Dy filmat nga Kosova që aktualisht janë kandidatë për nominim për “Oscar” secili në mënyrën e vet, e sjellin Kosovën në qendër të rrëfimit kinematografik, por njëkohësisht dëshmojnë për një kinematografi vendore që tashmë po udhëton me sukses në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. E premierat e tyre në Prishtinë e bëjnë edicionin e sivjetmë të “PriFest” veçanërisht domethënës për publikun vendor
Prishtina do të bëhet sërish, për gjashtë ditë, një prej pikave të rëndësishme të kinemasë rajonale, me edicionin e 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, i cili zhvillohet nga 8 deri më 13 shtator. Në qendër të këtij edicioni janë dy prej filmave vendorë më të ekspozuar ndërkombëtarisht gjatë këtij viti – “Dua” i Blerta Bashollit dhe “Shame and Money” i Visar Morinës – të cilët do të kenë premierat vendore në kuadër të festivalit.
Në edicion që synon të ndërthurë kinemanë vendore me atë ballkanike dhe ndërkombëtare, “PriFest” e nis programin me “Dua”, filmin e ri të Bashollit, i cili pas premierës botërore në “Semaine de la Critique” në Festivalin e Kanës u nderua me Çmimin SACD. Së fundi u shfaq premierë rajonale në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Vendosur në Prishtinën e fundit të viteve ’90, filmi ndjek Duan, një vajzë 13-vjeçare, në një kohë kur tensionet etnike dhe kërcënimi i luftës gjithnjë e më shumë ndërhyjnë në jetën e saj të përditshme.
Kthimi i filmit në qytetin ku zhvillohet historia e tij i jep premierës së “Duas” në “PriFest” edhe një dimension përtej atij të festivalit. Pas rrugëtimit ndërkombëtar që e ka vendosur filmin në vëmendjen e kritikës dhe festivaleve, ai kthehet në Prishtinë për t’u parë për herë të parë në vendin e origjinës së historisë që rrëfen.
“Për ne është kënaqësi e veçantë kur kemi në garë, kur producentët e filmave tanë ruajnë premierat e tyre për ‘PriFest’. Kjo edhe na nderon, por mundohemi edhe ne që ta nderojmë e respektojmë kinematografinë tonë me një lloj mbështetjeje të veçantë. Është e dyanshme dhe ne na gëzon fakti që Festivalin do ta hapim me një film si ‘Dua’, një film që ka pasur premierën në Cannes dhe është shpërblyer atje”, ka thënë drejtori i “PriFestit”, Fatos Berisha, në një bisedë për KOHËN.
Në program është edhe “Shame and Money” i Visar Morinës, një tjetër film që ka kaluar përtej kufijve të Kosovës dhe është shndërruar në një prej titujve më të rëndësishëm të kinematografisë së Kosovës gjatë këtij viti. Filmi, i realizuar si bashkëprodhim mes Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës, pati premierën botërore në Festivalin e Filmit “Sundance”, ku fitoi “Grand Jury Prize” në kategorinë “World Cinema Dramatic”.
Edhe
Cannes për “Duan”, histori suksesi që nis me çmim
Morina, i njohur ndërkombëtarisht edhe për filmat “Babai” dhe “Exile”, në “Shame and Money” e zhvendos vëmendjen te një familje nga Kosova rurale që, pasi humb mjetet e jetesës, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë.
Të dy filmat, secili në mënyrën e vet, e sjellin Kosovën në qendër të rrëfimit kinematografik, por njëkohësisht dëshmojnë për një kinematografi vendore që tashmë po udhëton me sukses në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. E premierat e tyre në Prishtinë e bëjnë edicionin e sivjetmë të “PriFest” veçanërisht domethënës për publikun vendor.
“Përgatitjet janë në vlugun e punës. Janë dy javë nga festivali. Programet janë mbyllur, juritë janë të kompletuara. Përgatitjet e fundit janë teknike dhe pjesa e sponsorëve që të jetë sa më i mirë organizimi. Vazhdon puna me mysafirët, këto çështje organizative që janë më të lodhshme realisht. Mund të them se jemi gati sa i përket pjesës përmbajtësore të Festivalit, ndërsa sa i përket organizimit, deri në ditën e fundit ka punë”, ka thënë Berisha.
Përtej filmave vendorë, edicioni i 18-të që edhe sivjet mbahet nën motot “For Her” dhe “Forever. Vjosa” dedikuar producentes së ndjerë, Vjosa Berisha, sjell programin e ndërtuar mbi garat filmike dhe shkëmbimin ndërkombëtar.
“PriFest” zhvillon gara në kategorinë kryesore të filmave të gjatë ballkanikë, ndërsa programi përfshin edhe filma të metrazhit të mesëm dhe të shkurtër. Festivalit i janë bashkuar ndër vite edhe programe të tjera konkurruese e jokonkurruese, me synim zgjerimin e hapësirës për filma nga Kosova, rajoni dhe skena ndërkombëtare.
Edhe
Elton John, Oprah Winfrey dhe Paul McCartney i japin lamtumirën Dolly Partonit
Këtë vit, në fokus është Zvicra, e cila do të përfaqësohet përmes filmave dhe pjesëmarrjes së profesionistëve të saj në programet e festivalit.
“Çdo vit e kemi në fokus një shtet, siç ka ndodhur me Ukrainën, me Austrinë e kështu me radhë, sivjet e kemi Zvicrën. Pra, ky shtet do të jetë prezent me filma, me anëtarë të jurisë, në këtë formë pra”, ka treguar Berisha.
Pjesë e jurisë së kategorisë kryesore, asaj të Filmave të Gjatë Ballkanikë ku bëjnë pjesë edhe dy filmat vendorë, janë Sarah Schiesser, e cila ka formim në studime politike, sociale dhe mediale dhe një interes të veçantë për kinemanë dhe praktikat artistike; Marten Rabarts, drejtues i “IFFR Pro” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam; si dhe Olena Morentsova-Shulyk, shkrimtare, skenariste, producente dhe mentore ukrainase.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së festivalit është edhe “PriGlobal”, programi i cili këtë vit i ka zhvilluar aktivitetet nga 20 deri më 22 gusht, duke e zgjeruar aktivitetin e “PriFest” përtej ditëve të shfaqjeve filmike të shtatorit.
“Do të jetë një javë e mbushur me filma edhe shqiptarë, por edhe nga rajoni. Do të jenë interesant për publikun pasi do të ketë një kureshtje midis tyre”, ka thënë Berisha.
Edhe
Kapërcimi i poshtërimit me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit
“PriFest” i 18-të vjen në një moment kur kinematografia e Kosovës po përjeton një prej periudhave më të dukshme të pranisë së saj ndërkombëtare.
“PriFest”, i themeluar më 2008, është një prej ngjarjeve kryesore të filmit në Kosovë dhe është ndërtuar ndër vite si një platformë për filmin vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, duke ndërthurur programet konkurruese me aktivitetet e industrisë së filmit.