Dy filmat nga Kosova, “Dua”, në regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, në regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.
Në këtë fazë, anëtarët e Akademisë Evropiane të Filmit, pjesë e së cilës janë edhe aktorë, regjisorë e producentë nga Kosova, do të votojnë për nominimet, të cilat do të shpallen më 14 nëntor. Çmimet ndahen më 16 janar 2027 në Athinë. Në kategorinë e filmit artistik, në listën e shpallur të mërkurën nga “European Film Academy”, janë edhe 42 filma të tjerë. Çmimet e EFA-s në botën e filmit konsiderohen si “Oscarë” evropianë.
“Përzgjedhja e të dy filmave dëshmon praninë gjithnjë e më të spikatur të kineastëve nga Kosova në kinemanë evropiane”, ka shkruar Qendra Kinematografike e Kosovës në një postim ku ka bërë të ditur lajmin.
Në fillim të kësaj jave, “Dua” mori edhe tri çmime në edicionin e 14-të të “Waterloo Historical Film Festival”, që mbahet në Belgjikë. Aktorja Pinea Matoshi, e cila luan rolin kryesor në film, u shpërblye me Çmimin për aktoren më të mirë. Filmi u vlerësua gjithashtu për rikonstruksionin më të mirë artistik dhe mori Çmimin e jurisë së të rinjve.
Sivjet, Kosova ka dy shanse për të garuar për çmimin më të madh në botën e kinematografisë, atë “Oscar”, pikërisht me filmat “Dua” dhe “Shame and Money”. I pari është kandidati zyrtar i vendit për këtë çmim, ndërsa i dyti ka siguruar rrugën drejt garës falë suksesit në Festivalin e Filmit Sundance dhe ndryshimeve në rregulloren e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit.
“Dua”, skenarin e së cilës e kanë shkruar Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat, sjell në ekran një realitet të përjetuar nga shumë adoleshentë, të cilët u rritën në Kosovën e viteve ’90, mes pasigurive dhe sfidave të asaj periudhe.
Ndërkaq, “Shame and Money”, me skenar të Visar Morinës dhe Doruntina Bashës, rrëfen historinë e një familjeje kosovare, e cila detyrohet të shpërngulet nga fshati në kryeqytet, në kërkim të një vendi dhe të një jete më të mirë në një shoqëri të dominuar nga logjika kapitaliste.
Vitin e kaluar “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës qe në listë të ngushtë në kategorinë e filmit të shkurtër. Në atë që konsiderohet si “Oscari” i Evropës, “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda në vitin 2021 u nominua bashkë me katër filma të tjerë për Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër evropian. Kandidat qe edhe me “Në mes” më 2019. Më 2016, aty qe i nominuar “Home” i Daniel Mulloyt, një bashkëprodhim midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
“Sentimental Value” në regji të Joachim Trier nga Norvegjia, mori çmimin kryesor në edicionin e sivjetmë. Vitin që vjen mbahet edicioni i 39-të i “European Films Awards”.
Themelimi i Akademisë Evropiane të Filmit ishte iniciativa e një grupi kineastësh të Evropës, të mbledhur së bashku me rastin e ceremonisë së parë të “Çmimit të Filmit Evropian” të mbajtur në nëntor 1988. Akademia Evropiane e Filmit u themelua përfundimisht në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë, regjisori suedez Ingmar Bergman. Akademia ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë ata që e duan kinemanë evropiane, duke kulmuar çdo vit në Muajin e Filmit Evropian dhe Çmimet e Filmit Evropian, si dhe me hapjen e Klubit të Filmit Evropian në vjeshtën e 2023-tës.