Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Palace of Youth” si kolonë zanore e artit të Kosovës që kërkon liri

Dokumentari “Palace of Youth” shpesh e vendos në kontrast lirinë e premtuar pas luftës me realitetin

Dokumentari “Palace of Youth” shpesh e vendos në kontrast lirinë e premtuar pas luftës me realitetin

Nga titulli, ngjan të fokusohet në një nga hapësirat më ikonike të Prishtinës – Pallati i Rinisë dhe Sporteve. Por në thelb, është i gjithë qyteti si pallat që strehon të rinjtë që përplasen çdo ditë me sfida e thyejnë muret e izolimit. “Palace of Youth” nën regji të Maddie Gwinn, me Rita Orën si producente ekzekutive, gjurmon jetën e një pjese të artistëve të rinj që përplasen me kufizime sociale, ekonomike e politike në vendin që ende bart plagët e luftës. Është si një kolonë zanore e artit që lirinë e ka domosdoshmëri

Filmi dokumentar “Palace of Youth” nën regji të Maddie Gwinn dhe me yllin botëror Rita Ora si producente ekzekutive, është rrëfimi për skenën alternative të muzikës dhe artit në Kosovën e pasluftës. Diskutimi për filmin me regjisoren Gwinn e muzikantin Donat Vatoci, që është njëri nga protagonistët e dokumentarit, ka rrjedhur si kronologji e ngjarjes deri te koncerti nga bendi “Zwada” duke kapërcyer nga vizualja te realiteti i hapësirës kulturore: pasioni për muzikë dhe skena alternative si ndër hapësirat e vetme për shprehje artistike.

Të enjten në kafe-galerinë “Lavjerr’S” rrëfimi filmik ka sjellë edhe jetën e një pjese të artistëve të rinj në Prishtinë që përplasen me kufizime sociale, ekonomike e politike në vendin që ende bart plagët e luftës. Filmi ndërthur muzikën, protestën, izolimin me viza dhe kërkimin e identitetit artistik në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hyrja e dokumentarit vjen në formë retrospektive, duke e kthyer vëmendjen te Kosova pas ndërhyrjes së NATO-s dhe energjia e rinisë që kishte nisur të krijonte hapësira alternative për art e muzikë. Hapësira ku sot ndodhet teatri “Oda” në përdhesen e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve paraqitet si një nga vendet ku mblidhej rinia e pasluftës. Brenda këtij rrëfimi, Suada Abazi vjen si një prej figurave qendrore të skenës alternative muzikore.

“Ndihem shumë e lidhur me këtë vend. Filloi vetëm me mua dhe me njerëzit që nuk kishin ku të ushtronin”, thotë ajo në dokumentar, pak para një skene ku policia ndërhyn për prishje të qetësisë në lagje.

Nga titulli, ngjan të fokusohet në një nga hapësirat më ikonike të Prishtinës – Pallati i Rinisë dhe Sporteve. Por në thelb, është i gjithë qyteti si pallat që strehon të rinjtë që përplasen çdo ditë me sfida.

Dokumentari shpesh e vendos në kontrast lirinë e premtuar pas luftës me realitetin e izolimit. Në një moment thuhet se në kohën e ish-Jugosllavisë, prindërit e protagonistëve kanë qenë më të lirë sesa janë vetë ata sot në Kosovën e pavarësuar. U referohet kufizimeve me viza dhe ky dimension vjen më së miri nëpërmjet portretit të Lekë Morinës i cili dështon në përpjekje të njëpasnjëshme për të siguruar vizë studentore për të ndjekur studimet për muzikë në Francë.

Përmes historisë së tij, dokumentari e trajton izolimin dhe burokracinë si pengesa të vazhdueshme për të rinjtë.

“Paslufta nuk është pasluftë, është paranojë”, thuhet në një nga momentet e filmit.

Në fund të mbrëmjes, “Zwada” ka performuar live në “Lavjerr’S”

Në sfond dëgjohet edhe raportimi i KOHËS nga koncerti i Rita Orës më 2018 në Prishtinë, ndërsa vetë këngëtarja me famë botërore, në një ndjejë private, shfaqet duke interpretuar në shqip këngën e “Falma hanën” bashkë me autoren e këngës, Suada Abazi, lidere e bendit “Zwada”.

Në anën tjetër, rrëfimi për Suadën kulmon me ngjitjen e saj në skenën e festivalit “Sunny Hill”, si një prej shenjave të suksesit. Por filmi nuk mbetet vetëm tek ata që arrijnë të depërtojnë. Aty është edhe Donat Vatoci që luan vazhdimisht në kitarë brenda apartamentit të tij, me pamje nga zymtësia e një ndërtese përballë, shfaqet si simbol i artistëve të padëgjuar të qytetit – atyre që mbesin brenda mureve të tyre.

Por më në fund, krijimet e tij, në të cilat vetë ishte interpretues e vetë publik, i bën të jehojnë duke i luajtur bashkë me bendin “The Milk Snatchers” para audiencës së gjerë.

Dokumentari përfshin edhe skena nga ekspozita “Intrusive Bodies” e artistes Edona Vatovci në hotelin “Grand”, si dhe takimin e Rita Orës me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku diskutohet për skenën muzikore të qytetit dhe potencialin kulturor të tij.

Regjisorja Maddie Gwinn ka treguar se ideja për filmin kishte lindur krejt rastësisht gjatë një udhëtimi në Ballkan.

