Arbëri

Vriten një polic i Kosovës dhe tre sulmues nga tensionet në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se si rezultat i angazhimit të njësiteve relevante policore, në kuadër të perimetrit të caktuar të sigurisë është arrestuar edhe sulmuesi i dytë, i cili gjithashtu ka qenë në uniformë ushtarake dhe i armatosur me armë të gjata dhe municion. Sipas njoftimit, deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

Lajmi i plotë: 

Dita e hënë e 25 shtatorit do të jetë ditë zie shtetërore, në nderim të policit Afrim Bunjaku, që u vra në orët e para të së enjtes në veri.


Kurti: Operacioni policor në veri po vazhdon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdon operacioni policor në veri, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in e EULEX-in.


Prokuroria: Sulmuesit dyshohen për vepra terroriste

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona për sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Ata dyshohen për disa vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit. Një nga to është për vepra terroriste.

“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit. Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i sotëm i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme. Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Vuçiqi fajëson Kurtin dhe ndërkombëtarët “dyfytyrësh” për tensionet në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkësinë ndërkombëtare për tensionet e fundit në veri. Ai ka thënë se Policia e Kosovës “përdoret politikisht ndaj serbëve në veri”.

VIDEO: 


Borrelli e quan terrorist sulmin në veri: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje që sulmuesit e Policisë në veri të dorëzohen menjëherë dhe t’i lirojnë pelegrinët në Manastirin e Banjskës.

Borrell ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajmi i plotë


Kurti: Kemi të bëjmë me strukturë mercenare, të përkrahur nga Beogradi zyrtar

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se grupi i cili ka sulmuar është i përkrahur politikisht e financiarisht nga Beogradi zyrtar.

Ka shtuar se bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, që sulmin e ka planifikuar shumë gjatë.

Lajmi i plotë


Policia depërton brenda Manastirit të Banjskës

Forcat policore të Kosovës kanë depërtuar brenda Manastirit të Banjskës, kanë njoftuar për KOHËN burime brenda institucione të Kosovës.

Në manastir është raportuar se gjenden pelegrinë nga Novi Sadi dhe një prift.

Lajmi i plotë


Kurti: Kosova do të ngadhënjejë 

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do të ngadhënjejë e se shteti do të vazhdojë rrugën që ndriti polici që u vra të dielën në veri, Afrim Bunjaku.

Ai ka thënë para mediave të enjten se kanë shprehur ngushëllime te familja e policit të ndjerë.


Sveçla: Është gjetur armatim për qindra sulmues të tjerë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme të armatimit të rëndë.

Sipas tij, lirisht mund të thuhet se kishte pajisje për qindra sulmues të tjerë.

Lajmi i plotë


Zhubi: Sulmuesi i lënduar ka marrë plagë në këmbë, jashtë rrezikut për jetë

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zubi, ka thënë se sulmuesi që është referuar për trajtim në QKUK, ka plagë me armë zjarri në këmbë dhe po ashtu frakturë në ekstremitete të poshtme.

Lajmi i plotë


Sulmuesi i arrestuar sillet në Stacionin policor në Mitrovicë të Jugut

Një nga sulmuesit arrestuar në fshatin Banjskë, është sjellë nga Policia e Kosovës në Stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Lajmi i plotë


Von Cramoni fton KFOR-in të shtojë prezencën në veri

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se autorët që vranë një zyrtar policor dhe e plagosën një tjetër, të dërgohen para drejtësisë.

Sipas Von Cramon, situata duhet të shtensionohet, duke përfshirë “përforcimin e KFOR-it në të gjithë veriun e Kosovës”.

“Pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin. Prandaj, unë u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të bindin njerëzit e armatosur në manastirin e Banjskës që të lënë armët dhe të dorëzohen pa vonesë të mëtejme. Unë mirëpres në këtë aspekt masat e kujdesshme dhe shtensionuese të Qeverisë së Kosovës sot, duke shpresuar që të gjithë të qëndrojnë të qetë në çdo pjesë të Kosovës”, ka shkruar ajo në Tëitter.

Raportuesja për Kosovën në PE u ka shprehur ngushëllime familjes së rreshterit të vrarë.


MPJ-ja e Gjermanisë e dënon sulmin ndaj policisë në veri, Sarrazin sot në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku vdiq rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagën dy policë tjerë.

Nga MPJ e Gjermanisë është thënë se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, do ta vizitojë Kosovën sot.

“Ne dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme, këtë sulm të tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendja jonë është me familjen e policit të vrarë dhe me të lënduarit. Grupet e armatosura ilegale duhet të ndalojnë së vëni jetët në rrezik. Kryerësit duhet mbajtur përgjegjës. Manuel Sarrazin udhëton sot në Kosovë”, ka shkruar MPJ e Gjermanisë në platformën “X”.


Hovenieri pas takimit me Kurtin: Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka thënë se janë thellësisht të shqetësuar për situatën.

“Nuk mund të themi diçka më shumë se ajo që e kemi thënë”, ka thënë ai pas takimit.


Ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it i kanë shkuar në zyrë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim është duke u mbajtur pas zhvillimeve të fundit në Banjskë të Zveçanit.

Lajmi i plotë


Varhelyi për vrasjen e policit në veri: Dhuna të ndalet menjëherë

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri. Në sulm mbeti i vdekur një rreshter policor, e u lënduan dy tjerë.

“Dënojë fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Dërgojë ngushëllimet më të sinqerta për policin e Kosovës që vdiq dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Ne përkrahim punën e EULEX&KFOR-it në terren, ndërsa bëjmë thirrje për hetim të plotë”, ka shkruar Varhelyi në platformën “X”.

Lajmi i plotë


Shefi i EULEX-it dënon sulmin në veri: Jemi të gatshëm të përkrahim institucionet e Kosovës

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se është i tmerruar nga sulmi i të dielës në veri të Kosovës, ku mbeti i vdekur një polic dhe u lënduan dy të tjerë.

Në sulmin në afërsi të fshatit Banjskë në Zveçan, u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Lajmi i plotë


Shefi i EULEX-it dënon sulmin në veri: Jemi të gatshëm të përkrahim institucionet e Kosovës

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se është i tmerruar nga sulmi i të dielës në veri të Kosovës, ku mbeti i vdekur një polic dhe u lënduan dy të tjerë.

Në sulmin në afërsi të fshatit Banjskë në Zveçan, u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Lajmi i plotë


Për shkaqe sigurie janë mbyllur pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak

Policia e Kosovës ka thënë se pas zhvillimeve të fundit në veri, është vendosur që për shkaqe sigurie të mbyllen dy pikëkalimet kufitare në veri, më saktësisht ato në Jarinjë e Bërnjak.

Policia i ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.

Lajmi i plotë


Szunyog: Sulm i tmerrshëm nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog ka reaguar lidhur me sulmin në Banjskë të Zveçanit ku u vra një polic e u plagos një tjetër ndërkaq i vrarë mbeti edhe një nga sulmuesit.

Ai duke shpërndarë reagimin e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ka quajtur sulmin të tmerrshëm duke shtuar se ai është organizuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës.

“Lexoni deklaratën e HR/VP @JosepBorrellF për sulmin e tmerrshëm nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës. Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes, kolegëve dhe të dashurve të punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës”, ka shkruar ai.


Gërvalla e quan të turpshëm reagimin e Borrellit: Asnjë fjalë kundër terroristëve

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka reaguar përfaqësuesit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ajo ka thënë se asnjë fjalë Borrelli nuk e ka tha në mbështetje të Policisë së Kosovës e as kundër terroristëve.

“Terroristët vrasin policinë - dhe ju thoni ‘të gjithë aktorët’? Asnjë fjalë mbështetje për policinë? As kundër terroristëve? A iu referuat edhe sulmeve terroriste në Spanjë si ‘armiqësore’?”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ajo e ka quajtur këtë reagim të turpshëm duke pyetur se si “mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?”.

Ndërsa, edhe ambasadorja e Izraelit në Kosovës, Tamar Ziv, u ka shprehur ngushëllime familjes së rreshterit të vrarë.


Kurti tregon rrethanat e sulmit ku u vra një polic e u plagos një tjetër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa si pasojë e sulmit rreshteri policor A.B. ka mbetur i vdekur, kurse është plagosur një polic kufitar. Ai ka thënë se po vazhdojnë të shtënat me armë në këto momente. 

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka treguar se polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.

 


Begaj: Akti i organizuar kriminal në veri, cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë thirrje për komunitetin ndërkombëtar që të reagojë për sulmin e rëndë ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku një zyrtar policor ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë të lënduar.

Begaj ka thënë se ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Kosovës.

Ai më tej ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën.

Lajmi i plotë


Ambasada e Britanisë: Institucionet e Kosovës të lejohen t’i hetojnë autorët e sulmeve në Banjskë

Britania e Madhe ka dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor dhe dy të tjerë të lënduar.

Në reagimin e kësaj ambasade është bërë thirrje për zgjidhje paqësore të situatës, teksa është shtuar se autoritetet kosovare duhet të lejohen të hetojnë dhe identifikojnë autorët e krimit.

“Institucionet e Kosovës duhet të lejohen të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e këtij sulmi të tmerrshëm, në mënyrë që ata të sillen para drejtësisë në përputhje me sundimin e ligjit. E mirëpresim bashkërendimin e ngushtë të Policisë së Kosovës, si reagues i parë, me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.

Lajmi i plotë


Policia konfirmon se një sulmues është vrarë në veri

Policia ka njoftuar se një nga sulmuesit në Banjskë të Zveçanit është vrarë.

Me anë të një komunikate të lëshuar për media, Policia ka thënë se situata në veri të vendit po vazhdon të jetë e tensionuar.


Borrell: Të vërtetohen të gjitha faktet rreth sulmit, autorët të përballen me drejtësinë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se duhet të vërtetohen të gjitha faktet rreth sulmit të së dielës në veri të Kosovës, ku mbeti I vrarë një zyrtar I Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë lënduar.

Borrelli ka thënë se autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë.

Lajmi i plotë


 

KFOR-i: Të gatshëm të përgjigjemi nëse ka nevojë

KFOR-i ka njoftuar se është duke e monitoruar nga afër situatën në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një njoftimi për media KFOR-i ka thënë se janë të pranishëm në këtë zonë dhe i gatshëm për t’iu përgjigjur situatës, nëse kërkohet.

KFOR-i ka deklaruar se Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren.

‘’Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në njoftim.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka thënë se e dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe dërgon ngushëllimet më të thella për familjen e policit të vrarë sot në orët e para të mëngjesit në Banjskë.


Kurti: Në Banjskë janë 30 persona të armatosur rëndë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic, gjenden së paku 30 persona të armatosur rëndë.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen te organet e sigurisë.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, që ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe që i ftoj të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po i sulmojnë policinë tonë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e e kanë plagosur Alban Rashitin”, ka thënë ai.

Lajmi i plotë


Sveçla: Terroristët janë barrikaduar në Manastir të Banjskës, koha e fundit që të dorëzohen

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se është koha e fundit që mbi 30 pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës në orët e hershme të së dielës, janë barrikaduar brenda oborrit të Manastirit të Banjskës.

Sveçla ka thënë se njësitet policore kanë rrethuar ata dhe se është koha e fundit që sulmuesit të dorëzohen.

Lajmi i plotë


Lajçak: T’i kthehemi menjëherë dialogut

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas sulmeve të fundit në veri të Kosovës, ku një zyrtar i Policisë mbeti i vrarë dhe dy të tjerë të lënduar, ka thënë se të gjithë duhet t’i kthehen menjëherë dialogut.

Lajçaku ka dënuar sulmin kundër Policisë së Kosovës, duke thënë se autorët duhet të dalin para drejtësisë.

Lajmi i plotë


Davenport dënon sulmin në veri: Autorët e krimit të neveritshëm të sillen para drejtësisë

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se dënon në mënyrën më të ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të fshatit Banjskë në Zveçan.

Davenport në postim në platformën “X”, ka thënë se duhet të sillen menjëherë para drejtësisë autorët e krimit.

Lajmi i plotë


Hoti për informatat se sulmuesit janë pjesëtarë të Wagnerit: S’kemi diçka të argumentuar

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i pyetur në konferencë për media se nëse sulmuesit janë nga grupi mercenar rus Wagner, ai ka thënë se po i trajtojnë informatat, porse nuk ka diçka të argumentuar.

Lajmi i plotë


Rama për vrasjen e policit në veri: Kambana më e madhe e alarmit për rrezikun e eskalimit të krizës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ngjarja e fundit e ndodhur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës, është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës në një konflikt të armatosur.

Rama ka bërë thirrje për komunitetin euroatlantik që ta ulë Kosovën dhe Serbinë në tyrezën e dialogut opër normalizim të marrëdhënieve.

Lajmi i plotë


Dioqeza Rashkë-Prizren tregon se persona të armatosur po lëvizin në oborrin e Manastirit të Banjskës

Dioqeza Rashkë-Prizren ka thënë se persona të maskuar të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.

Dioqeza ka thënë se dënon ashpër sulmin në mëngjesin e sotëm, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u lëndua polici Alban Rashiti.

Dioqeza ka thënë se brenda Manastirit të Banjskës janë mbyllur një grup besimtarësh nga Novi Sadi dhe igumeni Danilo. Po ashtu gjendet edhe “vëllazëria e Manastirit”.

