Prishtina ishte kryeqendra e vetme deri tash në Ballkanin Perëndimor ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk pati konferencë për shtyp me mikpritësit e saj. Ajo më herët ka dalë para gazetarëve në Tiranë, Podgoricë, Sarajevë dhe Beograd, por jo edhe në Prishtinë.
Në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel kanë sqaruar për Kohën se procesi zgjedhor ka qenë arsyeja pse nuk ka pasur konferencë për shtyp dhe se njëlloj nuk do të ketë as në Shkup.
“Arsyeja për të mos pasur konferencë për shtyp as në Kosovë e as në Maqedoninë e Veriut është për shkak të zgjedhjeve që janë në zhvillim e sipër, apo të cilat do të zhvillohen, dhe kjo është një praktikë e zakonshme”, ka thënë për Kohën Paula Pinho, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Megjithatë, Von Der Leyen ka shkruar tri porosi në X pas takimeve që ka mbajtur në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për një të ardhme në të cilën “të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit”.
“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.
Plani i Rritjes është pako për Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk mund të përfitojë nga kjo pako për shkak të moskonstituimit të institucioneve. Ky plan është instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së. Kosova nga Plani i Rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro.