Ndërmarrja Publike Banesore ka njoftuar të enjten se llogaritë e saj bankare janë bllokuar në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë.
Sipas NPB-së, kontesti buron nga një kontratë e lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar, për të cilën ndërmarrja pretendon se dëmton interesin publik.
Kjo ndërmarrje e kryeqytetit ka bërë të ditur se e ka kundërshtuar vendimmarrjen në të gjitha instancat juridike, ndërsa më 24 qershor 2026 ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme.
Përmes revizionit, ndërmarrja pretendon se ka ngritur çështje që lidhen me shkelje procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale, përcaktimin e përgjegjësisë së NPB-së dhe mënyrën e llogaritjes së mbi 32 milionë eurove si fitim i humbur.
Sipas ndërmarrjes, bëhet fjalë për mjete që nuk janë investuar asnjëherë, por që janë përfshirë në kontestin financiar si fitim i humbur.
Edhe
Rama ia lë fajin VV-së për bllokimin e llogarive të NPB-së
“Ndërmarrja Publike Banesore është thellësisht e bindur se argumentet juridike dhe faktike të paraqitura në revizion, pas shqyrtimit të plotë nga Gjykata Supreme, do të rezultojnë me një vendim në favor të ndërmarrjes publike dhe mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Megjithatë, në njoftimin e NPB-së është thënë se vetëm një ditë pas ushtrimit të revizionit është nxjerrë urdhri përmbarimor dhe se procedura ka vazhduar deri në bllokimin e llogarive bankare.
Në aktgjykimin për këtë rast, thuhet se NPB-ja duhet t’ia paguajë 32.5 milionë euro tri kompanive – “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos”, me të cilat lidhi kontratë për bashkinvestim më 2021, në emër të fitimit të humbur të tyre, meqë nuk iu mundësua ndërtimi.
Lëvizje Vetëvendosje ka hedhur dyshime për mënyrën e përfaqësimit ligjor, duke thënë se nuk pati mobilizim të duhur për këtë rast.
Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka fajësuar për humbje të padisë komunën, pasi përfaqësuesi i saj mungoi në seancën e fundit e edhe NPB-në, që në këtë rast e ka angazhuar avokatin e PDK-së, Faton Fetahu.
“Është tmerrues fakti që në seancën e shqyrtimit kryesor, kur shytohen provat dhe thuhen fjalët përfundimtare, mungojnë përfaqësuesit ligjorë të komunës. Pa ndonjë arsyetim. Këto veprime të tyre, natyrshëm që janë indicie të mjaftueshme për hetim. Në rastin më të rëndësishëm gjyqësor në historikun e ndërmarrjes, mbrojtja ligjore bëhet pro bono nga dikush që është avokat i një subjekti politik (PDK). Pa dashur t’i komentoj apo t’i vlerësoj kapacitetet profesionale të askujt, duke e ditur peshën e rastit, besoj që është dashur mobilizim maksimal i komunës dhe ndërmarrjes në mënyrë që të fitohet ky proces gjyqësor”, ka thënë më parë Sveçla.
E Abelard Tahiri, në cilësinë e sekretarit për organizim në Partinë Demokratike, ka theksuar se Vetëvendosja nuk ka se si t’i ikë përgjegjësisë, duke e lidhur se kontrata u nënshkrua në fundin e mandatit të kryetarit Shpend Ahmeti, i cili mandatin e dytë më 2017 e pati fituar me siglën e LVV-së, por më pas ishte ndarë nga ajo.
“Është fakt publik se kjo kontratë është lidhur në vitin 2021, në kohën kur Komuna e Prishtinës udhëhiqej nga Shpend Ahmeti. Përgjegjësia politike për atë periudhë nuk mund të fshihet dhe as të relativizohet sot”, pati thënë ai. “Së dyti, angazhimi i avokatit Faton Fetahu dhe ekipit të tij është bërë nga unë, në cilësinë time si ish-ministër i Drejtësisë dhe si deputet, në mënyrë krejtësisht pro bono, pra pa asnjë pagesë, vetëm pasi ka dalë vendimi i parë i shkallës së parë, me të cilin gjykata praktikisht i kishte dhënë të drejtë zbatimit të kësaj kontrate ose pagesës së dëmit. Pikërisht angazhimi i këtij ekipi ka bërë që ai vendim i parë të rrëzohet në shkallë të dytë dhe rasti të kthehet në rigjykim. Prandaj, është absurde që sot të problematizohet mbrojtja juridike pro bono e interesit publik, kur pa atë angazhim rasti as nuk do të kthehej për rishqyrtim”.
Edhe
NPB-ja pretendon se s’u trajtua e barabartë në rastin ku i humbi 32.5 milionë euro
Atëkohë, në një përgjigje të ndërmarrjes është thënë se angazhimi i Faton Fetahut falas nuk e zbeh në asnjë formë seriozitetin, përgjegjësinë dhe cilësinë e përfaqësimit juridik.
Po ashtu, patën thënë se fitimi i humbur e i konstatuar nga shkalla e parë e Komerciales, nuk ekziston, pasi afati për llogaritjen këtij fitimi nis nga fillimi i punimeve që nuk ka ndodhur kurrë.
Sipas ndërmarrjes, urdhrat gjyqësorë, kërkesat e AKP-së e të inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit e kanë pamundësuar realizimin e kontratës.
Ndërkaq, tani, NPB-ja ka ngre shqetësime për mënyrën se si po zhvillohen paralelisht procedura përmbarimore dhe ajo gjyqësore.
Sipas NPB-së, revizioni ende nuk është dërguar nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Supreme.
“Pse përmbarimi po ecën me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërkohë që revizioni, përmes të cilit kërkohet kontrolli i ligjshmërisë së vetë vendimit, ende nuk është dërguar në instancën më të lartë gjyqësore?”, thuhet në komunikatë.
Ndërmarrja ka paralajmëruar se bllokimi i llogarive mund të ketë pasoja përtej aspektit financiar. Sipas saj, situata prek drejtpërdrejt më shumë se 300 punëtorë dhe familjet e tyre, ndërsa rrezikon edhe funksionimin e NPB-së si ndërmarrje publike, interesat e Komunës së Prishtinës si aksionare dhe vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët.
NPB-ja ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion dhe ka kërkuar nga institucionet kompetente transparencë të plotë dhe trajtim urgjent të rastit.
Edhe
Gjoba 32-milionëshe për NPB-në përplas PDK-në e VV-në
Për kontratën e NPB-së me tri kompanitë, Prokuroria Speciale më 2024 ngriti aktakuzë kundër 6 përfaqësues të NPB-së për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kundër ish-kryeshefit, Hajdar Hoxha, por më 2025 atë aktakuzë e rrëzuan të tria shkallët gjyqësore.
Për rastin në Gjykatën Komerciale, NPB-ja ka dërguar ankesë në shkallën e dytë duke argumentuar se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës.