Basketboll

Bashkimi e paguan rëndë incidentin në ndeshjen me Pejën

bash

Bashkimi do të paguajë gjobë të majme dhe do t’i luajë tri ndeshjet e ardhshme si vendas me numër të kufizuar të shikuesve, për shkak të incidentit që ndodhi të enjten mbrëma.

Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi e priti Pejën në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. Në çerekun e dytë kishte hedhje të mjeteve të forta në parket nga ana e shikuesve. Dhe me një shkrepëse në ballë u godit Dardan Berisha, kapiten i Pejës. Ndeshja u ndërpre për rreth 40 minuta, ndërsa Berisha u kthye në lojë me një fashë në ballë. Peja njoftoi se ai ka pësuar çarje në kokë.

Për dënimin nga Federata e Basketbollit e Kosovës, Bashkimi njoftoi të premten pasdite. Klubi prizrenas është dënuar me 3200 euro dhe me zhvillimin e tri ndeshjeve si vendas pa praninë e tifozëve në tribunën ballore qëndrore të sallës.

Bashkimi thotë se hedhjet janë bërë nga 3-4 persona të papërgjegjshëm.

“Ky veprim i papranueshëm dhe vulgar nuk përfaqëson vlerat e klubit tonë, as shumicën dërrmuese të tifozëve tanë të vërtetë. Distancohemi nga veprime të tilla që më së paku përfaqësojnë klubin dhe qytetin e Prizrenit”, shkruan në njërën nga komunikatat që Bashkimi lëshoi të premten.

Bashkimi ka shkruar tutje se dënimi është “dhuratë” e hidhur nga disa individë që nuk ia duan të mirën klubit dhe që direkt po e dëmtojnë atë.

“Është momenti i fundit që të reflektojmë dhe palestrat t’i kthejmë në arena festive e sportive, e jo strehë për disa individë që thirren si tifozë, por në të vërtetë janë huliganë”, shkruan në njoftimin e klubit të portokalltë.

Klubi prizrenas ka paralajmëruar mbulimin e palestrës me kamera të sigurisë, që do të përdoren për të identifikuar personat e papërgjegjshëm dhe dënimin e tyre.

Të premten me komunikatë doli edhe Federata e Basketbollit e Kosovës. Drejtues të saj ishin të enjten mbrëma në “Sezai Surroi”.

FBK-ja e ka cilësuar incidentin si të rëndë dhe e ka dënuar ashpër atë. Goditjen me shkrepëse të Berishës, FBK-ja e cilëson “akt të rrezikshëm, të turpshëm dhe absolutisht të papranueshëm”. Komunikata e FBK-së bën të ditur se gjatë ndeshjes ka pasur edhe fyerje e sharje ndaj ekipit mysafir.

“Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është zero. Federata kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë në tribunat e tyre dhe paralajmëron se çdo përsëritje e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen do të sjellë masa drastike, përfshirë gjoba të larta, mbyllje palestrash dhe humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar”, shkruan në komunikatën e FBK-së.

Basketbolli kosovar shquhet për numrin e madh të shikuesve dhe përkrahjen e zjarrtë të tifozëve për skuadrat. Por në raste kalohet edhe kufiri, me gjithë masat që marrin klubet e po ashtu federata. Për shkak të incidenteve, tifozët mysafirë ka kohë që nuk lejohen, por incidente herë pas here ndodhin edhe me vetëm tifozët vendas në arena. Këtë edicion incidenti i së enjtes është i pari më serioz.

Zakonisht pjesa e dytë e kampionatit, përkatësisht stinori pranveror, është me rivalitet më të madh dhe me veprime në raste të pakontrolluara të shikuesve.

Bashkimi po shquhet me organizim këtë edicion dhe po ashtu me përkrahje të shikuesve. Por jo të gjithë kanë edhe veprime korrekte.