Rreziqet për skenarë si sulmi terrorist i Banjkës po vlerësohen si reale, veçanërisht pas luftës në Gaza. Këtë vlerësim e japin në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë. Për përgatitje sulmesh terroriste në veri të vendit një ditë më herët ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. E në opozitë, kryeministrin e kanë kritikuar se po sillet si mosbesues ndaj shtetit që e udhëheq.
Situata e sigurisë është bërë më e ndjeshme, shkaku i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, kanë vlerësuar në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.
Pas sulmit terrorist të Banjskës më 24 shtator ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës e edhe tre sulmues, janë shtuar paralajmërimet nga krerët institucionalë se një sulm i tillë mund të përsëritet.
Mentor Vrajolli, drejtor i QKSS-së, thotë se tentativa të ngjashme për sulme si ato të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, janë të mundshme.
“Serbia ka qenë dhe është kërcënim. Mbase kjo që po ndodh sot është një alarm për të kaluarën ku në masë të madhe perëndimi e kishte kërcënimin që vjen nga Serbia dhe sidomos lidhjet e saja me Rusinë të cilat sot për sot janë duke u ekspozuar. Sulmi në Banjskë gjithsesi se ishte sulm i cili ndërlidhet me interesat qoftë të grupeve nacionaliste të Serbisë, por edhe të shtetit rus, kështu që risku që të ketë tentativa të ngjashme përsëri në Kosovë është jashtëzakonisht i madh”, ka deklaruar Vrajolli.
Për mundësinë e këtyre sulmeve foli në një konferencë për medie kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, një ditë më parë.
E sipas Vrajollit, paralajmërimi për një gjë të tillë bëhet, pas informatave që Kosova i ka mbledhur për sulmin Banjskë, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e Serbisë.
“Institucionet e Kosovës kanë arritur megjithatë të marrin informacione të rëndësishme në lidhje me ata që kanë qenë të implikuar në sulmin terrorist të Banjskës. Mbase edhe këto indikacione që përmenden në konferencë se Serbia apo këto strukura janë duke përgatitur një sulm të ri lidhen edhe me faktin se ata njerëz janë të lirë dhe deri më tani nuk është marrë asnjë hap të vihen para institucioneve të drejtësisë e të mbahen larg mundësive që të riorganizohen në një sulm të ngjashëm”, është shprehur ai.
KFOR-i në një përgjigje për KOHËN ka thënë se situata në veri është e qetë por e brishtë. Ka theksuar se ka shtuar 1000 trupa së fundi dhe katërfishuar prezencn në veri përgjatë kufirit me Serbinë dhe se s’mund të spekulojë lidhur me skenarët e së ardhmes.
Por paralajmërimet e krerëve institucionalë janë kritikuar nga partitë opozitare në vend.
Drejtuesit e tyre kanë thënë se shteti udhëhiqet nga mosbesues të saj e populistë që e kanë helmuar e polarizuar diskursin publik për pushtet.