Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takon kancelarin austriak: Kandidatët për BE duhet të trajtohen me të njëjtat kushte

kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Budva, me të cilin biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale.

Kurti ka thënë se të gjitha shtetet kandidate për në BE duhet të trajtohen njëlloj, gjë që ka theksuar se e ka thënë edhe kancelari Stocker. Ndërsa, ka shtuar se pas përparimit në SEPA, Kosova po pret tani nisjen e negociatave në integrimin në zonën roaming të BE-së. 

“Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, ka shkruar Kurti për takimin.

Kurti në hapje të samitit të enjten deklaroi se Kosova duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE.

“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Mu për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë, kundrejt çdo lideri të BE-së, që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian për këtë çështje”, u shpreh Kurti.