Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë me prioritet rastin që lidhet me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), duke thënë se në këtë çështje janë të përfshira rreth 350 familje.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka vizituar NPB-në, ku është takuar me menaxhmentin e ndërmarrjes dhe ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me pagat e punëtorëve. Sipas tij, situata është krijuar si pasojë e një vendimi të marrë para fillimit të mandatit të tij, për të cilin ai pretendon se është i paligjshëm dhe se ka rrezikuar funksionimin e ndërmarrjes.
“Vizitova Ndërmarrjen Publike Banesore dhe takova menaxhmentin për të shprehur shqetësimin tim për pagat e punëtorëve, të cilat janë cënuar si pasojë e një vendimi të paligjshëm të marrë para mandatit tim. Këtë çështje e kam adresuar në gjykatë që nga fillimi i qeverisjes tonë, sepse kam parë se vendimi dhe procesi janë të PALIGJSHËM dhe e rrezikojnë ndërmarrjen, siç edhe ndodhi. Gjatë gjithë këtyre viteve kam insistuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike. Insistoj edhe SOT”, ka shkruar Rama.
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës për mosekzekutimin e pagave. Mbi 380 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje nuk janë paguar tash e dy muaj.
Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore njoftoi se llogaritë e saj bankare janë bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.
Gjykata Komerciale e ka obliguar ndërmarrjen t’ua paguajë 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur tri kompanive – “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos” – me të cilat, më 2021, pati lidhur kontratë për bashkinvestim.
Pas tij ka reaguar asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla. Ai i kërkoi përgjigje kryetarit të komunës se pse përfaqësuesi ligjor i Komunës nuk ka marrë pjesë në seancën e shqyrtimit kryesor në shkallë të parë.
"Qysh mundet Rama me thënë se prej fillimit e ka mbrojtur NPB-në, kur Komuna ka munguar pikërisht në seancën ku janë paraqitur faktet dhe provat e rastit? Përparim Rama, përmes heshtjes dhe mosveprimit të tij, mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar në NPB", shkroi ai.
Punëtorët e NPB-së paralajmërojnë protestë për të hënën
Përfaqësuesi i punëtorëve të Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), Valdet Muqiqi, ka paralajmëruar se të hënën do të protestojnë sërish, pasi që e kanë nisur muajin e tretë që ende nuk i kanë marr pagat.
Muqiqi ka thënë se ky është një problem serioz për punëtorët pasi ka thënë se kanë obligime financiare që duhet t’i kryejnë.
Ai ka paralajmëruar se nëse nuk u dalin pagat do të punojnë vetëm për rastet emergjente.
“Nëse vazhdon kjo situatë kështu e kemi planin B që do të vazhdojmë me ekipin e emergjencës e të tjetër të gjenden si të munden e disa të punojnë e të mos I ndërpresin shërbimet”, ka thënë Muqiqi në një intervistë në emisionin “Sot” në KTV.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë me prioritet rastin që lidhet me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), duke thënë se në këtë çështje janë të përfshira rreth 350 familje.
Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore njoftoi se llogaritë e saj bankare janë bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.
Punonjësit e NPB-së i kërkojnë pagat me protestë para Komunës së Prishtinës