Basketboll

Klubet e basketbollit po përballen me shumë probleme

Klubet e basketbollit

Një javë me incidente serioze e zhvillime të shumta ishte për klubet e basketbollit të Kosovës.

Për tentim sulmi janë arrestuar dy persona, ndërsa është identifikuar edhe personi që goditi në fytyrë ndihmës-trajnerin e KB Bashkimit, Bledar Gjeqaj, gjatë ndeshjes së Superligës ndërmjet KB Vëllaznimit dhe KB Bashkimit, e zhvilluar të mërkurën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Të enjten e kaluar, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren në ndeshjen Bashkimi – Peja, u godit basketbollisti i KB Pejës, Dardan Berisha, të cilit iu ça vetulla.

Bashkimi u dënua nga Federata e Basketbollit e Kosovës me gjobë të majme dhe tri ndeshje si vendas me numër të kufizuar të shikuesve, për shkak të incidentit që ndodhi të enjten.

Pas incidentit në Gjakovë, Federata të enjten doli me reagim, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe duke paralajmëruar zero tolerancë ndaj dhunës në palestra. FBK ka bërë të ditur se klubi nikoqir do të ndëshkohet për organizim të dobët të ndeshjes, ndërsa ndaj tij do të merren masa të rënda disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi.

“Federata paralajmëron se përsëritja e incidenteve të kësaj natyre do të sjellë masa edhe më drastike, përfshirë mbylljen e palestrave, zhvillimin e ndeshjeve pa publik, humbjen e ndeshjeve me rezultat zyrtar dhe referimin e rasteve tek institucionet kompetente. Basketbolli nuk do të tolerojë dhunën.

Federata e Basketbollit e Kosovës do të veprojë me vendosmëri të plotë për të mbrojtur sigurinë, integritetin dhe dinjitetin e garave të saj”, shkruan në reagimin e FBK-së.

Të mërkurën zhvillime kishte edhe në klubin me më së shumti trofe në vend, Sigal Prishtina.

Zgjedhja e Bekë Berisha kryetar i KB Prishtina, u përcoll me reagime të shumta. Më të ashpër në reagim ishin tifo-grupi “Plisat”. Anëtari i “Plisave” votoi kundër. Po ashtu ka votuar kundër edhe një delegat i klubit, ndërsa një tjetër ka abstenuar. 

“Plisat” e kanë vlerësuar zgjedhjen e Berishës kryetar si “ngjarje të turpshme në histori të sportit të kryeqytetit”.
Sipas tyre, Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të ri të klubit do të anulohet, pasi sipas “Plisave”, është i paligjshëm.

FBK-ja edhe të hënën kishte dalë me njoftim që kishte të bëjë me mospresketim të rregullave, përkatësisht të ligjit që ndalon konsumimin e duhanit dhe pijeve alkoolike në palestra.

Një ditë pas këtij njoftimi, përkatësisht të martën, skuadra e Pejës njoftoi se ka hequr dorë nga ndeshja në udhëtim me Olomouckon, që i takonte ligës ndërkombëtare, ENBL. Kjo ndeshje është dashur të luhet të martën nga ora 18:00, por pejanët nuk udhëtuan fare për në Çeki.

Heqja dorë nga ndeshjet e një lige ndërkombëtare nuk është praktikë e shpeshtë. Por Peja vendosi për këtë veprim, ndonëse vullnetshëm u bashkua me “European North Basketball League”. 

Krahas incidenteve, këtë edicion është vërejtur edhe rënie e madhe e shikueshmërisë, për çka vlerësohet shqetësuese. Por gara në parket është e fortë si kurrë më parë. 

Incidente, zhvillime të shumta ka pasur thuajse çdo vit në sportin e basketbollit. Të tjera zhvillime pritet të ketë në klubet e basketbollit.