“Në fakt erdha këtu në Ballkan në udhëtimin tim me çantë shpine. Isha duke hulumtuar për tezën time që e kam bërë në kolegj për lëvizjet kulturore nën komunizëm, dhe kështu që doja ta zgjeroja hulumtimin në Jugosllavi, sepse ishte një situatë tjetër. Dikush në Shkup më tregoi për Prishtinën, se është një skenë e bukur arti që po lulëzon dhe po përshtatet me hulumtimet e mia, por unë po hulumtoja gjëra në të kaluarën, por kjo po ndodhte tani. Dhe si kineaste, thashë se kjo mund të jetë interesante për t’u ndjekur si temë. Dhe vetëm katër vjet më vonë u ktheva, dhe ne thjesht kemi punuar për idenë që atëherë”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se “Palace of Youth” është filmi i saj i parë i gjatë. “Po, është filmi im i parë i gjatë”, ka thënë Gwinn.

Sipas saj, reagimet e publikut kanë ndryshuar varësisht prej vendeve ku është shfaqur filmi.

“Ishim në Zürich në ‘Kino Kosova’, gjë që ishte e mrekullueshme të shihje një këndvështrim tjetër të audiencës. E kam shfaqur edhe në shfaqje private në SHBA dhe është mirë të dish se si mund të transformohet për audienca të ndryshme. Ne po flisnim më herët se si audienca të ndryshme qeshin me pjesë të ndryshme, dhe mendoj se ju, duke qenë nga këtu, kuptoni nuanca të imëta që njerëzit ndërkombëtarisht nuk i kuptojnë. Kështu që ata janë shumë më të tronditur, veçanërisht nga situata e vizave. Dhe marr shumë komente që thonë, ‘si, nuk e kisha idenë se ishte kaq e kufizuar’”, ka thënë ajo.

Regjisorja ka theksuar se qëllimi i filmit nuk ka qenë politika në vetvete, por njerëzit prapa saj.

“Ky është edhe qëllimi i filmit, të tregojë se ka pasur një arsye, duke u përpjekur të tregojmë se politika është thjesht zhurmë, dhe se njerëzit këtu, si artistë, thjesht po përpiqen të bëjnë muzikën e tyre”, ka thënë ajo.

Për një nga skenat më simbolike të filmit, një protestë ndaj krimeve të luftës, Gwinn ka përshkruar edhe pjesën teknike. Ka thënë se ka qenë shkrepje magjike. E kjo dallohet edhe në film teksa kamera nga një fokus shkon te tjetri duke kapur tensionin midis protestuesve dhe policisë.

“Është si një shkrepje magjike që e kemi kapur së bashku, por kam punuar me Enes Saraçin, i cili është montazher i shkëlqyer prej këtu. Ajo skenë ishte më e vështira, sepse ka edhe një përjashtim nga rregulli, që është e vetmja këngë që luhet derisa nuk i shohim muzikantët duke luajtur. Ne menduam se ajo këngë ishte si, me grindjet, me zhurmat e protestës, ishte disi simbolikisht në përputhje me temën e filmit”, ka thënë ajo.

Donat Vatoci ka treguar se bashkëpunimi me regjisoren kishte nisur pas një artikulli të shkruar prej tij për të rinjtë kreativë në Kosovë.

“E shkrova një artikull për të rinjtë kreativë të Kosovës dhe Maddie e lexoi atë. Kur ajo erdhi në Kosovë më kontaktoi paraprakisht. Kur ajo erdhi këtu, kisha humbur flokët, kështu që mezi më njohu. Dhe kështu kur u takuam për herë të parë, thashë, po, unë jam ai djali, thjesht, me pak flokë. Ajo më tregoi për projektin dhe u deshën rreth tre vjet për ta arritur këtu”, ka treguar ai.

Këngëtarja Edona Vatoci është personazhi tjetër në dokumentar që sjell dimensionin më personal e psikologjik, duke u rikthyer në muzikë pas heshtjes së gjatë dhe duke u përballur me hijet e së kaluarës.

Nol Sahatçiu, që menaxhon me “Lavjerr’S”, e ka vlerësuar mënyrën se si filmi i trajton tensionet dhe sfidat e personazheve.

“Mendoj se është bërë shumë mirë edhe mënyra se si tregon historitë është vërtet e bukur, si sfidat dhe tensionet e filmit dhe gjithçka”, ka thënë ai.

Në diskutimin me publikun, Gwinn ka treguar edhe për raportin e Rita Orës me projektin, duke thënë se vetë këngëtarja kishte shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e filmit dhe për të kontribuar në të.

Ajo ka thënë se gjithashtu do të donte që projekti i radhës i saj të ishte një film që për tematikë do të kishte raportet midis ShBA-së dhe Kosovës që nga vitet ’90 e deri më tash. “Gjërat kanë ndryshuar, mendoj”, ka thënë Gwinn.

Me filmin e saj dokumentar “Palace of Youth” pati fituar Çmimin e Publikut në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në edicionin e kaluar. Aty pati edhe premierën botërore. E shfaqja e filmit në platenë e “DokuKinos” kishte qenë krejtësisht me ftesa dhe pa praninë e mediave.

Në fund të mbrëmjes, “Zwada” ka performuar live në “Lavjerr’S”. Këngët që në film janë si kolonë zanore e brezit të mbërthyer midis ëndrrës dhe kufijve, erdhën përballë publikut, kësaj here, pas vështrimit mbi historitë e prapaskenat e krijimit të tyre.