Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka pranuar se stoku i materialit shpenzues për dializë është zero. E ka bërë këtë në dosjen e tenderit emergjent për furnizim me materiale. Me kontratën e lidhur, SHSKUK-ja ka shkurtuar afatin e furnizimit dhe ka rritur vlerën me të cilën blihen medikamentet.
Të premten, të gjithë pacientët që u nënshtrohen seancave të hemodializës në Spitalin e Pejës kanë marrë trajtimin e rregullt, megjithatë, disa prej tyre kanë shprehur drojë nëse shërbimi do të mund të ofrohet edhe gjatë javës së ardhshme.
Një familjare e një pacienti që po qëndron në Kosovë për pushime, tha se pasiguria për mungesë të materialeve mjekësore iu është konfirmuar edhe nga stafi shëndetësor.
“Qe dy javë e bëjmë këtu dializën, në rregull u kanë deri sot, unë qetash niva se ka mungesë ama edhe për sot ka. Për mandej nuk e di..... Një motër e pyeta, edhe ajo tha ka mungesë po prej kuhit nuk e dijmë, ama edhe sot ne e krymë.....veç ujin e përmenden”, ka thënë Ganimete Selmanaj, familjare e pacientit në dializë.
Se stoku i materialit shpenzues për dializë ka arritur në fund gjatë kësaj jave, u konfirmua edhe në dosjen e tenderit emergjent për furnizim të hapur dy ditë më parë.
“Bazuar në njoftimin e njësisë së kërkesës Barnatore Qendrore, stoku i materialit shpenzues për dializë është zero”, thuhet në dosjen e tenderit emergjent.
Për të arritur finalizimin sa më të shpejtë të kontratës dhe furnizimin me material shpenzues për dializë, ShSKUK-ja në këtë tender ka bërë disa ndryshime, duke përfshirë rritjen e vlerës totale dhe shkurtimin e afatit të furnizimit.
Kësaj radhe është shkurtuar për katër ditë afati i liferimit të materialit, pasi ai do të jetë 1 ditë kalendarike nga marrja e porosisë.
Tenderi paraprak emergjent pati dështuar, pasi të dy ofertat e dorëzuara kanë qenë me çmime më të larta se vlera e parashikuar e kontratës. Por në tenderin e ri, ShSKUK-ja rriti vlerën për afro 100 mijë euro, duke bërë të mundur përzgjedhjen e ofertës fituese.
Kësisoj, për të tri lotet, SHSKUK-ja i dha kontratë kompanisë “Medicom”, në vlerë prej 479 mijë e 532 euro, ofertë kjo për gati 4 mijë euro më e lirë sesa në tenderin paraprak.
Kjo kontratë është gjashtëmujore dhe parashihet të ndërpritet automatikisht në momentin e lidhjes së kontratave të rregullta.
Tenderi i rregullt, me vlerë 5 milionë euro dhe i ndarë në nëntë lote, është i pezulluar që nga muaji qershor pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Që nga fillimi i javës, KOHA ka raportuar se spitalet rajonale dhe QKUK-ja janë duke u përballur me furnizim jo të qëndrueshëm me materiale për hemodializë dhe në disa ditë edhe me mungesa të plota.