Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisionerja Kos i kërkon Kosovës fokus të ri në rrugëtimin drejt BE-së

Marta Kos - Albin Kurti

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka paralajmëruar se do të vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit. Gjatë diskutimit të saj me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor në samitin e Tiranës, Kos tha se në Kosovë do të flasë për mënyrën se si të ecet tutje me Planin e Rritjes dhe theksoi se Qeveria e re është mundësi e re për fokus në rrugëtimin drejt BE-së

Kosova është në mesin e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i janë ofruar nga Bashkimi Evropian, ka thënë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

Në Samitin e Liderëve në kuadër të Planit të Rritjes që u mbajt në Tiranë, Kos tha se në këtë grup bën pjesë edhe Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Sipas saj, përparim të mirë për reformat e kërkuara nga BE-ja ka bërë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Në Kosovë, i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, dhe kjo është një mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Me shumë kënaqësi do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit për të folur, se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe ta zgjerojmë atë, tashmë që ju i keni të gjitha institucionet”, ka thënë komisionerja Kos, gjatë fjalës së saj në samitin e Tiranës.

BE-ja ka zotuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe ka kushtëzuar përfitimin me zbatim të një numri reformash. Nga to, Kosova në dispozicion ka mbi 800 milionë euro.

Një ditë më parë, KOHA raportoi se për shkak të mospërmbushjes së reformave që duhej të përmbylleshin deri në qershor të këtij viti, Kosova ka humbur 43.8 milionë euro.

Gjatë pjesëmarrjes në samit, kryeministri Albin Kurti u arsyetua për ngecjet në zbatimin e reformave.

“Gjatë gati dy vjetëve me zgjedhje të përsëritura, ritmi i reformave u ngadalësua. Me zgjedhjen e presidentes së re më 6 tetor, institucionet tona janë plotësisht funksionale për vitet që vijnë dhe reformat i kemi përshpejtuar. Reformat tona në drejtësi, arsim dhe administratë publike, ndër të tjera, janë po aq kombëtare sa edhe evropiane. I zbatojmë me bindje, si akt patriotizmi demokratik për shtetin dhe qytetarët tanë, dhe do t’i përfundojmë të gjitha, edhe ato për të cilat i humbëm fondet për shkak të vonesave”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se Kosova ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe se pas një periudhe të ngadalësimit për shkak të zgjedhjeve të përsëritura, vendi ka rifituar stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar zbatimin e tyre.

E, nikoqiri i takimit, kryeministri Edi Rama, tha se është ithtar i idesë që edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të gëzojnë të drejtat e qytetarëve të BE-së.

“Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi”, ka thënë ai.

Në samitin në Tiranë është bërë thirrje edhe për përshpejtim reformash që lidhen me procesin e integrimit.

Kryeministri Kurti ka përsëritur thirrjen që BE-ja ta shqyrtojë aplikacionin për anëtarësim të Kosovës dhe ta japë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim, duke paralajmëruar se mosveprimi mund ta dëmtojë besimin në perspektivën evropiane të vendit.

Ai ka përsëritur se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues”, ka thënë Kurti.

Ai ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Muaji i ardhshëm shënon katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, por dokumenti nuk është shqyrtuar. Si pengesë në këtë proces është përmendur fakti që Kosova ende nuk njihet si shtet edhe nga pesë vende anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka theksuar se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në BE dhe besimi i tyre në këtë institucion janë ndër më të lartat në rajon, prandaj, sipas tij, kërkesa për avancim në procesin e integrimit është bërë urgjente.

E, vendet që më së shumti kanë përparuar në këtë proces janë Mali i Zi dhe Shqipëria.

Komisionerja Marta Kos ka thënë se më shumë se kurrë zgjedhjet politike të secilit vend do të përcaktojnë ritmin me të cilin ai vend do të ecë drejt BE-së dhe ka vlerësuar se ka një mbështetje të fortë nga shtetet anëtare për qasjen e bazuar te merita.

“Kjo vlen si për negociatat e anëtarësimit, ashtu edhe për qasjen apo aksesin në financimin e BE-së dhe në integrimin gradual në Bashkimin Evropian. Pra, unë këtu shoh një mundësi, jo vetëm për ato tre vende që i përmenda, por edhe për shtete të tjera. Në Serbi, ne shohim tashmë një fillim të ri. Në Kosovë kemi stabilitet politik dhe ka gjithashtu edhe një mundësi për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë- Hercegovinën, në këtë vend, në vendin e fundit, Bosnjë-Hercegovina pas zgjedhjeve”, ka thënë ajo. “Këtë e diskutuam sot në takimin tonë. Unë në fakt fola dhe për qasjen e re të Komisionit Evropian për ta zgjeruar integrimin gradual që mund ta afrojë çdo vend kandidat drejt BE-së edhe përpara vetë anëtarësimit, por që nuk është zëvendësim i anëtarësimit”.