Lajmi i plotë


Kossev: Një luftë përnjëmend, në manastir është bllokuar një grup besimtarësh nga Novi Sadi

Banorët e Banjskës janë të frikësuar dhe të shqetësuar, pasi u zgjuan nga të shtënat dhe shpërthimet. Banorët me të cilët folëm këtë mëngjes e përshkruajnë situatën pothuajse njësoj.

Se të shtënat e para u dëgjuan mëngjesin e sotëm rreth tre e gjysmë, se shpërthimet pasuan që në orën 4 të mëngjesit. Sipas dëshmive të tyre, të shtënat kanë zgjatur për disa orë, kryesisht pas agimit.

Lajmi i plotë


Dëgjohen të shtëna armësh në veri

Të shtëna armësh janë duke u dëgjuar në veri.

Policia ka bllokuar rrugët që çojnë në fshatin Banjskë në Zveçan, ku ka mbetur i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa është plagosur polici kufitar Alban Rashiti.

Lajmi i plotë


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë pas sulmit në veri: Akt kriminal, Shqipëria është në krah të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka reaguar pas sulmit në veri të Kosovës të dielën në mëngjes, ku vdiq rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa mbeti i plagosur polici Alban Rashiti.

Hasani në postim në platformën “X” e ka quajtur sulmin akt kriminal, ndërsa ka thënë se Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira.

Lajmi i plotë

 


Familjarët e policit të vrarë: Të vdesësh për atdhe, sikur të rilindësh përsëri

Familjarët e policit të vrarë të dielën në Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku, kanë thënë se rreshteri është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.

Në reagimin e familjarëve thuhet se Bunjaku e ka kryer detyrën e tij me nder dhe krenari deri në fund.

Lajmi i plotë


Mblidhet Këshilli i Sigurisë i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në orën 10:00 do të mblidhet Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës.

Kjo mbledhje do të mbahet pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në veri të vendit, ku një zyrtar policor ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi pranë urës në fshatin Banjskë në veri.

Lajmi i plotë


Mbyllen të gjitha rrugët që çojnë në Banjskë

Të gjitha rrugët që çojnë te fshati Banjskë në Zveçan janë mbyllur si pasojë e sulmeve të fundit në këtë zonë, ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Ekipi i KOHËS në terren ka njoftuar se vetëm njësitë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, po lejohen të hyjnë në këtë fshat.

Lajmi i plotë


Sindikata e Policisë dënon sulmet në veri, thotë se po vepron sipas ligjit

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar ashpër sulmet në fshatin Banjskë në Zveçan në mëngjesin e të dielës, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti.

Lajmi i plotë


Ambasada amerikane dënon ashpër sulmet në veri: Autorët do të mbajnë përgjegjësi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e së dielës, duke thënë se autorët e këtij sulmi duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.

Në reagimin e ambasadës thuhet se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe është legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Lajmi i plotë


Rohde dënon vrasjen e policit në veri: Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se autorët e vrasjes së rreshterit policor Afrim Bunjaku në Banjskë në veri duhet të dalin para drejtësisë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka shprehur dakordimin me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, tha se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë.

Lajmi i plotë


UNMIK: Autorët e sulmit në veri të mbajnë përgjegjësi, palët të përmbahen

Përfaqësuesja speciale e sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që autorët e sulmit të së dielës në veri të vendit ku mbeti i vdekur një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur, të mbajnë përgjegjësi.

Në komunikatën e lëshuar nga UNMIK-u në Twitter, thuhet se Ziadeh ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për humbjen e jetës së policit kosovar dhe ka dënuar ashpër këtë “incident tragjik”.

Lajmi i plotë


Sulmuesit në veri dyshohet se janë fshehur brenda Manastirit të Banjskës

Grupi që ka sulmuar të dielën Policinë e Kosovës, me ç’rast vdiq një zyrtar policor dhe një tjetër mbeti i plagosur, dyshohet se është fshehur brenda Manastirit të Banjskës.

Lajmi i plotë


Situata në veri, ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se është ngritur gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore të Kosovës si pasojë e zhvillimeve të fundit në veri.

Në sulmin në fshatin Banjskë në mëngjesin e të dielës ka mbetur i vdekur një zyrtar policor, ndërsa është plagosur një tjetër.

Lajmi i plotë



Abdixhiku: Sulmet e bandave nga Beogradi s’e zmbrapsin Kosovën nga e drejta për sovranitet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se sulmi i së dielës ndaj Policisë së Kosovës është sulm terrorist ndaj Republikës dhe vetë rendit kushtetues.

