Këshilli Kombëtar Boshnjak (KKB) ka anuluar seancën solemne dhe debatin në Novi Pazar, ku është pritur të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai ishte ftuar nga kryesuesi i KKB-së, Sulejman Uglanin, por Qeveria serbe refuzoi vizitën e tij.
Ishte radiotelevizioni kombëtar serb që njoftoi për refuzimin e vizitës së Pacollit, duke thënë se, bazuar në arsyetimin e dhënë nga Qeveria e Serbisë, “UNMIK-u nuk njeh Ministri të Punëve të Jashtme” në Kosovë, transmeton Koha.net.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, paralajmëroi liderët e Këshillit që t’i respektojnë ligjet e shtetit të tyre, në veçanti Ligjin për Këshillat Kombëtarë të Pakicave Etnike, që ua ndalon anëtarëve të këshillit që të përfshihen në politikë.
Bërnabiq u tha anëtarëve të KKB-së që të mos abuzojnë me këshillin e tyre, duke shtuar se “iniciativa të tilla janë në kundërshtim me qëllimin dhe aktivitetin” e atij organi.
Edhe
Pacolli kërkon avancimin e të drejtave të boshnjakëve në Sanxhak
Ajo kërkoi nga udhëheqësia e KKB-së që të jenë seriozë, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve që përfaqësojnë dhe të mos “mbledhin pikë të lira politika” në llogari të stabilitetit. Kryeministrja po ashtu kërkoi nga ata që të mos e keqpërdorin tolerancën dhe mirëkuptimin e Qeverisë së Serbisë.
Fillimisht, ishte ministri Pacolli ai që i dërgoi një letër presidentit të KKB-së, Uglanin, përmes së cilës shprehte indinjatën e tij për refuzimin e vizitës nga ana e Qeverisë serbe.
“Fatkeqësisht, në momentin e fundit, vetëm 4 orë para nisjes sime për Novi Pazar mora refuzimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të kaluar kufirin. Kjo është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen mes qeverive tona të nënshkruar 4 vite më parë në Bruksel, për çka ne veç kemi bërë një notë proteste zyrtare”, ka thënë Pacolli në këtë letër.
“Më lejo të lutem të shprehë keqardhjen dhe protestën time për lajmin që mora se për shkak të ftesës që më keni bërë, Kryeministrja e Republikës së Serbisë u paska kërcënuar përmes një shkrese zyrtare, e ndodhur në vizitë në SHBA, vend ky që i pari e ka njohur Republikën e Kosovës si dhe më shumë se gjysma e kombeve të botës”, shkruan më tej Pacolli.
“Pavarësisht nga refuzimi që më është bërë mua, dhe kërcënimi që i është bërë shkëlqesisë suaj, unë ju siguroj se përpjekjet e mia nuk do të ndalen për një Ballkan dhe një Evropë ku nuk do të ketë ndalesa në kufi dhe ku komunitetet nuk do të privohen nga të drejtat elementare për të komunikuar me personalitete dhe dëgjuar të vërtetat e anës tjetër”, theksoi më tej Pacolli në letrën dërguar Uglaninit.
Ndërkaq, presidenti i KKB-së, Sulejman Uglanin, ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për gatishmërinë e treguar për të vizituar Sanxhakun dhe ka shprehur keqardhjen e tij që “regjimi aktual nacionalist i Beogradit” e ka penguar këtë vizitë.
“Me keqardhje të madhe kemi pranuar informatën se regjimi aktual nacionalist nga Beogradi ka penguar ardhjen tuaj dhe ua ka pamundësuar qytetarëve të Sanxhakut të dëgjojnë edhe anën tjetër në lidhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Uglanin në një letër dërguar Pacollit, e cila është postuar në ueb-faqen e KKB-së, transmeton Koha.net.
Ai e ka falënderuar Pacollin për gatishmërinë e tij të treguar për të vizituar Sanxhakun “edhe përkundër të gjitha pengesave të vëna nga ana e regjimit nacionalist serbomadh”.
Uglanin e ka porositur Pacollin që të mos shqetësohet nga “kërcënimet që u ka dërguar popullit boshnjak kryeministrja serbe Ana Bërnabiq” me këtë rast.
“Këto kërcënime janë shprehje e mos-tolerancës ndaj popullit boshnjak të Sanxhakut dhe injorim i rregullave ligjore”, theksoi ai.
Kreu i KKB-së, Uglanin, ka thënë se shpreson që në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, në skenën politike të Serbisë të paraqitet një “opsion politik normal, tolerant dhe demokratik” që do të jetë në gjendje të zgjidh “statusin e popullit boshnjak dhe statusit të Sanxhakut që është kushti kryesor për mbetjen e boshnjakëve në këto zona”.
