Arbëri

Klinaku: Mosndërhyrja e MSH-së për mungesën e materialit për hemodializë mund të konsiderohet vepër penale

Mosveprimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar materiale për hemodializë mund të jetë vepër penale, ka thënë juristi Fitim Klinaku. Derisa pacientët janë ata që pësojnë nga mungesa e materialit për realizimin e këtij trajtimi, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë në dijeni të situatës ndërsa përgjegjës për këtë gjendje e kanë bërë Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar. E në SHSKUK përsëri ua kanë ndaluar mjekëve që të flasin për KOHËN

Për mungesën e shërbimit të hemodializës në disa spitale rajonale, në të cilat pacientët janë përballur me ndërprerje të këtij trajtimi, juristi Fitim Klinaku ka thënë se përgjegjësinë duhet që ta mbajë Ministria e Shëndetësisë.

Në spitalet e Ferizajt dhe të Gjilanit, javën e shkuar pacientët gjatë ndërrimit të pasdites nuk kanë mundur ta marrin terapinë e rregullt. E të martën e kësaj jave në spitalin e Mitrovicës, kjo terapi pacientëve u është dhënë vetëm në gjysmën e kohës së duhur – dy nga katër orë sa është e paraparë – për shkak të mungesës së materialit për hemodializë.

Klinaku ka thënë që në raste të tilla, kur Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) ka vonesa në furnizime jetike, Ministria e Shëndetësisë është e obliguar të ndërhyjë për ta garantuar trajtimin e pacientëve.

“Ministria e Shëndetësisë do të duhej që me kohë t’i zhvillonte procedurat e prokurimit, përkatësisht të tenderimit, dhe të siguronte material të mjaftueshëm për pacientët që i marrin këto shërbime në qendrat komunale, në rastin konkret, kur Ministria e Shëndetësisë nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’ua mundësuar pacientëve marrjen e shërbimit, mund të ekzistojnë edhe elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kjo vepër, e paraparë në nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përfshin edhe neglizhencën, përveç aspektit të përfitimit dhe dëmit të personave të caktuar që mund të pësojnë nga neglizhenca e personit që nuk i ka iniciuar këto procedura”, ka thënë ai.

Kliniku ka shtuar se Kodi Penal e njeh edhe mosveprimin si formë të kryerjes së veprës penale dhe se mosreagimi i Ministrisë karshi kësaj situate që e prek trajtimin e pacientëve mund të konsiderohet si dëm që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre.

KOHA ka dërguar pyetje në Prokurori që nga java e kaluar dhe i ka përsëritur edhe të mërkurën, për të mësuar nëse këto raste janë të mjaftueshme për të nisur hetime, porse nuk ka marrë përgjigje.

E Klinaku ka shtuar se kur ekziston rreziku për dëm të konsiderueshëm për pacientët, prokuroria ka bazë ligjore për të nisur hetime.

“Në rastin konkret, nëse prokurori vendos të zhvillojë hetime për këtë çështje dhe vërtetohet se personat e caktuar nuk i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në kohën e duhur dhe nuk u janë përgjigjur detyrave dhe përgjegjësive të tyre, atëherë ai mund të ngrejë aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, e cila, në rastin konkret, parashikon që këta persona mund të dënohen edhe me burgim”, ka thënë ai.

Ministria e Shëndetësisë ia ka hedhur përgjegjësinë SHSKUK-së, duke thënë se është në dijeni të situatës. Por për pyetjen nëse duhet të ndërhyjë që pacientët të mos përballen me pengesa, në Ministri kanë sugjeruar që përgjigjja të kërkohet në shërbimin spitalor.

“Ministria e Shëndetësisë është e informuar lidhur me çështjen e lartpërmendur dhe vazhdon të jetë në komunikim të rregullt me SHSKUK-në. Sa i përket çështjeve të tjera, ju lutemi që për përgjigje t’i drejtoheni SHSKUK-së, e cila funksionon si organizatë buxhetore më vete”, është thënë në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka vazhduar të mohojë se ka pasur ndërprerje të shërbimit të hemodializës dhe nëpërmjet një komunikate ka thënë se është duke punuar që furnizimi të stabilizohet plotësisht.

KOHA ka tentuar që ta marrë edhe një prononcim nga ndonjë nefrolog të angazhuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) lidhur me rëndësinë e hemodializës, por ata nuk kanë pranuar që të flasin, pasi QKUK-ja dhe SHSKUK-ja nuk u kanë dhënë leje.

Studime ndërkombëtare e dëshmojnë seriozitetin e mungesës së trajtimit. Një hulumtim i publikuar në “American Journal of Kidney Diseases” nga Robinson dhe bashkautorët, që përfshiu mbi 8.500 pacientë në 20 vende të botës, tregon se mungesa edhe e vetëm një seance të dializës e rrit ndjeshëm rrezikun për vdekje dhe për hospitalizim. Një tjetër kërkim, i publikuar në “Kidney International nga Flythe et al.” vërteton se pacientët që dializohen më pak se 240 minuta (4 orë) për seancë kanë rrezik më të lartë për vdekje, pavarësisht faktorëve të tjerë klinikë.

Që nga muaji korrik, tenderi i rregullt për furnizim me materiale të hemodializës mbetet i bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ndërsa dy tenderët emergjentë kanë dështuar. Hemodializa është procedurë mjekësore që përdoret për të pastruar gjakun nga mbeturinat dhe lëngjet e tepërta, kur veshkat nuk janë më në gjendje ta bëjnë këtë funksion në mënyrë të mjaftueshme. Gjatë hemodializës, gjaku i pacientit nxirret nga trupi, kalon nëpërmjet makinës së dializës, ku filtrohen mbeturinat, hiqen lëngjet e tepërta dhe më pas kthehen përsëri në trup. Zakonisht, hemodializa bëhet 3 herë në javë, teksa secila seancë zgjat tre deri në pesë orë, varësisht nga nevoja e pacientit.