Disa ditë pas ndërprerjes së kontratës emergjente për furnizim me material për hemodializë, SHSKUK-ja i ka dhënë kontratë kompanisë “Medi Health”, e cila për një tender tjetër është duke u hetuar nga Prokuroria, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve. Në kompaninë së cilës i është shkëputur kontrata kanë pretenduar se zyrtarja që ua ka refuzuar mallin është e punësuar në kompaninë që të enjten SHSKUK-ja i ka dhënë kontratë. Vetë zyrtarja si dhe kompania “Medi Health” i kanë mohuar këto pretendime
Pas ndërprerjes së njëanshme të kontratës emergjente me kompaninë “Medicom” për furnizim me material për hemodializë, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) të enjten i ka dhënë kontratë “Medi Health”-it, kompani kjo që është duke u hetuar nga Prokuroria nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve në një tender tjetër.
Në tenderin e fundit emergjent për furnizim me material për hemodializë, kompania “Medi Health” ka ofertuar me çmime më të shtrenjta sesa kompania së cilës SHSKUK-ja ia ka ndërprerë kontratën vetëm pesë ditë pas nënshkrimit. Nënshkrimin e kontratës e kanë konfirmuar nga kjo kompani.
“Nga SHSKUK-ja kemi pranuar një ftesë për ofertim ditën e djeshme (12.11.2025) për furnizim emergjent me produkte për hemodializë, për të cilën e kemi dërguar ofertën tonë, e ku sot gjatë ditës është bërë hapja e ofertave dhe kompania jonë ka nënshkruar kontratë”, kanë thënë në “Medi Health”.
KOHA ka raportuar në shtator se tenderi në vlerë prej 843 mijë eurosh për pajisje dhe për shtretër të hemodializës për Klinikën e Nefrologjisë është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Në kompaninë “Medicom”, së cilës të martën pasdite i është ndërprerë njëanshëm kontrata emergjente, kanë pretenduar se shkëputja ka qenë e qëllimshme nga SHSKUK-ja për t’ia dhënë kontratë kompanisë konkurrente. Sipas kësaj kompanie, zyrtarja e SHSKUK-së që e ka refuzuar pranimin e mallit të tyre është e angazhuar si teknike e farmacisë në kompaninë “Medi Health”.
“E para, më datën 7 nëntor dhe datën 8 nëntor 2025, Ardelinë Delijaj, e punësuar në QKUK, dërgon e-mail zyrtar me të cilat kërkon që të mos pranohet malli i liferuar nga ‘Medicom’ dhe gjithashtu kërkon që të shkëputet kontrata e të ndërmerren masa kundër ‘Medicom’. Arsyetimi ishte tejet banal, nuk ishte e sigurt që produkti BiBag, i prodhuesit gjerman Fresenius (sipas specifikimit kontratës), a është kompatibil me makinat e dializës, po ashtu Fresenius të SHSKUK (Fresenius furnizon 60% të tregut të Bashkimit Evropian). Delijaj, sipas vetë licencës së dorëzuar në tender, është teknik i farmacisë në kuadër të licencës së veprimtarisë së ‘Medi Health SHPK’, pra gjithashtu punëtore edhe e QKUK-së, edhe e ‘Medi Health SH.P.K.’”, kanë thënë në “Medicom”.
Për këtë, KOHA i ka kontaktuar menjëherë zyrtaren Deliaj, “Medi Healthin” dhe SHSKUK-në. Në përgjigjen e dhënë pas prezantimit të lajmit në edicionin qendror të lajmeve në KTV, Deliaj ka thënë se nuk ka licencë aktive tek asnjë kompani.
“Ju lus që të siguroni të gjitha të dhënat e sakta dhe zyrtare përmes organeve kompetente, përkatësisht AKPPM-së dhe Odës së Farmacistëve. Këto organe do të mund të vërtetojnë qartë se licenca ime nuk është aktive në asnjë operator ekonomik dhe çdo pretendim i kundërt është plotësisht i pavërtetë. Për çdo informacion shtesë ose verifikim, ju ftoj që t’i drejtoheni Zyrës për Media të SHSKUK-së, me kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, e cila do t’ju ofrojë të gjitha të dhënat dhe provat përkatëse sipas hierarkisë institucionale”, ka thënë Delijaj.
Edhe në kompaninë “Medi Health” kanë mohuar se Deliaj është punëtore e tyre.
“Znj. Ardelinë Delijaj nuk është teknike e farmacisë në kompaninë tonë, prandaj këto janë vetëm pretendime të një kompanie që ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre kontraktuale, rrjedhimisht me këtë ka rrezikuar seriozisht shëndetin e pacienteve që trajtohen në hemodializë”, kanë thënë në kompaninë “Medi Health”.
E në SHSKUK që prej dy ditësh nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me dyshimet për konflikt interesi të ngritura nga kompania “Medicom” dhe as nuk i kanë përcjellë dëshmitë se malli që është kthyer prapa nuk ka qenë në përputhje me specifikat e kërkuara në kontratë.
Në këtë institucion, nëpërmjet dy komunikatave të lëshuara gjatë së enjtes, kanë ritheksuar se institucioni ka material të mjaftueshëm për zhvillimin e seancave të hemodializës dhe se nuk ka pasur asnjë vonesë në ofrimin e shërbimeve. Sipas tyre, përkundër disa telasheve teknike gjatë furnizimit në ditët e fundit, asnjë pacient nuk ka mbetur pa e marrë shërbimin e nevojshëm në QKUK dhe në spitale të përgjithshme. Por, gjatë dy javëve të fundit KOHA ka raportuar për mungesat e materialit nëpër spitale të përgjithshme. Në Spitalin e Mitrovicës të martën pacientët me dializë kanë marrë trajtim me vetëm gjysmën e orarit të zakonshëm - në vend të 4 orëve ata janë trajtuar vetëm për 2 orë. Shërbimi i dializës është përcjellë me mungesa edhe në Spitalin e Gjilanit, ku një mesditë nuk ka pasur fare material, si dhe në Ferizaj, ku ndërresa e dytë nuk është kryer për mungesë materiali.
Tenderi i rregullt për material të hemodializës është bllokuar pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ndërsa tenderi emergjent i hapur në fund të tetorit është anuluar, pasi që dy kompani kanë ofertuar me çmim më të lartë sesa vlera e parashikuar e tenderit.