Kontrata emergjente për furnizim me material për hemodializë është ndërprerë pesë ditë pas lidhjes së saj. SHSKUK-ja e ka ndërprerë atë të martën në mënyrë të njëanshme me arsyetimin se operatori ekonomik nuk e ka dorëzuar materialin sipas kërkesave dhe kushteve të kontratës. E kompania e kontraktuar, ka pretenduar se kjo është bërë qëllimshëm
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të martën e ka ndërprerë kontratën emergjente për furnizim me material të hemodializës të lidhur vetëm pesë ditë më parë.
Sipas vendimit, ndërprerja e njëanshme e kontratës është bërë për shkak të mos liferimit me kohë dhe të plotë të materialit nga operatori i kontraktuar “Medicom”.
“Sipas raporteve të pranuara nga menaxheri i kontratës, OE ka dorëzuar një sasi prej 3 mijë copë të LOT 1, që paraqet me pak se 25% të sasisë së porositur apo totalit prej 12 mijë e 289 copësh, ndërsa për artikullin e LOT 2 dhe LOT 3 nuk ka ofruar asnjë sasi dhe njëherësh nuk ka ofruar ndonjë informacion”, thuhet në vendimin e SHSKUK-së.
Në vendim, të cilit i janë ngjitur edhe shkresat me operatorin dhe menaxherin e kontratës, thuhet se liferimi nuk është bërë sipas urdhër-blerjeve.
Por sipas kompanisë “Medicom”, furnizimi është bërë në përputhje me kontratën dhe se për arsyen e mospranimit të mallit nuk kanë pranuan shkresë zyrtare nga SHSKUK-ja.
“Duhet cekur se më 07/11/2025 kemi shkuar për dorëzimin e materialit në QKUK, një orë pas marrjes së urdhërblerjes në orën 14:00 në përputhje me kushtet e kontratës dhe pas një pritjeje prej rreth 3 orësh për pranim, materiali është refuzuar me arsyetimin e mungesës së katalogëve shoqërues, megjithëse produktet e parapara për dorëzim kanë qenë në përputhje të plotë me specifikat e kontratës. Refuzimi i materialit nga komisioni është shkruar në një letër me dorë, letër e cila nuk i është dhënë kompanisë, por që kanë arritur vetëm ta fotografojnë”, thuhet në njoftimin e “Medicom”.
Nga kompania kanë vlerësuar se kjo u bë qëllimshëm, pa dhënë më shumë shpjegime.
E në Spitalin e Mitrovicës, pacientët me dializë që u nënshtrohen seancave të hemodializës, treguan se të martën nuk e morën shërbimin e plotë.
“Sot veç dy orë i kemi bë, mjeku duke i nda kantat për kapak kapak për pacientë. E kanë pru do material, po ata nuk po vlejke, veç për aparatet e vjetra, për të rinjtë jo. Tash janë mbet me ndërrime me ba, rend kush mundet”, ka thënë një pacient.
Mungesën e materialit e ka konfirmuar edhe pacienti tjetër, Bashkim Haxha.
“S’pat material, ka i gjysë, ka i gjysmë kante tu punu. Normal e kuqja është kanta por është edhe e kaltra, e kaltra dmth gjysmë për mua dhe gjysmë për atë tjetrin pacientë, vec ka dy orë”, ka thënë ai.
E pacienti Ramadan Haxha është ankuar për pritjen e gjatë e të kotë.
“U duft na me e kry qe dy orë a më shumë, edhe plus nejtëm veç dy orë në dializë.... se nuk ka material, duke e nda kapak, kapak, kantat me ujë që janë, po duhet me i nda përgjysmë”, ka thënë Ramadan Haxha.
Lidhur me këto pretendime, në kompaninë “Medicom” kanë thënë se materiali i dorëzuar në Spitalin e Mitrovicës është i njëjtë me atë të spitaleve tjera dhe është në përputhje të plotë me specifikat teknike të dosjes së tenderit.
Ndërkohë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka ndaluar menaxhmentin e spitalit si dhe shefin e repartit të hemodializës që të prononcohen në lidhje me mungesën e materialit për dializë.
Fillimisht drejtori i spitalit në Mitrovicë u ka dhënë leje dy mjekëve që të prononcohen për media për këtë çështje, megjithatë kjo është ndaluar pak më kohë më vonë nga zyra për media e spitalit me kërkesë të SHSKUK-së.
E në SHSKUK nuk janë përgjigjur në asnjërën prej pyetjeve të KOHËS, por përmes një komunikate kanë thënë se janë në pritje të realizimit të kontratave për furnizim.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se është në pritje të realizimit të kontratave për furnizim me materiale të nevojshme për shërbimet e hemodializës. Derisa të përfundojë procesi i furnizimit, është kërkuar nga njësitë përkatëse të bëjnë ri-organizimin e brendshëm të punës, me qëllim që pacientëve që kanë nevojë për dializë të marrin shërbimin e nevojshëm. ShSKUK po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme që furnizimi të realizohet sa më shpejtë”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.
Kontrata emergjente është nënshkruar pas dështimit të tenderit të rregullt për furnizim me materiale për hemodializë.
Ditëve të fundit, me mungesë të materialeve janë përballur edhe spitalet e tjera në vend.
LEXO edhe: