Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se iu është refuzuar vizita në Kosovë nga autoritetet këtu.
Sipas njoftimit në faqen e kësaj zyre, ai planifikonte të merrte pjesë në ceremoninë e Pashkëve në Manastirin e Deçanit në fundjavë.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për këtë çështje, por nuk ka marrë ende përgjigje. Ndërkohë, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe ka pretenduar se vizita është ndaluar pa arsye.
Në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat për vizitë të Petkoviqit për shkak të deklaratave provokuese të tij. Edhe Serbia ia pati refuzuar kërkesën për vizitë ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, e disa ministrave të tjerë.
Vizitat zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë janë të rregulluara me një marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Vizitat duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të shteteve, e autoritetet t’i autorizojnë.
LEXO EDHE: