Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti kërkon statusin kandidat e Merz që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë

Albin Kurti - Friedrich Merz

Në Samitin e Procesit të Berlinit që këtë vit është mbajtur në Mal të Zi, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar statusin kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Derisa kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos mbeten të bllokuara në të kaluarën. Sipas Merzit, mosprogresi në dialogun Kosovë-Serbi po e mban peng të gjithë rajonin

Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për dhënien e statusit kandidat Kosovës, në nisjen e punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, të enjten, që këtë vit është mbajtur në ishullin e Shën Stefanit në Mal të Zi.

Kurti e ka bërë kërkesën gjatë pritjes së organizuar nga homologu i tij malazez, Milojko Spajiq.

“Tash është koha që vendi ynë të marrë statusin kandidat dhe t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE. Prandaj unë do t’u bëj thirrje sot, dhe çdo ditë tjetër të gjithë liderëve të BE-së të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje. Njëkohësisht, shpresoj që të mund t’i rikthejmë zotimet e Samitit të Londrës 2018, në lidhje me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe për gjetjen e personave të zhdukur”, ka thënë Kurti.

Kurti ka kritikuar sjelljen e Serbisë karshi Kosovës, derisa ka theksuar se ajo ka përdorur metoda armiqësore sikur Rusia. Ai ka përmendur se krimineli Milan Radoiçiq sot është i lirë dhe mbrohet nga Serbia.

“Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë. Muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në fshatin verior, Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku. Muajin e ardhshëm, bëhen dy vjet nga shpërfaqja e luftës kinetike nëpërmjet një sulmi ndaj infrastrukturës kritike, me shpërthimin e kanalit të furnizimit me ujë të Ibër-Lepencit në fshatin verior, Varagë. Të dyja sulmet ishin bërë për të qenë të mohueshme. Njeriu që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, Milan Radoiçiq, një kriminel dhe zgjatim lokal, bredh ende i lirë, hapur në publik, i mbrojtur nga aparati i njëjtë shtetëror”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti është shprehur se sulmet e tilla ndaj një demokracie janë “sulm ndaj gjithë Evropës”, ndërsa ka kërkuar përgjigje kolektive.

E me të nisur punimet e Samitit që po mbahet për të 13-tën herë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, po ashtu ka risjellë zotimet e bëra në Londër para tetë vjetësh.

“Në vitin 2018, në Samitin e Procesit të Berlinit, ne refuzuam bashkërisht përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë ​​zjarrit, por të ecim përpara në bazë të vlerave evropiane. Kjo vlen edhe për dialogun e normalizimit midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili për momentin po bëhet pengesë për të gjithë, prandaj ne inkurajojmë urgjentisht përgjegjësinë dhe progresin”, ka thënë Merz.

Ndërsa komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka theksuar se kjo periudhë është vendimtare thuajse për të gjitha vendet e rajonit.

“Na presin javë dhe muaj me momente përcaktuese. Për Malin e Zi, përcaktuese do të jetë kalimi i vijës së finishit të procesit të pranimit, përcaktuese për Serbinë zgjedhjet e së dielës së ardhshme. Përcaktuese për Shqipërinë që të mbajë ritmin në rrugën evropiane dhe, sigurisht, gjithashtu një zgjedhje përcaktuese për Kosovën që të vazhdojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse mendoj se është shumë mirë që udhëheqësit nga rajoni dhe nga i gjithë Procesi i Berlinit po mblidhen sot në këtë vend të bukur të Malit të Zi”, ka thënë Kos.

Në samit kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut.

Kryeministri Rama e ka publikuar në profilin e tij në facebook fotografinë familjare nga Samiti i Berlinit që është mbajtur në Shën Stefan të Malit të Zi, duke e prerë pjesën ku ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe disa të tjerë.

Procesi i Berlinit është themeluar në vitin 2014 dhe është një nismë diplomatike, që për synim ka thellimin e bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.