Me plot 7400 euro është gjobitur klubi i basketbollit Bashkimi për incidentet që ndodhën në ndeshjen e së dielës ndaj Trepçës.
Trepça fitoi në Prizren dhe është një fitore larg titullit të kampionit. Ndeshja e katërt është sërish në Prizren, të mërkurën nga ora 19:30.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBashkimit i është dhënë një gjobë prej plot 5000 euro për “shkaktim i lëndimeve të lehta ndaj lojtarëve, zyrtarëve, gjyqtarëve apo vëzhguesve nga hedhjet e gjësendeve në fushën e lojës”.
Në fakt me një mjet shpërthyes të hedhur pas ndeshjes, është goditur njëri prej gjyqtarëve të huaj të ndeshjes. Dhe Bashkimi për këtë është dënuar me 5000 euro. Për shkelje të tjera klubit prizrenas i janë ndarë dy gjoba nga 700 euro, një 500, një 300 e një 200 euro.
Bashkimi të martën doli me një komunikatë, duke vlerësuar se veprimet e papërgjegjshme të individëve kanë ndikuar në atmosferën e ndeshjes dhe imazhin e klubit. Palestra “Sezai Surroi” ishte e mbushur me shikues për finalen e parë në Prizren.
“Hedhjet e gjësendeve në parket janë sjellje tërësisht të papranueshme dhe nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë vlerat, kulturën e qytetit tonë. Fatkeqësisht, këto veprime kanë sjellë pasoja të rënda financiare për klubin, duke rezultuar me një gjobë totale prej 7400 euro nga organet kompetente. Dëmi i shkaktuar nuk është vetëm financiar, por prek edhe punën dhe përkushtimin e përditshëm të gjithë stafit, lojtarëve dhe komunitetit që qëndron pas klubit. Ne theksojmë se përgjegjësia për këto veprime bie vetëm mbi individë të caktuar dhe assesi mbi tifozërinë në tërësi, e cila vazhdon të jetë një nga forcat më të mëdha të ekipit tonë”, shkruan në komunikatën e Bashkimit.
Klubi prizrenas ka thënë se po punon për të identifikuar ata që bënë shkeljet.
“Klubi është tashmë në proces të identifikimit të personave përgjegjës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme sipas rregulloreve në fuqi. Po ashtu, shumë shpejt do të publikohen pamjet nga incidentet, dhe rasti do t’u përcillet edhe organeve kompetente për trajtim të mëtejmë. Ne mbetemi të përkushtuar që në të ardhmen të ruajmë një ambient sportiv të sigurt, të respektueshëm dhe dinjitoz për të gjithë”.
Derisa sharjet nuk janë ndalur në palestra, incidenti i së dielës ishte i pari serioz në serinë finale të plejofit.