Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti i kërkon von der Leyenit të flasë hapur që Kosovës t’i jepet statusit i vendit kandidat

Ursula von der Leyen & Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të bëjë thirrje që Këshilli Evropian të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës.

“Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëni thirrje Këshillit që të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas takimi me të në Prishtinë të enjten. 

Ai ka deklaruar se Kosova i përmbush kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa ka theksuar se progresi i vendit është evidentuar edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

“Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova s’ka shënuar kthim prapa në asnjë nga 33 fushat”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka kërkuar nga von der Leyeni që Kosova të anëtarësohet në Konventën për Transit të Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit.

Edhe Kurti: KE-ja të dorëzojë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën Arbëri Kurti: KE-ja të dorëzojë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën

Sipas tij, Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor jashtë marrëveshjes evropiane për njohjen e ndërsjellë të akreditimit, ndonëse, siç ka thënë ai, vendi zbaton standardet evropiane me kosto shtesë për bizneset.

“Hapja e këtyre dyerve do ta shndërronte harmonizimin me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik. Kosova ka treguar çfarë mund të arrijë, me më shumë dyer të hapura mund të arrijë më shumë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për zhvillimet në demokraci, sundimin e ligjit dhe sigurinë, duke thënë se Kosova ka shënuar përparim në këto fusha.

Ai ka deklaruar se Kosova është një “demokraci elektorale”, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet në vend janë të lira, të drejta dhe konkurruese.

Kurti ka përmendur edhe rritjen ekonomike, duke thënë se Kosova ka pasur rritjen më të lartë në rajon, prej 4 për qind, ndërsa borxhi publik, sipas tij, mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.

Ai ka thënë se Kosova është partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe se është në të njëjtën linjë me BE-në sa i përket politikës së jashtme, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Kurti ka folur edhe për Agjendën e Reformave, duke thënë se ajo po vazhdon të zbatohet dhe se “asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa”.

Edhe Kurti: BE-ja t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim Arbëri Kurti: BE-ja t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim

Në fund, ai ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht asaj për njohjen e diplomave, si dhe ratifikimin nga Bosnja e Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.

Sipas Kurtit, këto marrëveshje do t’u mundësonin studentëve dhe punëtorëve lëvizje më të lirë në rajon.

Lexo përditësimet tjera
Ursula von der Leyen

Von der Leyen sot në Kosovë, takohet me Haxhiun e Kurtin