Auto

Sony hyn në tregun e veturave elektrike, prezantoi një SUV të ri

Kompania Sony ka shpallur planet e saj për të hyrë në tregun e veturave, dhe konfirmim për këtë është një tjetër veturë elektrike e zbuluar në panairin e teknologjisë në Las Vegas.

Sony zbuloi sedanin elektrik Vision-S në vitin 2020 së bashku me teknologjinë e tij autonome të drejtimit dhe sistemet e argëtimit, dhe një vit më vonë filloi testimin e një prototipi legal për rrugë. Mirëpo as atëherë nuk dukej se versioni i prodhimit do të mbërrinte shpejt.

Megjithatë, Sony tani po lanson një kompani të re, Sony Mobility Inc., e cila do të marrë jetë në pranverën e këtij viti dhe e cila do të përfaqësojë hyrjen e kompanisë japoneze në tregun e veturave elektrike. Falë këtij njoftimi, vlera e aksioneve të Sonyt është rritur me më shumë se 4.5 për qind.

Modeli i biznesit të gjigantit japonez po evoluon bazuar në sistemin e tij të inteligjencës artificiale dhe robotikën, të cilat do t'i "tregojnë botës se mund të jetohet në harmoni me robotët".

Pjesë e këtij zgjerimi në sektorin e lëvizshmërisë është koncepti SUV i quajtur Vision-S 02. Është një veturë elektrike me shtatë ulëse, e cila përdor të njëjtën platformë dhe teknologji prodhimi si sedani i mëparshëm dhe fuqizohet nga dy motorë me 268 kuaj fuqi.

Sony nuk ka publikuar të dhëna për performancën e SUV-it elektrik, por dihet se ai do të jetë në gjendje të arrijë shpejtësi mbi 180 km në orë. Nuk dihet ende se çfarë baterie do të ketë.

Për sa i përket dimensioneve, ai do të jetë 4,895 mm i gjatë, 1,930 mm i gjerë dhe 1,651 mm i lartë, që do të thotë se do të përputhet afërsisht me dimensionet e crossoverit Model Y të Teslas.

Sony ka instaluar altoparlantë në sediljet e veturës që krijojnë një përvojë audio 3D në mënyrë që pasagjerët të kenë ndjenjën se janë në një koncert të artistit të tyre të preferuar. Përfundimet panoramike të informacionit argëtues dhe ekranet e pasme të veçanta mund të përdoren për të parë një sërë përmbajtjesh dhe për të luajtur lojëra nëpërmjet një lidhjeje në distancë me konzolën e Sony PlayStation.

Sony nuk është kompania e parë teknologjike që është e interesuar për tregun e veturave, sepse Apple ka qenë në të të paktën që nga viti 2014. Google po zhvillon softuer info-argëtimi për prodhues si Ford dhe Volvo, dhe LG e Panasonic janë ndër furnizuesit e baterive tëveturave.

{gallery}