Dy persona të dyshuar për grabitje të armatosur në një lokal në Gjakovë janë arrestuar, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në të njëjtin rast është plagosur edhe një person.
Ai ka thënë se zbulimi i identitetit të tyre nga ana e Policië është bërë në mënyrë rekorde.
“Falë punës intensive hetimore dhe veprimit efikas të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë, mbrëmë janë identifikuar, ndërsa sot janë arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur të kryer dje në mesditë në Gjakovë, gjatë së cilës u plagos një qytetar dhe u rrezikua siguria e të tjerëve. Të njëjtëve u janë sekuestruar edhe armët e krimit dhe sasi e konsiderueshme e parave”, bëhet e ditur në statusin e tij në Facebook.
Ai ka thënë se ky rezultat dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës, por njëkohësisht përcjell një mesazh të prerë për këdo që zgjedh rrugën e kriminalitetit.
“Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë. Nuk do të lejojmë që individë të tillë të cenojnë sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve tanë. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten të panegociueshme”, ka shkruar ai.
Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se të hënën rreth orës 16:50 ka ndodhur një grabitje e armatosur nga dy persona të maskuar në një argjendari në Gjakovë. Sipas raportit, të dyshuarit të maskuar kanë hyrë në lokal me armë zjarri dhe me një çekan dhe kanë grabitur stoli ari. Njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka plagosur në këmbë viktimën. Rasti është duke u hetuar.