Vizitë treorëshe ka zhvilluar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë. Nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zyrtarja evropiane ka kërkuar që të vazhdohet me ndërtimin e institucioneve dhe finalizimin e hapave të nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes
Tri mesazhe ka sjellë në Kosovë të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas takimeve që ka zhvilluar me drejtuesit e institucioneve, ajo ka thënë se BE-ja është e përkushtuar që e ardhmja e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të jetë blloku evropian.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar von der Leyen në X.
Gjatë qëndrimit disa orësh në Prishtinë, presidentja e KE-së, ka takuar presidenten Vjosa Osmani. Sipas njoftimit nga presidentja Osmani, me zyrtaren e lartë evropiane, mes tjerash, ka diskutuar edhe për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian.
Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, ka shkruar Osmani.
Takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e ka zhvilluar në Kuvend e jo në objektin e Qeverisë. Kjo, shkaku i vendimit të BE-së që zyrtarë të lartë evropianë të mos mbajnë takime brenda ndërtesës qeveritare, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë.
Në njoftimin e kryeministrisë është thënë se Kurti i ka dorëzuar presidentes von der Leyen kërkesën për nisje të dialogut strategjik në disa fusha.
“Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në në kuadër të iniciativës “Single Market Highway” kryeministri i dorëzoi presidentes von der Leyen tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyçë, bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe industri të mbrojtjes - fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi”.
Kryeministri në detyrë, sipas këtij njoftimi, ka ritheksuar nevojën që Komisioni Evropian t`ia dorëzojë Kosovës pyetësorin për anëtarësim e t’ia japë statusin e vendit kandidat. Diskutime ka pasur edhe për procesin e zgjedhjeve lokale.
“(Zgjedhjet lokale) ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane. Theksoi rëndësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Para Kosovës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qëndruar në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e Shqipëri.
Ndryshe nga këto vende, von der Leyen u largua nga Kosova pa mbajtur konferencë për media.
Zyra e BE-së në Kosovë ka arsyetuar këtë veprim me procesin zgjedhor që është duke vazhduar në Kosovë.
“Vendimi për të mos mbajtur një konferencë për shtyp u mor për shkak të procesit zgjedhor që është duke vazhduar në Kosovë. I njëjti parim zbatohet edhe për vizitat e tjera, për shembull, në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KOHËN.
Në konferencën që mbajti paradite në Beograd, von der Leyen kërkoi nga Serbia hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Pika e parë është se duhet të shohim përparim në fushën e sundimit të ligjit, kornizën elektorale dhe lirinë e mediave. E di që këto reforma nuk janë të lehta, kërkojnë durim, duhet të përfshijnë të gjitha palët e shoqërisë dhe spektrin politik por ia vlen përpjekja sepse ju afrojnë me Evropën”, deklaroi presidentja e KE-së.
“Duhet të shohim më shumë rreshtim me politikën tonë të jashtme, përfshirë sanksionet kundër Rusisë. Ju përgëzoj që keni përshtatur 61 për qind të politikës suaj me tonën, por më shumë është e nevojshme. Ne duam të mbështetemi te Serbia si një partnere e besueshme”, tha ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmendi dialogun me Kosovën.
“Besoj se mund të vazhdohet në ton konstruktiv. Nuk dua ta përdor rastin për ta kritikuar ndokënd, vetëm dua të them se për tango duhen dy”, ka thënë ai.
Vizitën në Ballkanin Perëndimor, von der Leyen e ka përmbyllur në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me presidenten Gordana Siljanovska, kryeministrin Hristijan Mickoski e kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.