Arbëri

Vuçiq – Von der Leyen: I domosdoshëm kompromisi në dialog

Ursula von der Leyen - Aleksandar Vuciq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia ka shprehur nevojën për kompromise në dialogun me Kosovën.

Von der Leyen qëndroi të premten në Serbi në kuadër të turit të saj në Ballkan. Përfitimet që kanë vendet e rajonit nga Plani i Rritjes janë mes çështjeve kryesore që janë diskutuar nga Von der Leyen, në shtetet të cilat i ka vizituar gjatë këtij turneu. 

Por, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është folur edhe për procesin e dialogut me Kosovën.

Këtë e ka theksuar Vuçiqi në një konferencë shtypi, pas takimit me Von der Leyen.

“Biseduam për Kosovën dhe unë, për dallim prej disa të tjerëve, nuk dua ta shfrytëzoj këtë rast për ta bartur fajin tek kushdo tjetër e as ta lodh kryetaren Von der Leyen në publik për ato që i kam folur. Ndërsa hollësisht dhe deri në thelb ia kam shpalosur qëndrimin e Serbisë dhe hollësisht e deri në thelb kam folur për domosdoshmërinë e kompromisit, bisedimeve dhe të ardhmes së të gjithë rajonit”, ka deklaruar Vuçiq.

Kosova është shteti i vetëm në rajon, të cilit BE-ja nuk ia ka pranuar ende aplikimin për anëtarësim. Ndërkaq nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh, shtetit pritet t'i ndahen mbi 800 milionë euro.