Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja për projektin e NPB-së: 17 mijë metra katrorë janë në rrezik

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi të hënën se ka marrë ftesë në seancën ku pritet të vendoset masa e përkohshme ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.

VV-ja, i ishte drejtuar në muajin gusht Gjykatës Themelore të Prishtinës, me padi për anulimin e kontratës "Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesor-afarist".

Asamblisti i VV-së në Prishtinë Egzon Azemi, deklaroi se projekti është shumë i dyshimtë, e 17 mijë metra katrorë të qytetarëve “janë në rrezik”.

“Shumë kohë pasi u zgjodh fituesi, u kuptua se bëhej fjalë për projektin më gjigant të ndërmarrjes sa i takon banimit. Projekt 200 milionë euro, 17 mijë metra katrorë”, deklaroi ai.

Gëzim Sveçla, shef i Grupit të asamblistëve të VV-së, u shpreh se heshtja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po e vazhdon tolerimin e krimit dhe po e mbron këtë projekt që sipas tij është i paligjshëm.