Ajo ka konstatuar se 2026-a ka qenë viti më i suksesshëm për procesin e zgjerimit gjatë 25 vjetëve të fundit.

“Zgjerimi i fundit ka ndodhur në vitin 2013, me anëtarësimin e Kroacisë, ndërsa tani shpresojmë të përmbyllim negociatat me Malin e Zi. Një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është gjithashtu Shqipëria. Për sa i përket udhërrëfyesve që ne kemi ofruar dhe në raportin e sivjetshëm, ne kemi thënë, jemi shprehur pra që Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt për negociata në qoftë se do të ketë rezultate të reformave dhe sigurisht dhe në rast se shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë dhe në qoftë se ndodhin këto gjëra, rreth kësaj kohe ne mund të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, ka thënë ajo, në një konferencë shtypi në Tiranë. “Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që hapi i mëtejshëm do të jetë që rreth gjysma e kapitujve të mbyllur, do të thotë që shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, i cili, po flas që në qoftë se gjithçka ecën siç duhet, mund të nënshkruhet në 2028-n, që do të thotë, varet nga procesi i ratifikimit, vizioni i qeverisë tuaj edhe i qytetarëve në rast se e kam kuptuar siç duhet. Pra, Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”.

E, kryeministri i Shqipërisë ka thënë se është mundësi unike, anëtarësimi deri në 2030-n.

“Ky është një proces, i cili për sa na takon duhet të shihet si një mundësi unikale e artë, bekim për ne dhe për çdo vend që ka perspektivën europiane për të nxjerrë më të mirën e vetes dhe për të ndërtuar shtetin që kanë nevojë qytetarët dhe që ne nuk e ndërtuam dot për 500 vjet”, ka thënë Rama. “Sot po e bëjmë, po e bëjmë falë këtij procesi. Natyrisht që, anëtarësimi vjen me shumë të mira të tjera dhe prandaj ne duam të anëtarësohemi, por në ndërkohë, ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër, përveçse të vazhdojmë të punojmë që të përmirësojmë falë kryerjes së detyrave, gjithçka që lidhet me shtetin në këtë vend”.

Rama ka thënë se anëtarësimi është një proces dinamik dhe të kërkohet një datë se kur mund të ndodhë ai, do të thotë të mos kuptosh se si funksionon procesi.

“Datat mund të vendosen si objektiva, por janë ‘moving targets’. Mund të lëvizin sepse, e përsëris, janë 27 që duhet të bien dakord në çdo hap, në çdo hap, në çdo hap, në çdo hap. Kështu që nëse ne kemi bërë diçka unikale që s’e ka bërë askush më parë, që të hapim të gjithë kapitujt në një kohë që është rekord në historinë e integrimeve të Bashkimit Evropian, kjo ka ardhur si rezultat që ne e kemi bërë detyrën, por edhe të 27 kanë qenë gati që të thonë po, detyra është bërë”, ka thënë kryeministri Rama. “Ne jemi krah për krah me Komisionin. Ne Komisionin kemi për të kuptuar ku jemi mirë, ku jemi më pak mirë, ku kemi bërë më shumë progres, ku kemi bërë më pak progres dhe Komisionin kemi ne për të bindur dhe pastaj vjen faza tjetër. Por për herë të parë në historinë e këtyre viteve ka një togfjalësh që u shfaq në raportin e progresit të këtij viti: ‘Fillimi i përgatitjes së traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm’. Kështu që jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë ne duhet të punojmë sikur jemi më larg se asnjëherë”.

Dy ditë më parë, liderë të Bashkimit Evropian kanë takuar në Bruksel ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mbi perspektivën evropiane. Pas takimit është publikuar edhe një deklaratë 20 pikëshe. Në dokument është përmendur edhe riafirmimi i plotë për dialogun Kosovë-Serbi, proces ky që BE-ja e ndërlidh edhe me perspektiven evropiane të të dyja shteteve.

Në pikën gjashtë të deklaratës thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës.

BE-ja ka inkurajuar palët që të shfrytëzojnë momentin politik për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të bëhet progres konkret pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Në të është theksuar nevoja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Është përsëritur edhe angazhimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa është riafirmuar rëndësia e zgjerimit si një investim gjeostragjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian.