikut në kryeqytet ndjesinë që ofron gjatë ditëve të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFestit”. Dokumentarët, të shoqëruar me muzikën e tij, vijnë në një formë tjetër. Janë unikë.