Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka ritheksuar nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Kosovën.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Von der Leyenit për rrugëtimin evropian të Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat dhe progresin tonë në sundim të ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike. Kryeministri ritheksoi nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën”, thuhet në komunikatë.
Kurti thuhet se ka folur edhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, të cilat sipas tij, ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane. “Theksoi rëndësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”, thuhet në komunikatë.
Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në në kuadër të iniciativës “Single Market Highway” kryeministri në detyrë thuhet se i ka dorëzuar Von der Leyenit tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç, bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe industri të mbrojtjes, fusha ku thuhet se Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi.
