Arbëri

Hemodializa në Gjilan rrezikon të ndërpritet nesër, e në ditët në vijim edhe në Prizren e Pejë

Spitalet e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës kanë konfirmuar se nuk kanë më rezerva për ta vazhduar ofrimin e shërbimit të hemodializës për pacientët. Situata është përkeqësuar për shkak të pezullimit të tenderit të rregullt për furnizim me materiale, që është hapur dy herë nga muaji qershor e që ende nuk ka marrë epilog në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në mungesë të kontratës, spitalet rajonale dhe klinikat po mbështeten përkohësisht në donacion.

Përgjegjës në Spitalin rajonal të Gjilanit kanë thënë se nuk janë të sigurt nëse në këtë institucion ka material të mjaftueshëm për t’ua ofruar pacientëve shërbimin e hemodializës qysh të mërkurën.

Drejtori i këtij spitali, Afrim Cana, ka thënë se situata është kritike teksa ka paralajmëruar që në rast se nuk gjendet një zgjidhje urgjente, atëherë shërbimi mund të ndërpritet jo vetëm në Gjilan, por edhe në spitale të tjera.

“Në fakt, nuk kemi rezerva, a më kupton? Nuk po mund të them për rezerva, sepse është çështje ditësh nëse mundet edhe nesër (e mërkurë) të funksionojë shërbimi i dializës apo jo. Situata është e njëjtë nëpër rajone; shikoni, nuk besoj që dikush është më mirë e dikush më keq, pothuajse është identike. Spitali i Pejës dhe i Prizrenit po ashtu janë në pikëpyetje nëse mund ta ofrojnë këtë shërbim nesër apo jo”, ka theksuar Cana.

Shkak për këtë situatë është bërë pezullimi, dy herë që nga shpallja në qershor, i tenderit të rregullt për furnizim me materiale të hemodializës. 

Për pasojë, në vështirësi të ngjashme sikurse Spitali i Gjilanit është edhe ai i Prizrenit. 
Drejtori i spitalit të Prizrenit, Osman Hajdari, ka thënë se furnizimi po bëhet vetëm nëpërmjet donacioneve.

“Është e vërtetë që ka vështirësi në furnizim. Njëkohësisht jemi në kontakt me QKUK-në, me drejtoreshën e barnatores dhe me ekipin menaxhues të materialeve të hemodializës. Forma e furnizimit për momentin është me donacione, për shkak se çështja e kontratave ka pasur pengesa në kuptimin e prokurimit publik. Shpresojmë që nesër ose pasnesër do të ketë një epilog për këto kontrata”, ka thënë ai.

Edhe në Spitalin e Pejës kanë konfirmuar se furnizimi aktual mjafton vetëm për disa ditë.

“Aktualisht kemi furnizim të mjaftueshëm me materiale shpenzuese për dializë afërsisht edhe për 10 ditë”, kanë thënë në këtë spital.

E në Shërbimin Klinik e Universitar (SHSKUK) kanë theksuar se po bëhen përpjekje që materiali ekzistues të shfrytëzohet në mënyrë të barabartë në të gjitha njësitë, ku ofrohet ky shërbim.

“Si ShSKUK, jemi në koordinim të plotë ndërmjet të gjitha njësive, në mënyrë që materiali ekzistues të shfrytëzohet në mënyrë efikase dhe të balancuar. Paralelisht, po punohet që të sigurohet furnizimi i ri me materialet e nevojshme për proceset e dializës, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë së shërbimit për pacientët”, kanë thënë në SHSKUK.

KOHA pati raportuar më herët se beteja për tenderin e rregullt për furnizim me material për hemodializë është duke vazhduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) mes dy kompanive farmaceutike: “Meditech”, e cila është shpallur fituese dhe “MediHealth”, që ka paraqitur ankesë duke e akuzuar kompaninë fituese për përdorim të katalogut të falsifikuar.

Vlera e tenderit të rregullt është parashikuar të jetë rreth 5 milionë euro. Që nga korriku, ai ka mbetur i bllokuar dhe si pasojë e mungesave të materialit, në korrik është hapur një tender emergjent prej mbi 300 mijë eurosh, e të cilin e ka fituar “MediHealth”.

Të dy kompanitë janë ndër operatorët që kanë fituar më së shumti kontrata me SHSKUK - “Meditech” 32 dhe “Medi Health” 20 - por ato figurojnë njëkohësisht edhe në listën e gjobave, si më të gjobiturat për mosfurnizim me kohë të institucioneve shëndetësore.