Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“DokuNights” rikthehet në zanafillë në festën e 25-vjetorit

Hapësira e “Andrra Stage” është mbushur me publikun e festivalit, ndërsa muzika ka nisur me një interpretim që e ka vendosur pianon në qendër të një repertori të njohur për skenën hip-hop (Foto: DokuFest)

Hapësira e “Andrra Stage” është mbushur me publikun e festivalit, ndërsa muzika ka nisur me një interpretim që e ka vendosur pianon në qendër të një repertori të njohur për skenën hip-hop (Foto: DokuFest)

“DokuNights” rikthehet në një prej hapësirave ikonike të netëve muzikore të “DokuFestit”. Në kuadër të 25-vjetorit të festivalit, “Andrra Stage” është ringjallur me një natë kushtuar hip-hopit dhe muzikës eksperimentale, duke sjellë në skenë artistë vendorë dhe qasje të ndryshme ndaj këtij zhanri. Nga pianoja e Liburn Jupollit, te performanca e Llunit dhe DJ-seti i Marshall Jungle, nata ka rikthyer jo vetëm muzikën, por edhe kujtimet e një hapësire të rëndësishme në historinë e festivalit

Pas disa vjetësh të shpërndara në hapësira të ndryshme të Prizrenit dhe me ndryshime në format, programi muzikor i “DokuFestit” është rikthyer në hapësirën dhe konceptin që e shoqëruan në vjetët e para. “Andrra Stage”, një prej hapësirave që ndër vjet është lidhur me netët muzikore të festivalit ndërkombëtar, të filmit dokumentar dhe të shkurtër, të enjten mbrëma ka mirëpritur një natë të ndërtuar rreth hip-hopit dhe muzikës eksperimentale.

Mbrëmja, pjesë e programit “DokuNights”, ka bashkuar tre artistë vendorë me qasje të ndryshme ndaj hip-hopit: kompozitorin dhe multi-instrumentistin, Liburn Jupolli, reperin Lluni dhe DJ-in Asdren Zogaj, i njohur me emrin skenik Marshall Jungle.

Hapësira e “Andrra Stage” është mbushur me publikun e festivalit, ndërsa muzika ka nisur me një interpretim që e ka vendosur pianon në qendër të një repertori të njohur për skenën hip-hop. Liburn Jupolli ka sjellë një set të ndërtuar nga rreth 40 këngë, të ndërthurura në formën e një kolazhi, nga hitet ndërkombëtare dhe vendore të viteve ’80 e deri te ato më të reja.

“Sot jemi fokusuar në hip-hop. Ka qenë ide e organizatorëve të jetë një set-listë që e kemi pasur shumë moti. Një herë e kam luajtur. Pak a shumë janë diku 40 këngë që janë të bëra si ‘medley’. Tash me Inteligjencë Artificiale po mundem edhe t’i ndaj prej kanaleve live”, ka thënë Jupolli.

Në vend të vokalit origjinal të këngëve, ai ka përdorur pianon për të rikrijuar dhe lidhur fragmente nga këngë të ndryshme. Në disa momente, muzika është kthyer në vazhdim të vargjeve, ndërsa në të tjera interpretimi është larguar nga struktura e drejtpërdrejtë e hip-hopit për të marrë kahje të improvizimit dhe jazzit.

Edhe “DokuFest” në prag të çerekshekullit me filmin si kujtesë e mosbindje Kulturë “DokuFest” në prag të çerekshekullit me filmin si kujtesë e mosbindje

“E kam bërë një set goxha dinamik me hip-hop prej viteve ’80 deri sot, ku ka hip-hop ndërkombëtar dhe vendor. Në të njëjtën kohë, me këto këngë unë luaj në piano”, ka treguar ai.

Për Jupollin, lidhja mes dy zhanreve nuk është e rastësishme.

“Hip-hopi dhe jazzi janë bashkë. Jazzi ka dalë prej ‘blues-it’, ‘bluesi’ dhe jazz janë shumë integral për zhvillimin e hip-hopit, kështu që shkon shumë. Shumë prej ekstrakteve që përdoren në hip-hop janë prej këngëve blues ose jazz, kështu që ka qenë shumë lehtë të integrohen këto të dyja bashkë. Në momente të ndryshme e ndal vokalin dhe luaj me piano”, ka thënë ai.

Pas këtij interpretimi, skena i është lënë Llunit. I njohur për punën e tij në hip-hop dhe rap, ai ka sjellë në “Andrra Stage” repertorin e vet, duke i interpretuar këngët krejtësisht live. Përballë publikut të festivalit, Lluni ka shfaqur një performancë energjike, të mbështetur në ritmin dhe tekstet e këngëve të tij.

Artisti nga Kosova është i njohur për ndërthurjen e rapit bashkëkohor me elemente të muzikës shqipe dhe ka bashkëpunuar me emra të skenës shqiptare si Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Blleki, Semiautomatik, Erno, Elinel dhe Rina Balaj. Në repertorin e tij bëjnë pjesë këngë si “Narcos Albania”, “Rick Ross”, “Mario & Luigi”, “In My Zone” dhe “JBMTQR”.

Në mbyllje, atmosfera e natës është zhvendosur drejt formatit të DJ-setit. Pas tij është ngjitur Asdren Zogaj, i njohur si Marshall Jungle, një prej figurave të hershme të DJ hip-hop në Kosovë. Me më shumë se dy dekada, Zogaj ka nisur rrugëtimin si DJ në moshën 16-vjeçare dhe ndër vjet është bërë pjesë e rëndësishme e skenës së hip-hopit në Kosovë, përfshirë edhe periudhën e tij të gjatë si DJ i “labelit” të dikurshëm “BABASTARS”.

Edhe “Siparantum” drejt Malajzisë në festivalin ku bashkohen 200 kore Kulturë “Siparantum” drejt Malajzisë në festivalin ku bashkohen 200 kore

Ai ka performuar në klube, festivale dhe koncerte në Kosovë, Evropë e Shtetet e Bashkuara, ndërsa gjatë karrierës ka ndarë skenën me artistë ndërkombëtarë si 50 Cent, Rick Ross, Fat Joe, DJ Premier dhe DJ Whoo Kid.

Treshja e kësaj nate është pjesë e konceptit të “DokuNights”, i cili këtë vit e vendos sërish skenën lokale në qendër të programit muzikor. Kuruesi i “DokuNights”, Leart Rama, ka thënë se artistët vendorë kanë qenë gjithmonë pjesë e identitetit të këtij programi.

“Çdo vit, ‘DokuNightsi’ i mirëfilltë, prej edicioneve të para kur nuk ka ekzistuar as ‘Andrra Stage’, hapësirën kryesore e kanë pasur artistët lokalë. Derisa ka nisur të rritet ‘DokuNights’, në fillim ka pasur vetëm artistë lokalë e më pas ka nisur të bëhet një kombinim interesant midis tyre dhe ndërkombëtarëve që deri diku na kanë inspiruar ne dhe artistët tjerë që performojnë bashkë me ta. Si çdo vit, edhe sivjet kemi vend për këta artistë, sepse ne rritemi bashkë dhe zhvillojmë art së bashku”, ka thënë Rama.

Sipas tij, nata e së enjtes është konceptuar si një takim mes hip-hopit, muzikës eksperimentale dhe mënyrave të ndryshme të interpretimit të zhanrit.

“Këtë vit kemi artistë të ndryshëm, por tani që po flasim është një natë e hip-hopit dhe muzikës eksperimentale, por edhe hip-hopit në një mënyrë ndryshe. Për shembull, Liburn Jupolli që njihet për novacion dhe shpikje të instrumenteve të ndryshme, sot vjen me një projekt shumë interesant ku luan hip-hop përmes pianos, e që mendoj se nuk e kemi parë më herët. Përveç tij është Marshall Jungle, si një prej pionierëve të DJ-ve të hip-hopit si dhe Llunin, një prej hip-hop artistëve të rinj që është shumë i dashur për publikun”, ka thënë ai.

Rikthimi i “Andrra Stage” këtë vit ka edhe një dimension simbolik për festivalin, pasi përkon me 25-vjetorin e “DokuFestit. Për Ramën, rikthimi i kësaj hapësire lidhet me kujtesën kolektive të festivalit dhe me historinë e marrëdhënieve që janë krijuar rreth tij.

Edhe John Crowley – romancieri që ndërthuri realitetin dhe ëndrrën Kulturë John Crowley – romancieri që ndërthuri realitetin dhe ëndrrën

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që për 25-vjetorin të paktën, ta kthejmë ‘Andrra Stage’, sepse këtu kanë lindur shoqëri të ndryshme, kujtime të bukura, dhe më duket se asnjëherë nuk ka qenë koha më e mirë se këtë vit për ta rikthyer ‘Andrra Stage’ për ta festuar edhe 25-vjetorin edhe rikthimin e ‘DokuNights’ këtu”, ka thënë Rama.

Në hapësirën që dikur ishte një prej pikave të rëndësishme të netëve të festivalit, muzika është shndërruar sërish në pikëtakim nostalgjik për atë që ka qenë dhe formave të reja përmes të cilave skena lokale vazhdon të krijojë.