Gjatë ditës, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për media, shprehu keqardhje dhe indinjatën e saj për vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e Ministrit Pacolli, në Novi Pazar.
“Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara. Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë. Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”, thuhet në njoftimin e MPJ-së, transmeton Koha.net.
Tutje, aty thuhet se do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fondamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe.
“Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombësit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vihen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombësit e tyre në Kosovë”, përfundon reagimi.
Letra e Uglaninit drejtuar Pacollit:
Presidenti i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve, dr. Sulejman Uglanin i dërgoi letër Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili thotë:
"I nderuar zoti ministër,
Në cilësinë e President i Këshillit Kombëtar Boshnjak shpreh mirënjohjen Juve për gatishmërinë e treguar për të vizituar Sanxhakun më 21 dhe 22 korrik 2018, pavarësisht nga të gjitha pengesat e vendosura nga regjimi serbomadh nacionalist serb.
Edhe
Serbia nuk jep sqarime pse e refuzoi vizitën e Pacollit në Novi Pazar
Veçanërisht jemi të kënaqur për gatishmërinë tuaj për të ua mundësuar qytetarët e Sanxhakut të dëgjojnë anën tjetër në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qytetarëve të Sanxhakut për të paraqitur vizionin tuaj të procesit të sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Me pikëllim të madh morëm informacion se regjimi aktual serb nacionalist në Beograd për ndalimin e ardhjes tuaj dhe pengimin e qytetarëve të Sanxhakut dhe për të dëgjuar palën tjetër në lidhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mosgatishmëria e regjimit aktual serb për të mundësuar që qytetarët të dëgjojnë dhe mendojnë ndryshe reflekton më mirë karakterin e këtij regjimi.
Z. Ministër, mos u shqetësohuni për kërcënimet që kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq i ka dërguar popullit boshnjak me rastin e ftesës sonë për të vizituar Sanxhakun. Këto kërcënime janë një shprehje e jotolerancës ndaj popullit boshnjak të Sanxhakut dhe mungesës së njohurive rregullative ligjore.
Ne shpresojmë se në procesin e integrimit evropian dhe euro-atlantik në skenën politike serbe të paraqitet opsioni normal, tolerant dhe demokratik opsion politik i aftë për zgjidhjen e statusit të popullit boshnjak dhe statusin e Sanxhakut, i cili është një parakusht themelor për mbijetesën e boshnjakëve në këtë rajon.
Pranoni konsideratës tonë më të lartë,
Këshilli Kombëtar Boshnjak
Kryetar
Dr. Sulejman Uglanin
Letra e Pacollit drejtuar Uglaninit:
I nderuar kryetar Dr.Uglanin
I dashur Sulejman,
Të falënderoj vëllazërisht për ftesën vëllazërore që më bëtë për të vizituar Novi Pazarin dhe Peshterin dhe për të marrë pjesë në Tribunën me titull: Procesi i vendosjes së bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal në Ballkan së bashku me shkëlqesinë tuaj dhe profesorin e nderuar, Prof.Dr. Nexhmedin Spahiu. Kishte me qenë një privilegj i madh për mua.
Fatkeqësisht, në momentin e fundit, vetëm 4 orë para nisjes sime për Novi Pazar mora refuzimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të kaluar kufirin. Kjo është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen mes qeverive tona të nënshkruar 4 vite më parë në Bruksel, për çka ne veç kemi bërë një notë proteste zyrtare.
Më lejo të lutem të shprehë keqardhjen dhe protestën time për lajmin që mora se për shkak të ftesës që më keni bërë, Kryeministrja e Republikës së Serbisë u paska kërcënuar përmes një shkrese zyrtare, e ndodhur në vizitë në SHBA, vend ky që i pari e ka njohur Republikën e Kosovës si dhe më shumë se gjysma e kombeve të botës.
Pavarësisht nga refuzimi që më është bërë mua, dhe kërcënimi që i është bërë shkëlqesisë suaj, unë ju siguroj se përpjekjet e mia nuk do të ndalen për një Ballkan dhe një Evropë ku nuk do të ketë ndalesa në kufi dhe ku komunitetet nuk do të privohen nga të drejtat elementare për të komunikuar me personalitete dhe dëgjuar të vërtetat e anës tjetër.
Prishtinë, 21.07.2018
Vëllazërisht i Juaji,
Edhe
Pacolli ka gjasë të mos shkojë fare në Novi Pazar, s’ka përgjigje nga Serbia për leje hyrjeje
Behgjet Pacolli
Zv/Kryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme