Mungesa trevjeçare e festivalit “Erdhlezeti” nuk ka qenë një shkëputje dosido. Kaq i është dashur që të akumulojë energji për t’u rikthyer në ritëm me energjinë e muzikës që bashkon. Nuk ndalet vetëm te muzika, por harmonizohet si një festë kolektive e shpirtit të qytetit, e lidhjeve njerëzore dhe tingujve të sinqertë e të papërpunuar. Programi nisi me grupet vendore “La Fazani”, “Hawolf” dhe “Rilindja” për të kulmuar me “Antwerp Gipsy Ska Orkestra” nga Belgjika dhe “Demir Kan Brass Orchestra” nga Maqedonia e Veriut
Rikthimi pas tre vjetësh mungesë i festivalit “Erdh lezeti” ka dëshmuar se vazhdon të mbajë pranë audiencën e tij. Nuk është festival që ndërtohet mbi emra të mëdhenj komercialë, por mbi idenë e bashkimit të njerëzve përmes muzikës, kulturës dhe jetës në hapësirat publike. Pikërisht këtë filozofi organizatorët e kishin bërë të qartë edhe në njoftimin me të cilin paralajmëruan rikthimin.
Para objektit të Qeverisë së Kosovës, të dielën mbrëma hapësira ka marrë një identitet krejt tjetër. Tingujt e kitarave, saksofonave, trumbetave e daulleve kanë jehuar në shesh, ndërsa qytetarë të shumtë janë mbledhur duke e rikthyer atmosferën që për tre vjet kishte munguar. Disa kishin ardhur enkas për festivalin, të tjerë u ndalën rastësisht pasi kishin dëgjuar muzikën nga larg, por të gjithë kanë përfunduar në të njëjtin vend: përballë skenës së “Erdhlezetit”, festivalit që u rikthye me premtimin se organizimi nuk do të ndalet më dhe se secili edicion do të jetë edhe më befasues.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë rinj, familjarë, turistë e kalimtarë që rastisën në qendër të Prishtinës u bënë pjesë e së njëjtës atmosferë. Disa vallëzonin në rreshtat e parë, të tjerë ndiqnin koncertin nga shkallët përreth, ndërsa shumë të tjerë filmonin momentet me telefonat e tyre. Nuk munguan as brohoritjet pas çdo interpretimi, që krijuan ndjesinë e një feste pa formalitete dhe pa distancë midis artistëve e publikut.
“Po e rikthejmë festivalin, sepse ndiejmë që qytetit po i mungon festa kolektive, lidhja njerëzore dhe muzika e sinqertë e papërpunuar. Po na mungojnë ato mbledhje që u përkasin njerëzve, ku kultura, komuniteti dhe muzika bashkohen natyrshëm. ‘Erdhlezeti’ për ne ka qenë gjithmonë më shumë se festival. Është pikë takimi, kujtim dhe festim i shpirtit të qytetit”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Programi nisi me grupet vendore “La Fazani”, “Hawolf” dhe “Rilindja”, të cilat sollën tinguj të rockut alternativ dhe muzikës moderne shqipe, duke e ndezur gradualisht atmosferën.

Kur në skenë u ngjit “Antwerp Gipsy Ska Orkestra”, atmosfera ka marrë një tjetër ritëm. Ska, reggae dhe muzika tradicionale rome janë ndërthurur në një performancë plot energji, ku instrumentet frymore kanë dominuar çdo interpretim. Publiku ka reaguar menjëherë, duke kërcyer në ritmet ballkanike të përziera me frymën perëndimore që karakterizon bendin belg.
Gregor Engelen, lideri i “Antwerp Gipsy Ska Orkestra”, e ka përshkruar koncertin në Prishtinë si realizimin e një dëshire shumëvjeçare.
“Na u deshën 24 vjet për të ardhur këtu. Është një nder i madh. Dje kemi qenë në Shkup, sot jemi në Prishtinë”, ka treguar ai.
Ka bërë me dije se lidhja me Kosovën kishte nisur shumë vjet më parë përmes organizatorit të festivalit, Bajram Kinolli-Kafu.
