Procesi i tenderimit për furnizim me materiale të hemodializës është pezulluar për herë të dytë, pas ankesës së një operatori. SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje për rrjedhën e tenderit as për furnizimin që kanë institucionet shëndetësore. Nga spitalet rajonale, vetëm ai i Pejës ka kthyer përgjigje, duke bërë të ditur se ka material për vetëm edhe 10 ditë
Pesë muaj nuk kanë mjaftuar që tenderi i shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës për furnizim me materiale të hemodializës të përfundojë me sukses.
Ky tender, i hapur në qershor të këtij viti me vlerë të planifikuar prej 5 milionë eurosh dhe i ndarë në nëntë lote, është pezulluar për herë të dytë pas ankesës së një operatori ekonomik.
Sipas vendimit të ShSKUK-së, kompania “Meditech” fitoi pesë lote, “Medilor” dy, ndërsa “MesePharm” një.
Por kompania “Medihealth”, që konkurroi për të nëntë lotet, ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se një nga operatorët fitues ka ofertuar me dokumentacion dhe katalogë të falsifikuar.
"Pra OE i propozuar për dhënien e kontratës në Lot 1 në ofertë ka prezantuar dëshmi të shumëfishta mashtruese dhe të falsifikuara, ku Autoriteti Kontraktues - SHSKUK, nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprimesh ligjore për ta eliminuar të njëjtën ofertë, përkundrazi me çdo kusht tentohet të lidhet kontratë me të njëjtën kompani ani pse të gjitha provat tregojnë për krim të organizuar përmes procedurave të prokurimit", thuhet në ankesën e “Medihealth”.
Por Shkelzen Fetiu, përfaqësues i kompanisë “Meditech”, i ka mohuar akuzat.
“Kurrgjë nuk qëndron, të gjitha janë të pavërteta. Gjithçka është në rregull, por tash qëllimet e kompanive të ndryshme janë të ndryshme. Na s’mund t’i ndalojmë ato janë tendencioze, kanë qëllime të kompanisë së tyre. Ata munden me shpif, me thonë çka të duan. Ne si kompani kemi ofertu me ato krejt, me katalogë, me mostra, me ato që na i ka dërgu prodhuesi, në bazë të prodhuesit”, ka thënë Fetiu.
Kjo është hera e dytë që tenderi pezullohet. Pas herës së parë, ishte shpallur tender emergjent dhe atë e pati fituar kompania që tash është ankuar – “MediHealth”.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga SHSKUK-ja dhe Barnatorja Qendrore për rrjedhën e tenderit dhe gjendjen e furnizimit, por nuk ka marrë përgjigje që nga e marta.
Sipas burimeve të KOHËS, një tender emergjent pritet të hapet sërish.
KOHA ka nisur pyetje edhe në spitalet rajonale për të mësuar rreth furnizimit, por vetëm ai i Pejës ka kthyer përgjigje.
"Spitali i Përgjithshëm në Pejë furnizohet me materiale shpenzuese nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), i cili është institucioni përgjegjës për zhvillimin e të gjitha procedurave të furnizimit. Aktualisht kemi furnizim me materiale shpenzuese për dializë afërsisht edhe për 10 ditë", thuhet në përgjigjen e Spitalit të Pejës.
Sipas këtij spitali, në baza ditore kryhen deri në 35 dializa.