Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abazi: Qëllimi i Ramës është ta fëlliqë Prishtinën

Berita Abazi, asambliste e Vetëvendosjes në Prishtinë

Berita Abazi, asambliste e Vetëvendosjes në Prishtinë, ka akuzuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, për “qeverisje që synon ta fëlliqë Prishtinën”.

Në emisionin “tre8tre”, Abazi ka thënë se në Prishtinë ka arsye të shumta për protestë ndaj udhëheqjes aktuale. Sipas Abazit, problemi me mbeturinat, rreziku për humbjen e projektit për ngrohjen dhe telashet financiare me Ndërmarrjen Publike Banesore janë vetëm disa prej arsyeve pse duhet të ketë protesta në kryeqytet.

“Qëllimi i Ramës është që ta fëlliqë Prishtinën, që ta bëjë më të papastër dhe kjo është e patolerueshme. Nuk e kuptoj se si nuk ka asnjë keqardhje, asnjë ndjeshmëri për qytetarët”, ka thënë ajo duke shtuar se pret revoltë qytetare ndaj “shkatërrimit të qytetit, betonizimit dhe mbulimit nga mbeturinat”.

“Dikur është mjaft”, ka thënë ajo.

Kryeqyteti dhe komunat përreth tij janë përballur në vitet e fundit vazhdimisht me problemin e mosgrumbullimit të mbeturinave.

Disa komuna, ku operon ndërmarrja “Pastrimi”, kanë shpallur gjendje emergjente.

E javën e kaluar, kryetari Përparim Rama, bashkë me kryetarin e Lipjanit dhe atë të Drenasit, kanë thënë se për të përmirësuar këtë gjendje janë pajtuar që përgjegjësia për pastrimin e mbeturinave të rikthehet te komunat.