Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Von der Leyen takon Haxhiun e Kurtin, flasin për aspiratat evropiane të Kosovës

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Von der Leyen për ndryshimet në Ligjin për Specialen: Me rëndësi të ruhet pavarësia e gjyqësorit

1 muaj më parë / 1 tet 2026 14:56
Ursula von der Leyen

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se i takon Kosovës të vendosë nëse do të bëjë ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por ka theksuar se në çdo rast duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit.

“Ndryshimi i përket Kosovës të vendosë. Me rëndësi të garantohet pavarësia e gjyqësorit dhe, në këtë kuadër të pavarësisë, i përket Kosovës të vendosë se çfarë të bëjë ose jo. Është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”, ka deklaruar von der Leyen në konferencë për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë. 

Deklarata e saj vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. PDK-ja synon që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh të barten për shqyrtim në Kosovë, në fazat e tjera të procedurës gjyqësore.

Nisma për ndryshimin e ligjit është bërë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët së bashku janë dënuar me 81 vjet burgim.

E Kurti ka thënë se brenda kësaj jave do t’i jepet përgjigje kësaj çështje, pasi ka kërkuar opinion ligjor nga Ministria e Drejtësisë si dhe vlerësim financiar nga Ministria e Financave lidhur me këtë projektligj, meqë kjo është procedurë ligjore për të gjitha nismat legjislative. 

Von der Leyen: Aspiratën për anëtarësim në BE duhet shndërruar në progres konkret

1 muaj më parë / 1 tet 2026 14:56
leyen

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursuala von der Leyen, ka bërë thirrje që Kosova të ketë institucione plotësisht funksionale sa më shpejt. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ajo ka theksuar se stabiliteti institucional është përparim drejt Bashkimit Evropian. 

Von der Leyen ka thënë se BE-ja ka qenë dhe është ndër mbështetëset kryesore të Kosovës, ndërsa ka përmendur Planin e Rritjes duke theksuar se Kosova mund të pranojë mbi 882 milionë euro. 

“Kuvendi dhe Qeveria janë themeluar, hapi radhës është zgjedhja e presidentit dhe së fundmi po vërejmë se dialogu mes partive politike është i mundur dhe se ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje, reformë e përparim drejt BE-së... Kosova mund të pranojë mbi 882 milionë euro sipas Planit të Rritjes, keni marrë 62 milionë si parafinancim, mund të vinë edhe mjete të tjera. Ju nxisim të bëni reforma, të lëvizni shpejt dhe që institucionet të jenë plotësisht funksionale. Plani i Rritjes mund t’ju shpie më afër tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, ka thënë ajo në konferencë. 

Von der Leyen deklaroi se aspirata për anëtarësim në BE duhet të shndërrohet në progres konkret. 

“Unë besoj në të ardhmen e Kosovës në BE dhe e di se sa thellësisht ndjehen evropianë populli i Kosovës. Detyra jonë është që ta shndërrojmë këtë aspiratë në progres konkret drejt anëtarësimit”. 

Ndërsa ka folur edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të BE-së, duke potencuar se dënimi është individual dhe se nuk është gjykuar Kosova. 

“Aktgjykimi i Speciales ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi.  Aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë. Ky aktgjykim ka të bëjë për përgjegjësinë individuale, rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim dhe duhet të respektojmë kujtesën për të gjitha viktimat për të gjitha komunitetet në Kosovë. Kujtesa duhet të mbetet pjesë e të shkuarës dhe të shkojmë drejt pajtimit”. 

 

Kurti: Akuzat e Speciales përmbajnë gabime faktike, juridike e historike

1 muaj më parë / 1 tet 2026 14:51
albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se konkludimet dhe dënimet e Speciales përmbajnë gabime faktike, juridike e historike, e që sipas tij, presin që të korrigjohen në Apel.

Ka deklaruar se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme.

“Kemi shqetësime për konkludimet e tjera dhe dënimet e rënda. Besojmë se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike dhe presim të korrigjohen në Apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme. Kosova kërkon drejtësi për çdo krim dhe për çdo kryerës. Nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë dhe fajësisë, pse dikush dëshiron të krijojë narrativa alternative”, ka deklarua Kurti.