Ai ka thënë se këto sulme nga bandat kriminale me adresë në Beograd, nuk mund ta zmbrapsin Kosovën nga e drejta për vendosje të rendit, ligjshmërisë dhe vetë sovranitetit.

Lajmi i plotë


Policia: Sulmi nisi me vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën e Bajnskës

Policia është deklaruar rreth sulmit në veri të Kosovës në orët e para të së dielës, ku si pasojë vdiq një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur.

Sipas komunikatës së Policisë, e gjitha ka filluar me vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Bajnskë, e cila është e bllokuar.

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Jugut, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sipas njoftimit të Policisë, njësitë policore të aktivizuara në terren po sulmohen kohë pas kohe me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.


KFOR-i amerikan dhe EULEX-i në Banjskë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ai i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka dalë në vendin e ngjarjes ës ku ka ndodhur sulmi ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, me ç’rast ka vdekur një zyrtar policor dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Njësitë e KFOR-it amerikan me forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë stacionuar në afërsi të Banjskës, fshatit ku ka ndodhur sulmi.

Lajmi i plotë


Krasniqi: Ftoj partnerët ndërkombëtarë ta dënojnë qartë sulmin ndaj shtetit të Kosovës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sulmi i të dielës në fshatin Banjskë në veri është sulm direkt ndaj shtetit të Kosovës.

Në sulmin në Banjskë vdiq një rreshter policor, ndërsa u plagos një polic kufitar.

Lajmi i plotë


Ali Ahmeti për sulmin në veri të Kosovës: Sulm ndaj paqes e sigurisë së gjithë rajonit

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar për sulmin e të dielës në veri të Kosovës, ku mbeti i vdekur një rreshtor policor e u lëndua një polic kufitar.

Ahmeti ka thënë se sulmi ndaj Kosovës është sulm ndaj “paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit”.

Lajmi i plotë

 


Mbyllet pika kufitare në Bërnjak

Është mbyllur pika kufitare në Bërnjak.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pika kufitare Bërnjak është mbyllur për hyrje në Kosovë, ndërsa për dalje është ende e hapur.

Lajmi i plotë


Konjufca: Faktori ndërkombëtar ta dënojë Serbinë për agresionin e hapur kundrejt Kosovës

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagos një tjetër, është sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës.

Konjufca i ka bërë thirrje BE-së dhe SHBA-së ta dënojnë Serbinë për agresionin e hapur kundrejt Kosovës.

Lajm i plotë


Osmani për sulmin në veri ku mbeti i vrarë një polic: Është sulm ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vrasja e një polici në veri në orët e hershme të së dielës dhe plagosja e një tjetri, ka qenë e planifikuar dhe orkestruar nga bandat kriminale serbe.

Në një sulm në fshatin Banjskë  rreth orës 3 të mëngjesit, ka mbetur i vdekur rreshteri policor A.B., ndërsa është plagosur një polic kufitar.

Lajmi i plotë


Zhvillimet e fundit në veri, Osmani ndërpret vizitën zyrtare në New York

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërprerë vizitën zyrtare në New York, si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit në veri.

Në një sulm në Banjskë të Zveçanit rreth orës 3 të mëngjesit ka mbetur i vdekur rreshteri policor A.B., ndërsa është plagosur një polic kufitar.

Osmani ishte në vizitë zyrtare në New York, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Lajmi i plotë


Haradinaj: Sulmi terrorist në veri, goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se sulmi i fundit nga policisë në veri, ku mbeti i vdekur një zyrtar policor dhe një tjetër u plagos, është sulm terrorist dhe goditje mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Ai ka theksuar se Beogradi duhet të heqë dorë urgjentisht nga veprimet e tij destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme për të dyja vendet.

Lajmi i plotë


Këshilli i Sigurisë i Kosovës mblidhet në orën 10:00

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në orën 10:00 do të mblidhet Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës.

Lajmi i plotë


Kurti: Policit të plagosur i është hequr me sukses predha nga kraharori

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se operacioni në të cilin ka hyrë polici i lënduar të dielën në Banjskë të veriut, është kryer me sukses.

Teksa ka njoftuar për vizitën e tij te zyrtari policor i plagosur, Kurti ka thënë se atij i është hequr predha nga kraharori i majtë.

Ai më tej njoftoi se polici i plagosur do të lirohet po të dielën nga spitali.

Lajmi i plotë