Seanca konstituive e Kuvendit nuk do të mbahet gjatë korrikut, ka paralajmëruar ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se synimi është të shmanget një krizë e re që do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, zhvillimet politike dhe mungesa e marrëveshjes mes partive, sipas analistëve, lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të ngërçit
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se data e seancës konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e qershorit, do të dihet gjatë javës së ardhshme.
Por, ka bërë të ditur se seanca nuk do të thirret gjatë korrikut.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.
Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit.
Detyrimi buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.
Edhe
Haxhiu: Në fillim të gushtit pritet të mbahet seanca konstituive
Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.
Certifikimi i rezultateve është bërë më 8 korrik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet.
“Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditëve nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit”, thuhet në pikën 132 të aktgjykimit.
Sipas kësaj pike, kjo përfshijnë: verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur; dhënien e betimit nga ana e tyre; dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Gjykata ka theksuar që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar.
Haxhiu ka thënë se u ka lënë kohë partive politike për të zhvilluar takime dhe për të arritur marrëveshje, para se të thërrasë seancën.
“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Haxhiu, e cila si kryeparlamentare e legjislaturës paraprake, bashkë me anëtarët e kryesisë bën përgatitjet për seancën konstituive.
Javën e kaluar kryeministri në detyrë Albin Kurti takoi krerët e dy partive, PDK-së e LDK-së, por të cilat nuk dhanë rezultat. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas takimit se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se ka vullnet për marrëveshje, por bisedimet i pezulloi dy ditë më parë për shkak të krizës së brendshme në parti dhe kërkesës për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, nëpërmjet të cilit synohet të shkarkohet Abdixhiku, i cili akuzoi një grupim brenda partisë se synon bllokimin e zgjedhjes së institucioneve të reja.
E, Haxhiu tha se zgjedhjet e reja nuk do të ishin në interes të qytetarëve dhe as të subjekteve politike.
Ajo mirëpriti takimet e iniciuara nga kryeministri Albin Kurti me partitë parlamentare dhe u bëri thirrje të gjitha subjekteve të vazhdojnë dialogun.
Edhe
KDI-ja thirrje Haxhiut: Të caktohet sa më parë data e seancës konstituive të Kuvendit
“Kryeministri Kurti ka ftuar partitë politike për këtë qëllim, por LDK i ka pezulluar negociatat, ndërsa PDK ka pasur qëndrimin e vet dhe AAK-ja nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Nuk mund të ketë, si me thënë, detyrime për t’iu përgjigjur këtyre takimeve, por është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për vetë shtetin tonë, që të ketë përpjekje maksimale që ta gjejmë një zgjidhje”, ka thënë ajo. “E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pasë takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje”.
E, profesori i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se gjasat për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit janë të vogla, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme për dialog ndërmjet partive.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë mund të përfundojnë brenda disa orësh, por sfida kryesore do të mbetet zgjedhja e presidentit.
“Duket e vështirë të kemi marrëveshje. Kurti i ftoi partitë, e dimë epilogun e atyre takimeve. Gjasat nuk janë të mëdha që të kemi marrëveshje për president. Ndërsa konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë do të kryhet brenda orësh, por problemi do të jetë çështja e presidentit”, ka thënë Muja në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai ka theksuar se pavarësisht atmosferës së mirë që ka pasur në takim mes LVV-së dhe LDK-së, zhvillimet e fundit brenda LDK-së ku pritet të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm për një votëbesim ndaj kryetarit Abdixhiku, e kanë vështirësuar arritjen e një kompromisi.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti u takon idealistëve dhe se idealistët janë anëtarësia. Ai ka thënë se është koha që LDK-ja t’u kthehet idealistëve, anëtarësisë.
“Në Kosovë, historia na ka mësuar që LDK-ja është parti e idealistëve, PDK-ja është parti e kryengritësve dhe VV-ja është parti e të pakënaqurve. LDK ju takon idealistëve e idealistët e saj janë anëtarësia. Jo funksionarët. Koha t’u kthehemi idealistëve!”, ka shkruar Haziri në Facebook.
LVV-ja që prej 2019-s është fituese e zgjedhjeve, shihet si përfituesja më e madhe e elektoratit të LDK-së, e cila ka përsuar tkurrje të madhe. Aktualisht në këtë parti ka dy fraksione – një që synon koalicion me LVV-në dhe tjetri që është kudnër. Pas kuvendit të jashtëzakonshëm, do të vendoset nëse do të vazhdojnë negociatat me LVV-në ose jo.
Politologu Muja ka shprehur pritjen që LVV-ja të ofrojë platformë për diskutim dhe bashkëpunim me partitë e tjera, krahas LDK-së. Si ka thënë se subjektet politike duhet të bëjnë kompromis edhe për presidentin, për të cilin ka thënë se nuk duhet të jetë partiak.
“Nëse insistohet në kandidat partiak, siç ka ndodhur deri tash, ajo pozitë duhet t’i takojë partisë më të madhe, por për demokracinë tonë nuk do të ishte e shëndetshme. Partitë duhet të heqin dorë nga një president partiak”, u shpreh ai.
Edhe
Kuvendi duhet konstituuar deri më 7 gusht
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ishin të tretat të përgjithshme të mbajtura brenda 1 viti e gjysmë, të cilat u desh të organizohen, pasi deputetët e Legjislaturës së dhjetë dështuan të zgjedhin presidentin e ri, pas skadimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit.
Egzona Mema