Sipas tij, në këtë aktgjykim, janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht. Kurti ka theksuar se Shtëpia e Verdhë apo trafikimi i organeve s’bën pjesë në aktakuzë, akuza për krim kundër njerëzimit u rrëzua dhe theksuan qartë që UÇK-ja nuk është në gjyq dhe se vendimi nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e UÇK-së.

Kurti i kërkon von der Leyenit të flasë hapur që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat

1 muaj më parë / 1 tet 2026 14:42
Ursula von der Leyen & Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të bëjë thirrje që Këshilli Evropian të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës.

“Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëni thirrje Këshillit që të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas takimi me të në Prishtinë të enjten. 

Ai ka deklaruar se Kosova i përmbush kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa ka theksuar se progresi i vendit është evidentuar edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

“Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova s’ka shënuar kthim prapa në asnjë nga 33 fushat”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka kërkuar nga von der Leyeni që Kosova të anëtarësohet në Konventën për Transit të Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit.

Sipas tij, Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor jashtë marrëveshjes evropiane për njohjen e ndërsjellë të akreditimit, ndonëse, siç ka thënë ai, vendi zbaton standardet evropiane me kosto shtesë për bizneset.

“Hapja e këtyre dyerve do ta shndërronte harmonizimin me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik. Kosova ka treguar çfarë mund të arrijë, me më shumë dyer të hapura mund të arrijë më shumë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për zhvillimet në demokraci, sundimin e ligjit dhe sigurinë, duke thënë se Kosova ka shënuar përparim në këto fusha.

Ai ka deklaruar se Kosova është një “demokraci elektorale”, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet në vend janë të lira, të drejta dhe konkurruese.

Kurti ka përmendur edhe rritjen ekonomike, duke thënë se Kosova ka pasur rritjen më të lartë në rajon, prej 4 për qind, ndërsa borxhi publik, sipas tij, mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.

Ai ka thënë se Kosova është partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe se është në të njëjtën linjë me BE-në sa i përket politikës së jashtme, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Kurti ka folur edhe për Agjendën e Reformave, duke thënë se ajo po vazhdon të zbatohet dhe se “asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa”.

Në fund, ai ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht asaj për njohjen e diplomave, si dhe ratifikimin nga Bosnja e Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.

Sipas Kurtit, këto marrëveshje do t’u mundësonin studentëve dhe punëtorëve lëvizje më të lirë në rajon.

Pas Haxhiut, von der Leyen shkon te Kurti

1 muaj më parë / 1 tet 2026 13:42
Ursula von der Leyen

Photo: Driton Paçarada

Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur nga kryeministri Albin Kurti.

Pas takimit, do të ketë konferencë për media.  

Von der Leyen pritet nga Haxhiu

1 muaj më parë / 1 tet 2026 13:11
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Pas Haxhiu, von der Leyen do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të mbajë konferencë për media. 

Bllokohet rruga tek aeroporti ku pritej të kalonte von der Leyen

1 muaj më parë / 1 tet 2026 13:05
protesta

Protestuesit e kanë bllokuar rrugën kryesore për të dalë nga aeroporti, aty ku parashihej të kalonte presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Protestuesit po mbajnë në duar pankarta “Liria ka Emër”, “Jo në emrin tim”.

Megjithatë, von der Leyen e ka kaluar aeroportin në rrugë alternative.

Ajo pritet të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

VIDEO:

Von der Leyen pritet me protestë në Kosovë

1 muaj më parë / 1 tet 2026 12:06
pr anp

Një grup të rinj kanë dalë në protestë tek Aeroporti i Prishtinës, aty ku pritet të arrijë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ata kanë dalë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar nga Gjykata Speciale.

Në pankartat e tyre, përveç “Jo në emrin tim”, shkruan edhe mesazhi “BE, na keni tradhtuar” dhe “Sot Thaçi, nesër Zelensky”.

Pas daljes së Von der Leyen nga aeroporti, protestuesit e kanë bllokuar një nga daljet e aeroportit duke shkaktuar edhe kolona të automjeteve.

Von der Leyen sot do të qëndrojë në Kosovë. Ajo do të pritet në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

Gjykata Speciale në shkallë të parë i ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.

Që nga dita e shpalljes së aktgjykimit, 16 shtator, në Kosovë janë mbajtur protesta çdo ditë për të kundërshtuar vendimin.