Për të 25 herë më radhë do të tentohet të hënën që të bëhet konstituimi i Kuvendit, pasi në 24 herët e kaluara nuk është arritur të gjendet pajtim mes partive. Partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, nuk kanë pranuar ta votojnë komisionin për votim të fshehtë, lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit, e janë shprehur kundër propozimit për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryekuvendare. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar ta ndryshojë propozimin
Përgjigjja e Gjykatës Kushtuese ndaj kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë, për propozimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit, mund të vonohet deri në javën e dytë të korrikut, sipas njohësve të zhvillimeve në Kuvend.
Në ndërkohë, numri i dështimeve për konstituimin e Kuvendit ka arritur në 24 mbledhje plenare, e fiks një muaj e gjysmë nga fillimi i një seance të vetme që s’po e sheh fundin.
Sipas Vullnet Bugaqkut, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, Gjykata Kushtetuese mund ta shfrytëzojë të gjithë afatin ligjor për të marrë vendimin, i cili shihet si kyç për zhbllokimin institucional.
“Gjykata do të trajtojë dhe do të shqyrtojë edhe vlerësimet e opinionit e Komisionit të Venecias. Unë mendoj që ata do të marrin mendime edhe nga KV-ja për çështjen e procedurë së fshehtë të votimit gjatë një seance konstituive dhe, gjithashtu, Gjykata mund t’i konsultojë ose shqyrtojë të gjitha praktikat parlamentare të shteteve të BE-së, por edhe të botës, ato praktikat e mira që janë parlamentare”, ka thënë Bugaqku.
Kjo vonesë, në formimin e institucioneve të reja, përcillet edhe me kosto.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin për Drejtësi, thotë se dëmi ndaj shtetit shkon në dy rrafshe, atë të jashtëm, ku Kosova humb miliona euro në formë grantesh e kredish të buta, por edhe në aspektin e brendshëm.
“Sa i përket rrafshit të brendshëm, pasojat evidentohen te çështjet që lidhen me reformat në drejtësi, reformat në skemat pensionale dhe sociale, te reformat fiskale dhe çështjet e tjera të mirëqeverisjes”, ka vlerësuar Jakaj.
Sipas Jakajt, edhe në rast konstituimi, kuvendi shkon në pushim në fund të korrikut.
Ai ka theksuar se nga praktika e deritanishme, deputetët kanë entuziazëm më të madh për të shkuar në pushim sesa për të punuar.
“Më 31 korrik, edhe nëse konstituohet, shkon në pushim Kuvendi, përveçse vendosen ndryshe për shkak të çështjeve që i ka me nguti të mos shkojë në pushim. Por, rregulli është që të shkohet në pushim më 31 korrik, dhe paramendoni situatën kur kuvendi i Kosovës, që nuk është konstituuar prej 15 prillit, shkon në pushim menjëherë më 31 korrik. Ajo që e dimë, edhe deputetët edhe kryetari i Kuvendit nuk përtojnë që më shumë të jenë pjesë e pushimit sesa e punës së përditshme”, ka thënë Jakaj.
Tentimi i radhës për konstituimin e Kuvendit pritet të mbahet të hënën, e deri tash, të paktën publikisht, nuk është dhënë ndonjë indikacion për ndryshim qëndrimesh nga partitë parlamentare.