Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja: Rama gënjeu për NPB-në, s'e bëri asnjë veprim për ta mbrojtur

egzon azemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka thënë se konferenca e thirrur është kundërreagim ndaj siç i ka quajtur ai “gënjeshtra të pacipa” të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama lidhur me borxhin e Ndërmarrjes Publike Banesore, për çka ka deklaruar se fajtore për të është Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka thënë se Rama u përpoq ta bëjë fajtore LVV-në dhe Qeverinë për gjendjen në NPB.

“Dihet qartë që LVV-ja e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë. Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe NPB-ja është në rrezik. Është e vetmja LVV-ja që ka alarmuar për rrezikun që po i kanosej NPB-së”, ka thënë ai.

Ka shtuar se kanë paralajmëruar publikisht për dëmin që mund t’i shkaktohej NPB-së. Por, sipas tij, në Kuvendin Komunal janë bllokuar vazhdimisht nga PDK-ja, LDK-ja e Aleanca.

Sipas Azemit, Rama nuk ka bërë asnjë veprim të vetëm për ta mbrojtur NPB-në.

“Për më shumë se katër vjet PDK-ja ka pasur rol vendimtar në NPB. Kronologjia është e qartë, LVV-ja e kundërshtoi këtë marrëveshje të dyshimtë. Edhe një herë po dëshmohet se kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë sepse në realitet janë bashkë”, ka thënë ai.

Edhe Rama ia lë fajin VV-së për bllokimin e llogarive të NPB-së Arbëri Rama ia lë fajin VV-së për bllokimin e llogarive të NPB-së

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka vendosur përgjegjësinë mbi qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, për bllokimin e llogarive të Ndërmarrjes Publike Banesore. Kjo ndërmarrje nga gjykata komerciale është e obliguar që tri kompanive t’u paguajë 32 milionë euro, në emër të fitimit të humbur. Rama ka thënë se atë kontratë e kishte nënshkruar qeverisja para tij, derisa gjatë qeverisjes së tij, ishte kërkuar hetimi i kontratës.

Në vitin 2021, Ndërmarrja Publike Banesore hyri në një marrëveshje bashkinvestimi me tri kompani private për zhvillimin e një projekti banesor dhe afarist në parcelat e NPB-së në Lakrishtë. Projekti parashihte ndërtimin e pesë objekteve, por nuk u realizua dhe mosmarrëveshja mes palëve përfundoi në gjykatë.