“Fillimisht dukeshin pak të çuditshëm, por ne e njohim organizatorin, Kafun, këngëtarin e ‘Gypsy Grooves’, prej 15 vjetësh. U takuam herën e parë në Rumani, në një festival romësh në Rumani. Më në fund, pas 15 vjetësh mund të luajmë në Prishtinë. Është një nder i madh. Na u deshën 24 vjet për të ardhur këtu”, është shprehur këngëtari e trumbetisti belg.
Sipas tij, krijimi i bendit ishte frymëzuar nga muzika ballkanike që kishte zbuluar përmes filmave të Emir Kusturicës dhe muzikës së Goran Bregoviqit.
“Të jem i sinqertë, unë jam trumbetist, filloj me këtë lloj muzike. Jam udhëheqës i një grupi tunxhi, grup antifashist militant i tunxhit për 25 vjet. Fillova të luaj në grup tunxhi 25 vjet më parë. Më pas bëra Orkestrën e romëve të Antwerpit. Sepse e kam parë një film nga Emir Kisturica dhe Goran Bregoviq në vitin 1995. Dhe dëgjoj muzikën ballkanike rome. Jam befasuar nga ajo dhe kam thënë se dua të kem grupin tim të tunxhit”, ka thënë ai.
Është shprehur se ndonëse nuk është rom, për më shumë se 25 vjet ka bashkëpunuar me muzikantë të këtij komuniteti nga vende të ndryshme të Ballkanit.
“Për mua është nder i madh të jem këtu. Kam punuar me muzikantë nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Rumania e Bullgaria”, ka thënë ai duke përmendur si frymëzimet e tij Shaban Bajramoviqin, Esma Rexhepovën, Orkestrën e Koçanit, Marko e Boban Markoviqin dhe Fanfare Ciocărlia, artistë që, sipas tij, e kanë formësuar mënyrën se si e kupton muzikën rome.
Mbrëmja ka kulmuar me paraqitjen e “Demir Kan Brass Orchestra” nga Shkupi. Me tetë instrumentistë në skenë, orkestra solli fuqinë karakteristike të muzikës rome ballkanike. Festa nisi papritmas që nga hyrja në hapësirën ku u mbajt ngjarja e deri te skena, duke mbledhur gjithë publikun përreth ansamblit. Tingulli i instrumenteve frymore e daulles ka krijuar energjinë që u përhap në të gjithë sheshin.
Lideri i bendit, Demir Kanturovsky, ka thënë se repertori ishte zgjedhur enkas për ta sjellë frymën autentike rome.
“Ne zgjodhëm për këtë natë repertorin rom. Ne jemi grup tunxhi nga Maqedonia e Veriut dhe jemi romë. Kjo është arsyeja kryesore që duam ta kultivojmë këtë muzikë”, ka thënë ai në fillim.
Sipas tij, çdo koncert është një shkëmbim energjie me publikun.
“Sa herë që dalim jashtë nga vendi ynë, duam të marrim pak nga secili vend tjetër dhe mendoj se kjo bën një energji shumë të mirë. Ky ishte një moment i vogël nga shfaqja jonë. Kjo muzikë ka rima shumë të forta, melodi shumë të forta dhe duhet të jesh një muzikant më kreativ që të mund t’ia dalësh”, ka thënë ai.
Ndërsa për numrin e madh të anëtarëve të bendit ka thënë se pikërisht kjo është arsyeja pse koncertet e tyre kanë intensitet të veçantë.
“Kjo e bën më energjike dhe kjo muzikë ka nevojë për këtë energji”, ka thënë ai.
Për drejtorin e festivalit, Bajram Kinolli – Kafu rikthimi nuk ka qenë vetëm vazhdim i një organizimi kulturor, por edhe fillimi i një kapitulli të ri pas një pauze që, sipas tij, kishte ardhur nga nevoja për reflektim personal.
“Nuk do ta quaja specifike që bëjmë vetëm muzikë rome. Është muzikë e përzier me infuzion të llojeve e zhanreve të ndryshme, që të përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Për atë arsye e përfunduam festivalin me një bend rom nga Maqedonia. Shihemi vitin tjetër me shumë befasi të mëdha. U kthyem pas tre vjetësh, tash fillojmë një etapë të re, shumë të mirë, me bende të reja”, ka thënë ai.
Për disa orë, hapësira që zakonisht shërben veç për kalimtarë, u bë vend i muzikës, vallëzimit dhe takimit midis njerëzve.